Punëdhënësve për 1 Maj! Bëhuni pak njerëz të mirë!!! 0 517

Elda Beqiri

Rëndom në 1 Maj flitet për punëtorët, por unë do të doja të flisja për punëdhënësit! A mund të bëheni pak më të mirë?!

Duke qënë se çdo njeri e përjeton një moment që do të eksperimentojë me mënyrën e të shkruarit, mendoj se faza që po kaloj unë si “shkrimtare” amatore është mëse e kuptueshme.

Kërkoj ndjesë paraprakisht, “pendën” mund ta kem shumë të rëndë ndonjëherë. Prej ditës së sotme do të nis këtë rubrikë të përjavshme, që do të tentojë të sjellë një copëz nga përditshmëria jonë; një dritare nga realiteti që takojmë sapo dalim nga shtëpia jonë e dashur; të vërteta, që nuk ngjajnë aspak me ‘lifestyle’-in e Kim Kardashian-eve shqiptare!

Dua ta shoh anën tjetër të medaljes me sytë e mi. Pastaj dua ta shoh nga sytë tuaj. Dua të ndajmë eksperienca.

Unë jam Elda, 24 vjeç dhe jam aktualisht punëmarrëse, për të disatën herë në jetën time. Kam studiuar Arkitekturë në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe aktualisht shkruaj për “Revistën Bordo”!

Historia që kam zgjedhur të tregoj, është histori që do të ngjallë replika, të cilat i mirëpres. S’po humb më kohë nga koha juaj, po nis menjëherë.

Një prej historive më absurde që kam përjetuar si punëmarrëse, ka ndodhur rreth një vit më parë. Punoja për një kompani italiane, emrin e së cilës po zgjedh mos ta përmend, me dy kolegë të tjerë. Në punë është gjithmonë dikush më kompetitiv se të tjerët, me etjen për të qenë më i miri. Në këtë rast, isha unë. Jo se kolegët e mi nuk ishin të zotët, por unë isha shumë e shpejtë, që prej ditëve të para të punës.

Kisha dëgjuar fjalë, muaj pasi kisha filluar, se njëri prej nesh do të rritej në detyrë. Shumë prej stafit (në kompani ishin rreth 200 të punësuar), që punonin aty menduan se do të isha unë. Ajo nuk ishte thjesht punë për mua, ishte sigurimi i jetesës time, duhej ta merrja me seriozitet!

Dhe e bëja! Isha shumë e përkushtuar. Por… (Ah, kjo pjesa!) Shefja nuk më simpatizonte shumë. E si është e mundur që ajo nuk pëlqente punëtoren e saj më të devotshme? Arsyeja, është më absurde se ajo vetë.

A nuk e keni vënë re dhe ju që shefet femra nuk i kanë qejf punonjëset e zonja??!!

Shefes sime i kishin ardhur fjalë se unë dhe një grup punonjësish, miq pune të mitë, shoqëroheshim dhe pas pune! E çuditshme, por ama kjo gjë e bezdiste! Madje, nuk e kishte për gjë të spekulonte mbi këtë fakt!

Kështu shprehej para një personi me pozitë në kompani! Kaq fodulle, e pallogjikshme dhe e pamëshirshme ishte ajo femër.

Më në fund, erdhi dita që do të shpallej lajmi! Ajo hyn në zyrë me finesën e një balene, duke uruar njërin prej kolegëve të mi, i cili ishte neglizhent në punë dhe jashtë, për rritjen në detyrë. Ato pak lekë më tepër, i fitoi ai! Jetesa ime do të ishte sërish mbijetesë dhe në vazhdim.

E ç’bëra unë, do të thoni ju. Shpalla dorëheqjen dhe në më pak se një muaj, u detyrova të largohesha me egon time të shkatërruar, prej një pune që e doja vërtet.

E çfarë solli kjo, do pyesni ju. Që tani bëj një punë, krejt ndryshe nga çdo gjë që kam bërë më parë. Një punë që do t’i dedikohem po aq shumë, sepse kjo është ajo që një punëmarrës i mirë duhet të bëjë. Pavarësisht shefave të etur për energji negative, duhet të vazhdojmë të jemi pozitivë. E kanë thënë koka më të mëdha se e imja.

Gëzuar ditën e punëtorëve!

 

Shënim:

Nese keni eksperienca të ngjashme me mua, apo keni rrëfime dhe histori që do të donit t’i ndanit, mos hezitoni të më shkruani në faqen e Facebook të Revistës BORDO, në profilin tonë në Instagram Revista_bordo, apo dhe në adresën e emailit [email protected]

Më shkruani dhe bashkë me një filxhan çaji para jam gati t’ju dëgjoj, bisedoj dhe të bëjmë diçka për të ecur edhe më me forcë përpara!

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *