KreuCelebrity

Në çështje gjyqësore, Arjan Konomi rrëfen se çfarë ndodhi pas padisë së Soni Malaj!

Ndoshta e kishit harruar, por rreth tetë vite më parë, Arjan Konomi dhe Soni Malaj u përballën me çështje gjyqësore kundrejt njëri-tjetrit. Shkak u bë një intervistë e publikuar në revistën ‘Shqip’ (asokohe nën drejtimin e Konomit), për të cilën këngëtarja ngriti pretendimin se ishte e pautorizuar. Padia e Sonit e çoi çështjen deri në gjyqin e shkallës së parë, fazë ku Malaj humbi kundrejt ‘Shqip.

Pas kaq shumë vitesh, Konomi është shprehur publikisht lidhur me situatën jo më larg se pasditen e sotme. I ftuar tek ‘Rudina’, gazetari ka sqaruar shumëçka për të gjithë ata që ishin dhe nuk ishin sa duhet në brendësi të çështjes.  Sipas tij, Soni asokohe ka kërkuar një shumë të konsiderueshme parash, në këmbim të imazhit të kopertinës. “Unë i kërkova për një intervistë, por ajo më kërkoi një pagesë që ishte shumë e lartë për tregun shqiptar. Nuk pranova dhe nuk praktikohet, në fakt, që një personazh të paguhet për shkrimin. Nuk ka ndodhur”, është shprehur gazetari, duke shtuar se pavarësisht se shkrimi në revistë nuk ishte i tij, ai i doli në mbështetje me argumenta, pasi ‘Shqip’ drejtohej nga vetë ai.

Në shkrim ishte prekur jo vetëm lidhja (në atë kohë, aktuale) me Mirkon, por edhe romanca të tjera të këngëtares ndër vite. Konomi ka refuzuar të pranojë se këto ishin në rang thashethemesh, pasi siç e shpjegoi dhe vetë ai, gjithçka kishte qenë publike në të tjera gazeta e revista ndër vite. Soni ka kërkuar 8000 euro dëmshpërblim nga ‘Shqip’, e ndonëse këngëtarja e ka humbur shkallën e parë, gjyqi vazhdon ende, jo me Konomin, por me revistën. “Gjithçka ishte e bazuar në intervistat e saj televizive dhe në gjyq u çuan disqet e emisioneve dhe intervistat e saj. Fotot për të cilat u akuzuam ishin të dhëna me licensë nga personi që kishte të drejtën ekskluzive për të bërë Dancing With The Stars…”, ka sqaruar dhe më tej, gazetari.

Për sa i përket marrëdhënies mes Konomit dhe Malaj sot, Arjani duket se e sheh nga një tjetër këndvështrim relatën e tyre. “Soni është një vajzë e mrekullueshme, përveçse një këngëtare shumë e mirë. Nuk ka pasur asnjë keqdashësi, por ishte vetëm pak kapriço nga ana e saj…”, ka deklaruar ai, duke shprehur pozitivitet ndaj figurës së Sonit.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF