Ekskluzive/ Kled Kapexhiu, nën lëkurën e Makbeth 0 257

Nga Olsi Kolami

Fotograf: Fani Aliko

Sapo përmend emrin “Makbeth”, kryevepra e Shekspirit, ngjitja e saj në skenë është më shumë sesa një sfidë. Shpesh e konsideruar si një vepër që mund të ngrejë lart, nëse bashkë me të vjen edhe suksesi, por edhe mund të gremisë nëntokë, kur duartrokitjet mungojnë. Por, Kledi Kapexhiu, regjisori i cili e solli atë në skenën e Teatrit Kombëtar, duket se i ka menduar të dyja: finalizmi ishte suksesi. Me një shpurë aktorësh të sprovuar, e të tjerë që me këtë vepër vetëm ishin provuar në Akademinë e Arteve, regjisori i ri arriti të dalë në finish, duke rrëmbyer vëmendjen dhe duartrokitjet e publikut. Qysh në fillim piketoi vetë gjithçka, nga zgjedhja e aktorëve, skenografia e madje, siç pohon vetë, edhe copat që i janë dashur stilistes Enada At’Nikolla për të realizuar kostumet e shfaqjes. Ndoshta sepse ishte vetë ai që zgjodhi të sjellë jo thjesht Shekspirin dhe një tragjedi të tij, por në një mënyrë krejt origjinale, Kledi Kapexhiu pranon se arriti të sjellë për Teatrin një shfaqje të madhe dhe një sukses për të cilin ndihet krenar.

Makbethi shfaqet për herë të parë në Shqipëri. Si regjisor, çfarë keni synuar me vënien në skenë të kësaj kryevepre të Shekspirit?

Kam synuar të rrëfej një histori nëpërmjet një gjuhe skenike të strukturuar qartë. Sa më i përqendruar të jetë stili, aq më të kthjellët dhe të qëndrueshëm duhet të jenë ligjet që e udhëheqin. Kam zgjedhur rrëfimin përmes maskës, gjë që ndihmon shkëputjen e aktorit nga njehsimi me personazhin. Për mua, ky është thelbi i lirisë për të krijuar.  Me veshjen e kësaj maske, aktori vendos të krijojë një qenie të cilën as nuk përpiqet ta ruajë nga cënimet e jashtme dhe as nuk e gjykon si zgjatim të personalitetit të tij. Nga ana tjetër kam kërkuar një shtresëzim të vazhdueshëm të krijimit nga trupa. Ngado që të vijnë ngacmimet, ajo duhet t’i rikrijojë disa herë shenjat skenike, derisa ngjarja të ketë fituar thellësinë e duhur dhe të jetë transformuar në një vepër krejtësisht të aktorit. Thjeshtimi deri në thelb i kësaj shenje është qëllimi im përfundimtar estetik, ku sistem bazë ka qenë ripunimi që i ka bërë Tadashi Suzuki teatrit tradicional japonez.

Cila ka qenë nxitja kryesore që ju shtyu të zgjidhni këtë vepër?

Dashuria e Shekspirit për të rrëfyer historinë e individit i cili përpiqet të ndërtojë një të ardhme më të mirë për veten, por që prirja për të zhdukur çdo gjë që e pengon nga qëllimi final, e çojnë në grabitjen e jetës dhe përfundimisht në vetshkatërrim, më kanë magjepsur. Të tregosh historinë e një njeriu të dashuruar, duke e bërë vrasës, por duke i hequr fajin përfundimtar, është hyjnore, jo njerëzore. Së dyti, një ide që më ka lindur në një nga leximet e para ishte manipulimi i mundshëm i njërës prej skenave kryesore. Pa prekur asgjë nga teksti, mund të shndërroja atë që merr pushtetin pas Makbethit nga hero, në vrasës. Më ngjau shumë me Shqipërinë. Një vend ku nuk ka më heronj të lirisë, ka vetëm keqbërës.

Trupa përbëhet nga 14 aktorë. Çfarë patët parasysh në momentin kur u besuat personazhet?

Trupën e kam zgjedhur me shumë kujdes. Gjithsecili ka ardhur në këtë pjesë për arsye të ndryshme, por e kam zgjedhur me të njëjtin vullnet dhe synim. T’i bëj të dukshëm në skenë dhe të papërsëritshëm. Dhe secili e mori pjesën e tij nga vepra. Kanë ngjallur disa qenie që as nuk e dija se ekzistonin. Për të gjithë ne ka qenë një udhëtim për “mbijetesë”, ku zgjatja për t’u kapur me thonj pas personazhit, është kthyer në proces krijues.  Këtë proces doja, dhe na shpërbleu.

Në zgjedhjen e Indritit për Makbethin, pata parasysh mënyrën se si e ndërtoi skenën për audicionin. Kërkesa ime ishte ndërtimi i monologut të “kamës” ndërkohë që vendi përreth mbushej me buburrecë. Indriti mori një karrige, u ul dhe e bëri gjithë tekstin duke zgjatur këmbët dhe duke vrarë me frikë buburrecët. Shtyrja përpara e detyrës që kisha kërkuar, më kujtoi arsyen që e pëlqej aq shumë si aktor, sepse e zgjedh personazhin duke e vendosur në skenë fillimisht, e më pas kujdeset për proceset e brendshme të aktorit. Makbethi i tij nuk është ai personazhi klasik shekspirian. Është një qenie e re, sa i pakohë me maskën e tij, aq edhe i prekshëm kur shijon të qenit njerëzor. Një qenie komplekse, mbi të gjitha e shtresëzuar skeniksht. Kjo ka qenë detyra e parë dhe e fundit që i kam kërkuar, të ngjallte një qenie tjetër. Një Makbeth të ri, për një rrëfim që po ia nisnim nga fillimi.

Të sjellësh një vepër kaq të rëndësishme në skenë, në punën tuaj si regjisor me çfarë jeni përballur?

Me veten dhe trupën. Sfida me veten ishte që të isha i gatshëm të krijoja në momentin e dhënë, të përkryeja mjetet regjisoriale pa u shpërqendruar. Trupa pastaj është masa kryesore e veprës, ajo e gjalla, e cila është modeluar në të njëjtën kohë me mua. Ajo është shfaqja, me gjithë stërmundimet dhe kënaqësitë e krijimit. I gjithë procesi im i punës ka qenë i përqendruar tek krijimi i një mase, që të lëvizë dhe të mendojë në të njëjtën kohë, me të njëjtën cilësi. Ajo është përballja më e madhe për një regjisor, t’i marrë trupës të vërtetat e saj.

Si ka qenë për ju këtë herë bashkëpunimi me Enada At’Nikollën për realizmin e kostumeve?

Bashkëpunimi me Enadën ka qenë i papritur. Punët e saj më kishin tërhequr gjithnjë vëmendjen për elegancën dhe dalldinë estetike. Doja që strukturës së fortë që kishte ndërtuar Gerta Oparaku, t’i shtoja këto cilësi. Nuk e njihja, s’më njihte. I tregova skicat e kostumeve dhe idenë time për veprën. ‘Më pëlqen‘ – tha, dhe aq ishte. Më bëri shumë përshtypje, vendosmëria për të reaguar për diçka që i tërhoqi vëmendjen aty për aty. Kemi zgjedhur copat bashkë, kemi ndenjur me orë sa të zgjidhnim atë të duhurën, i kemi rishikuar kostumet kushedi sa herë. Nganjëherë e kapja veten që po rrinim të tre, Enada me copën në dorë, që na shihte mua dhe Gertën, pastaj copën, pastaj ne dhe kjo vazhdonte derisa me sa duket duhet të kishte kryer gjithë ecejaket e mundshme me mend. Në një nga këto pauzat kur nuk gjenim zgjidhje, ne i thamë që mund t’a zëvendësonim me diçka tjetër. Ajo ndaloi dhe foli sikur deshi të vendoste rregull: Asgjë mos lëshoni nga ideja juaj fillestare. Në fund nuk do të jetë më ajo që keni dashur. Në fund punët e saj ishin një shtrojë e pastër, e hijshme, rrezatuese dhe e përmbajtur për karakteret që kishim ndërtuar në skenë. Pata fat.

Si një regjisor i ri, si e shikoni gjendjen në të cilën ndodhet teatri sot?

Ne kemi mbetur të varfër, të varfër, të varfër. Ashtu siç është harruar se ky vend “banohet” nga njerëz, ashtu dhe ky komunitet është braktisur krejtësisht nga qeverisjet e deritanishme. Si pasojë e një shtyse të kohës, si një përpjekje e një grupi, a e një njeriu, njerëzit do e ndjekin teatrin, do ndërtohet godina, por nuk do të ketë kapërcim cilësor në raportin mes përpjekjeve sfilitëse të krijuesve, kushteve sociale në të cilat krijojnë dhe cilësisë së produktit artistik. Teatri do ecë përpara sepse koha ecën dhe padashur na tërheq zvarrë,  por jo si rezultat i një përpjekje të përbashkët për të jetuar më mirë me atë që kemi në krah. Kjo është historia jonë, jo vetëm e teatrit!

Sa e kufizojnë një regjisor kushtet e teatrit, në realizimin e një projekti të tillë?

Kufizimet janë të pafundme, dhe prapë nuk ekzistojnë. Nëse nuk e konsideron vështirësinë pjesë të rrugëtimit, krijimi nuk do pasurohet me guximin, dëshpërimin, etjen për t’ia dalë, dashurinë që ngjall “pengesa”. Pengesat nuk i kam konsideruar asnjëherë problem. Madje këtë herë kam qenë unë problemi. Kam ndryshuar skenografinë pasi ishin paraqitur skicat teknike, kam hequr video-projeksionin tre ditë para premierës, kam shtyrë afatet e realizmit deri në çastin e fundit, kam kërkuar një javë prova më shumë. Kam një aftësi që t’i shtyj gjërat deri në kufij. Pres që të kem shteruar të gjitha mundësitë para se të vendos për diçka. Dhe kur them diçka, janë të gjitha diçka-të e mundshme. Kësaj radhe Hervin Çulit, drejtorit të teatrit iu desh t’i konsideronte pengesat akt krijues! Paska pasur nerva të forta me mua!

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *