KreuBusull

Metamorfoza e qenieve dykëmbëshe/ Të lutem sillu si njeri!

Elda Beqiri

Një natë, teksa po kthehesha në shtëpi, më doli përpara një qen shumë i bukur. Sytë e tij rrezatonin vetëm mirësi. U afrova ta përkëdhelja dhe menjëherë më lejoi. Më tërhoqi vëmendjen putra e tij, të cilën po e mbante të varur.

Afrohem për të parë çfarë kishte që nuk shkonte dhe shoh se i kishin fikur cigaren aty. Sa i pamëshirshëm mund të jetë personi që e ka bëre atë gjë? Ndërkohë që qeni lëngonte dhe e kishte të pamundur madje dhe të ecte, ky njeri është rrugëve duke bredhur i lirë, pavarësisht aktit të tij jonjerëzor.

Jam e sigurt se kjo nuk është as hera e parë, as e fundit që ai njeri ka ushtruar një formë dhune kundrejt një kafshe. A është sjellje njerëzore kjo?

Duket se më përpara, frika, ishte e vetmja gjë që mbante në kontroll sjelljet tona. Liria e ardhur vrullshëm, vallë, është shkaktarja që ka kaq shumë sjellje jonjerëzore, harbutërie nëpër rrugët e Tiranës, të cilët ecin mbi dy këmbë?! Jam e sigurt se çfarëdolloj ligji të miratohet, këta njerëz nuk mund të jenë të kontrolluar gjithë kohës që mos të bëjnë të tilla gjeste.

Po sa qen rrugësh ka nëpër Tiranë? Kush është dashamirës me ta, e di se janë kaq shume dhe që të gjithë kanë nevojë për ne. Si mundet të bëhet ndërgjegjësimi i atyre që ushtrojnë dhunë të pamëshirshmë kundrejt tyre?

Tani po të drejtohem ty! Ti që i gjuan, ti që i pështyn, ti që i tremb. Të drejtohem ty që nuk di se çfarë është dashuria. Ti që nuk ke respekt për një qenie të gjallë.

Je ti ai që meriton të të fiket cigarja në këmbë. Je po ti ai që meriton të gjuhesh, pështyesh dhe trembesh. Do të ishte shumë e lehtë të komandoheshe nga frika sërish. Por, përse dëshiron t’ia bësh vetes kaq të vështirë? Pse nuk mundesh thjesht të ulesh një moment dhe të reflektosh?

Që t’ja dalësh mbanë dhe reflektimi të jetë produktiv, ka disa hapa të cilat duhet t’i kalosh… Së pari, konstato problemin. Problemi yt është që je i pamëshirshëm, që mbart strese, të cilat ke nevojë t’i kalosh diku. Tani mendohu se nga buron ky problem. Përgjigja duhet të jetë tek e kaluara jote. Jepi vetes kohë dhe bëji sa më shumë pyetje që ta kuptosh. Duhet ta gjesh patjetër! Hapi i tretë është ajo çfarë do të sjellë realisht ndryshim, si për ty, si për kafshët. Gjej zgjidhjen! Gjej diçka tjetër ku t’i shfrysh nervat. Kudo, perveçse jo te qëniet që marrin frymë dhe ndiejnë, njësoj si unë dhe ti.

Dua të jetoj në një Tiranë që njerëzit nuk janë të dashur dhe mikpritës vetëm me të ardhurit nga jashtë shtetit. Dua të shoh një Tiranë dhe një Shqipëri ku njerëzit i falin dashuri dhe respekt njëri-tjetrit. Gjithçka ti ke rrotull vetes është pjesë e jetës tënde. Kamarieri që të ofron kafen e mëngjesit, ajo gruaja tek marketi ku ti blen paketën, kolegu yt i punës, shoku yt i klasës, gjithashtu dhe ai qeni që të afrohet për të luajtur me ty, pavarësisht se mund të ketë ditë pa ngrënë.

Të lutem, mos u trego i keq me të. Mos ushtro dhunë. Ai nuk ka gojë të të lutet që mos ta bësh. Ai mund të flasë me ty vetëm duke të të dhënë dashuri. Jepja mbrapsht, është falas.

Ti je njeri, ti ke ndërgjegje, ti NUK je kafshë! Boll u bëre i tillë. Të lutem!

 

te ngjashme

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF