KreuBordo Men

Lamberto Shtjefni, blogeri i parë shqiptar, që reklamon brande-t e huaja!

Ndonëse tendencën për t’u kthyer në blogere sa hap e mbyll sytë po e shohim tepër së fundmi, një tjetër emër shqiptar po avancon çdo herë e më shumë në këtë drejtim. Dhe nuk po flasim për ndonjë nga vajzat simpatike që njohin shumica, por për Lamberto Shtjefnin, shqiptarin që bashkëpunon me më shumë se 50 firma, një prej të cilave është edhe Daniel Wellington. Pak prezent në jetën e Tiranës, tejet aktiv në botën e blogerëve të huaj, Lamberto rrëfen ekskluzivisht për bordo.al si e nisi rrugëtimin në një fushë të tillë, cilën prej blogereve shqiptare ndjek, kush nga kolegët ndërkombëtar e frymëzon e shumëçka tjetër. Çdo detaj, i shpjeguar me pak fjalë në intervistën e mëposhtme!

Lamberto, je një nga blogerët e mirëfilltë shqiptar. Si lindi ideja? Si e nise? Sa kohë ke që je bërë pjesë e ‘industrisë së modës online’?
Nisi para 3 vitesh. Ndiqja në Instagram shumë të rinj të huaj dhe shikoja që bënin publicitet shumë produkteve dhe bëra dhe një analizë të situatës për të kuptuar si funksiononte. Në Shqipëri nuk ishte akoma e përhapur dhe duke pasur pasion modën dhe veshjen, pasi kuptova si funksiononte, e nisa dhe unë sepse e dija që ishte e ardhmja e marketingut.

Çfarë ke parasysh kur bën një foto? Sa e rëndësishme është mënyra e fotografimit?
Mundohem të jap maksimumin edhe pse kam shumë pak kohë, të bëj një foto sa më të mirë për të prezantuar produktin.

Me cilat brande punon?
Punoj me më shumë se 50 brands. Daniel Wellington, dhe shumë firma të tjera të huaja orash, rrobash, këpucësh etj.

Po në Tiranë?
Në Tiranë për momentin eksluzivisht me Italoptik.

A jetohet me blog në Shqipëri?
Nuk mendoj se me blog mund të jetohet në Shqipëri, pasi nuk e kuptojnë akoma rolin e influencerit dhe pse duhet të investojnë në këtë drejtim. Më kontaktojnë shumë firma dhe në Shqipëri, por ofrojnë produkte falas, nuk kanë buxhet. Është një frymë e re.

I ndjek blogeret shqiptare? Ke ndonjë të preferuar?
Me thënë të drejtën në Shqipëri ndjek vetëm Jonida Maliqin dhe Armina Mevlanin që i kam mikesha. Pastaj vetëm të huaj.

Po në botë kë pëlqen?
Në botë më pëlqen Mariano Di Vaio, Nick Bateman, Toni Mahfud dhe shumë të tjerë.

Si e mendon të ardhmen, a do kenë më tepër fuqi blogeret apo modelet? Pasi duket sikur ka filluar nje luftë mes tyre?
Për mendimin tim do kenë më fuqi blogeret. Sepse të jesh bloger je i pavarur, sepse shumica e blogerave që njoh punojnë vetëm, jo nëpër agjenci,  fitimin e marrin drejtpërdrejt ata,  dhe kontaktet i kanë drejtperdrejt po ata, gjë që me nëe kontratë me një agjenci nuk i ke këto benefite.

Je prezent në jetën e Tiranës si bloger? Ke ftesa të tilla?
Jo, në jetën e Tiranës jam pak prezent si bloger, sepse duke pasur më shumë kontakte jashtë  fokusi im është jashtë Shqipërisë.

Po jashtë Shqipërie? Çfarë planesh keni së afërmi?
Do jem pjesë e Milano Men’s Fashion Week në qershor dhe të shumë projekteve të tjera, që shumë shpejt do t’i merrni vesh.

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF