KreuCelebrity

Intervistë ekskluzive/ Eugent Bushpepa: 3 minutat e ëndrrës sime europiane

Nga Brunilda Kazani
Foto: Renuar Loçaj

Me një look tërësisht të ri, flokë të shkurtra, veshur me të zeza, me jelek dhe tatuazhe që mbulojnë trupin e tij, Eugent Bushpepa shfaqet në këtë set fotografik, me një pamje që të ngjan herë-herë me Bono e U2 apo David Gahan e Depeche Mode.

Në fakt këngëtari që është gati për të prekur ëndrrën europiane i ka të gjitha cilësitë të suprizojë Europën jo vetëm me pamjen, por edhe me vokalin e tij të mrekullueshëm! A nuk është duartokitur pafund në çdo dalje të tij për vlerat që ai ka?! Genti, siç edhe e thërrasin në rrethin e ngushtë, është duke përjetuar emocionet e pjesëmarrjes në Eurosong. Tashmë kënga është gati, në versionin e ri 3 minuta, aq sa janë edhe kriteret e këtij kompeticioni. Në skenë do të performojnë 6 veta, ndërsa një skuadër e gjithë po punon që gjithçka të shkojë siç duhet.

Në këtë intervistë ekskluzive për BORDO, në prag të aventurës së re, aq të dëshiruar për çdo artist Eugenti rrëfen se deri ku shkon ambicia e tij!

Eugent, faleminderit që pranuat të flisni për BORDO në këtë fazë përgatitjesh për Eurovizion. Si ndiheni? Cilat janë emocionet që ju përshkojnë në këto ditë?

Faleminderit ju për konsideratën!

Jam i lumtur që kjo periudhë përgatitore po shkon mirë. Kemi punuar dhe në një klip sëbashku me Ajola Xoxën, e cila ka berë një punë të mrekullueshme. Deri tani gjithçka ka marre drejtimin e duhur.

Keni marrë pjesë në disa edicione të Festivalit në RTSh. Sa e kishit ëndërruar Eurovizionin ndër vite? Çfarë ndjesie është t’ia arrish asaj që synon?

Në të vërtetë nuk jam tip kompetitiv dhe pjesëmarrjet në kompeticione të tilla i shoh thjesht si mënyrë e mirë për të qenë më afër publikut dhe për të përcjellë artin tim. E drejta për të marrë pjesë në Eurovizion ishte një vlerësim që padyshim i shtoi kënaqësi pjesëmarrjes time.

Ama nuk ka qenë asnjëherë synim i drejtpërdrejtë Eurovizioni.

Përpara se të ngjiteni në skenën e Lisbonës, keni pasur turne apo dalje në vendet e tjera konkurrente (një praktikë që njihet kjo)?

Kemi marrë ftesa për një tur të mundshëm promocional nëpër Europë. Shpresoj, që nëpërmjet kësaj kënge, t’ia arrijmë ta percjellim gjuhën Shqip sa më denjësisht.

Kënga tashmë është realizuar në versionin final dhe ka pasur edhe shumë komente se i është zbehur disi ajo fuqia që pati në netët e konkurrimit ‘live’. Ju kanë shqetësuar këto mendime, apo jeni të sigurt në vetvete se pikërisht fuqia juaj dhe e këngës suaj do të jetë në interpretimin ‘live’ në skenën e Eurovizionit?

Për arsye limitesh nga EBU, këngës i është hequr 1 min e 36 sek, është më tepër se 1/3 e këngës.

Unë nuk jam tip që kërkoj të bëj hite, thjesht shpreh atë që më nxjerr shpirti dhe ky riorkestrim është tërësisht, sërish, krijim i imi kështu që më takon të marr përsipër të gjithë kritikat dhe meritat për këtë. Kuptoj edhe komentet që shumë njerëz kanë bërë nëpër rrjete sociale megjithëse duhet thënë se përveç atyre që duhet të “rimësohen” me versionin e ri, ka edhe dashakeqas që e shohin oportune të vjellin vrer dhe ne si popull dihet që krijojmë probleme edhe pa i patur. Për produksionin e këngës është punuar me një ndër producentët më të mirë të kësaj rryme, Jim Lowe dhe këngës i janë lënë elementët më kryesorë sepse unë nuk mund të lejoja të ndodhte ndryshe.

Besoj që versioni ‘live’ do jetë një riprodhim i versionit final, por normalisht mendoj që emocioni do jetë më i përthithshëm nga publiku.

Për një artist që profesionin e ndërton në Shqipëri, Eurovizioni është pika më kulmore e karrierës së tij, por edhe një shpresë për të kapërcyer tregun shqiptar. E shihni si një mundësi? A është ky rasti juaj?

Normalisht është një mundësi e artë për të paraqitur artin në tregun ndërkombëtar, sepse ka goxha shikueshmëri dhe duhet shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme, gjithmonë varet pastaj nga ajo çfarë ti përcjell me artin tënd. E shoh më tepër si një provë nëse shijet e mia në kompozim i kalojnë kufijtë shqiptarë apo jo.

Sa ju përket përgatitjeve tashmë është përfunduar gjithçka? Jeni gati? Çfarë duhet të presim nga performanca në Lisbonë? Kush do t’ju shoqërojë në skenë? Kush do të kujdeset për imazhin tuaj?  

Ne skenë do jemi 6 persona, band së bashku me 2 back vocal-iste të mrekullueshme. Nuk mund të zbuloj më tepër.

Këngët pjesëmarrëse i keni dëgjuar? Keni ju ndonjë të preferuar?

Ka shumë materiale të bukura dhe bashkëkohore. Më pëlqen kënga e Belgjikës, Greqisë dhe Bullgarisë ndër të tjera.

 Po përshtypjet tuaja për këngët e shqiptarëve të tjerë (Ermal Meta dhe Eleni Furiera) që janë në garë cilat janë?

Të dyja shumë të veçanta në stilet e tyre. Anoj pak më tepër drejt stilit të kengës së Ermal Metës, sepse është pak më afër shijeve të mia muzikore, gjithsesi të dyja kanë origjinalitet.

Ia dedikon dikujt këtë arritje, apo do të doje të falenderoje dikë që të ka mbështetur gjatë kësaj kohe?

Partneres time, Andias, e cila ishte pikënisja e kësaj kënge, ka qenë gjithashtu më tepër se një krah i djathtë. Familjes time që më tejçuan emocionet e para pa të cilat kjo këngë nuk do ekzistonte.Falenderoj Ajola Xoxën për punën e palodhshme për klipin e mrekullueshëm që i bashkangjiti kësaj kënge. RTSH për mbështetjen e vazhdueshme si dhe Uran Radoniqin dhe Elvis Prenin që plotësojnë skuadrën që i jep këtij bashkëpunimi forcë.

Ëndrra juaj deri ku shkon në Eurovizon? Finalen apo është më ambicioze se kaq?

Ëndrra ime mbyllet pas performancës së parë në Eurovizion. Do doja shumë që gjithçka të shkonte siç duhet, gjithçka pas saj është jashtë ambicieve të mia të momentit.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF