KreuCelebrity

Intervistë/ Xhino Musollari: Do guxoja shumë nëse do ja lija ekonominë time artit!

Nga Ilda Lumani

Xhino Musollari është një nga aktorët që spikati në tragjedinë Makbeth, një nga ngjarjet e fillim vitit artistik në Tiranë. Për mua ishte hera e parë që e shihja në skenë Xhinon dhe roli i vrasësit, interpretuar prej tij më ngacmoi. Plastika, loja, performanca e tij në tërësi ishin për t’u komplimentuar. Por, shqetësimi im teksa shoh aktorë të rinj mjaft të talentuar është sesi mund t’ia dalin ata në këtë realitet, kur në Teatrin Kombëtar nuk ka vende (aktorë me rrogë, në mos gaboj janë vetëm 30 vetë), e ashtu si edhe në teatrot e tjerë, – atë Eksperimental dhe Metropol, punohet vetëm me projekte! Xhino ashtu sikundër shokët e tij pret thirrjet e regjisorëve. Ndihet me fat, kur është i përzgjedhur. Dhe nuk e ka luksin, t’i thotë ‘JO’ asnjë ftese!

Xhino është diplomuar në vitin 2015 në Universitetin e Arteve “me pedagogun më brilant Alfred Trebicka”, e cilëson ai. Pas diplomimit ka interpretuar rolin e Klaudit në tragjedinë  “HAMLET” (Shakespeare), mandej Gennaro në “ Lukrecia Borgia” (V.Hugo), Dezzi tek “Armiq” (Sh.Gina) dhe personazhin e Gustav në “Dama me Kamelie” A.Dumas (I Riu). Këtë mars ai është përkëdhelur me fjalë, komplimente, përgëzime dhe honorarin për vrasësin në tragjedinë Makbeth…Ndërsa pasi të bjerë perdja e natës së fundit të kësaj shfaqjeje, Xhino, – i cili sikundër çdo aktor tjetër si ai nuk i ka varur financat tek aktrimi, i duhet të presë me sytë nga telefoni për thirrjen e rradhës së ndonjë regjisori!

Megjithatë, ai është optimist! Besimi në Zot dhe puna, siç rrëfen në këtë intervistë për Bordo janë shpresa e tij për të ardhmen!

Xhino, si e vlerëson pjesëmarrjen në shfaqjen Makbeth?

Pjesëmarrjen në Makbeth e çmoj si realizimin e një prej ëndrrave të mia skenike, për të cilën falenderoj regjisorin Kapexhiu dhe Teatrin Kombëtar. Raporti im me MAKBETHIN  e Shakespeare ka nisur kur ende nuk i kisha hyrë rrugës së artit dhe në koshiencën time gjithmonë flinte një dëshirë makbethiane. Për fat tanimë jam pjesë e kësaj ëndrre times dhe po punoj fort për t’i lënë vetes mbresa sa më të mira.

Po karakterin që interpretoni?

Në Makbethin e regjisorit Kled Kapexhiu luaj rolin e vrasësit. Sipas konceptit regjisorial personazhi im është pjellë e një magjie, e një profecie dhe përfaqëson “dorën” kriminale të pushteteve të kalbura. Unë, vrasësi, jam një zbatues i ftohtë i urdhërave makabre të Makbethit dhe ekzekutoj çdo rrezik që i kanoset fronit të tij. Dhe jam po ai individ i cili mbetet i paprekshëm dhe jeton në 3 lloje pushtetesh, Dunkanit, Makbethit dhe në pushtetin e Malkolmit. Këtë karakter e vlerësoj si një mundësi për të ndryshuar totalisht stilin e interpretimit qoftë emocionalisht ashtu edhe fizikisht, pasi personazhi është i gjymtuar, pra i kondicionuar fizikisht, dhe të lë hapësirë të madhe krijimi.

Çfarë komentesh keni marrë deri më tani?

Në çdo projekt timin përpiqem të jem falenderues në Zot për arritjet skenike. Thënë kjo, falë Zotit nga shumica e opinionit, modestisht e them, roli im i ka dhënë emocion dhe bukuri së gjithës, këtu gjej dhe rastin të falenderoj edhe partnerët e mi skenikë.

Për ju vetë ky është roli më i rëndësishëm që keni realizuar?

Si për çdo aktor edhe për mua rolet duhen të gjithë, por unë çmoj si rolin më të rëndësishëm, Gennaro Borgia në shfaqjen Lukrecia Borgia nën regjinë e Eric Vigner. E them këtë pasi ishte eksperienca ime e parë si protagonist në Teatrin Kombëtar, shtoj që ky rol është pjellë e thellësisë time shpirtërore, direktivave të maestro Vigner dhe e besimit.

Si ka qenë e ndërtuar karriera juaj si aktor!? Ke qenë selektiv në zgjedhjen e roleve, apo nuk i keni thënë Jo asnjë roli që ju është ofruar?

Për të qenë i sinqertë jam natyrë që nuk i them kurrë jo punës, përkundrazi më pëlqen të sfidoj në mënyrë të vazhdueshme veten time nëpërmjet teatrit. Në këtë sens deri më tani kam punuar çdo rol i cili më është besuar dhe përpiqem të përmirësohem në projektet pasuese. Deri më tani nuk kam refuzuar asnjë projekt.

A është e lehtë për një aktor të ri?

Mendoj që bota nuk më ka borxh asgjë, kështu është më pak e dhimbshme. Sigurisht për aktorët e rinj është tepër e vështirë, megjithatë jam natyrë që preferoj të punoj me veten edhe kur nuk kam projekt në mënyrë që kur momenti të vijë të jem gati. Asgjë nuk bëhet më e lehtë nëse mendojmë që është shumë e vështirë.

Kush i mbështet më shumë aktorët e rinj, regjisorët e rinj apo të vjetër?

Është një pyetje pak komplekse. Në optikën time të dy brezat e regjisorëve mbështesin, por kam bindjen që gjithçka po priret drejt së resë!

A jetohet lehtë sot si aktor?

Perderisa po jap përgjigje… Aktrimi nuk konsiston në vlerë monetare, mund të jesh i varfër por prapë jeton si artist në shpirt.

Burimi i të ardhurave tuaja është vetëm nga aktrimi?

Sigurisht që taksat e mia i përballoj me burime financiare që nuk kanë lidhje me artin.

E shihni pozitive të ardhmen në këtë drejtim?

Unë besoj në Zot, ndoshta ditën që do humbas këtë besim nuk do besoj më as në të ardhme. Besoj te puna, vullneti dhe tek modestia!

A ja vlen pasioni i madh dhe gjithë përkushtimi, kur financiarisht nuk shpërblehet?

Do guxoja shumë nëse do të mendoja t’ia lë në dorë ekonominë time artit dhe deri më tani nuk e kam bërë. Kam bindjen se pasioni ushqehet me stomakun plot!

Pas Makbethit, si mendoni se do të vijojë karriera juaj?

Pas Makbethit do të merrem me një angazhim tërësisht privat, skenik, si një dëshirë e hershme imja. Uroj që Makbeth të jetë një mundësi e mirë për mundësi të tjera.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF