KreuArt

Lorin Terezi, regjisori shqiptar krah emrave të njohur ndërkombëtar

Dhjetëra kilometrat e një filmi, e vetëm një hap drejt suksesit të regjisorit dhe skenaristit të talentuar, i cili përfaqëson kinemanë tonë në Festivalin NOVA

Rrugët tona me Lorinin kryqëzohen thuajse çdo ditë. Herë duke shkëmbyer urimet për një ditë të mbarë, ose duke e mbyllur atë në të njëjtën formë. Përtej buzëqeshjes dhe kortezisë së tij, asnjëherë nuk e mendoja, se fshihej një projekt kinematografik, i cili së fundmi u kthye në vëmendjen e publikut, si pjesë e një konkursi ndërkombëtar. Filmi “Tirana 100Km” u nominua në Festivalin e Filmit NOVA (North Virginia International Music & Film Festival) në kategorinë e filmit më të mirë të huaj me metrazh të shkurtër.

Teksa shoh listën e filmave, është moment krenarie e përligjur sesi ky produksion shqiptar qëndron krah atyre të njohura, mes tyre GunPoëder, ndaj puna e Lorin Terezit, jo vetëm që është kaq e dukshme dhe e vlerësuar, ç’ka reflekton haptazi shpërblimin për mundin. “Filmi qenka një rrugëtim shumë i gjatë, nga zgjedhja e subjektit, puna me skenarin dhe konkurimi në Qendrën e Filmit. Mundi dhe vështirësitë në fazën e xhirimit, probleme financiare, faza e postproduksionit. Pastaj ankthi i premierës. Ndaj lajme të tilla i japin kuptim çdo sakrifice. Jam në pritje dhe për festivale të tjerë”-rrëfen për Bordo Lorin Terezi, regjisor e skenarist i “Tirana 100KM”.

Edhe pse një produksion me metrazh të shkurtër, të ngjashëm që vitet e fundit janë rritur dukshëm në Shqipëri, garimi mes produksioneve ndërkombëtare, me buxhete shumë herë të mëdha, krahasuar me ato modeste Made in Albania, përligjin edhe përzgjedhjen e “Tirana 100KM”. Lorini shpjegon se numri i filmave që po prodhohen në Shqipëri është rritur ndjeshëm, dhe përveç vështirësive ka shumë kineastë të rinj. “Filmi i shkurtër është i destinuar për festivale dhe është rrugë e pashmangshme për filmin e gjatë. Në botë ka shumë Festivale për Filmin e shkurtër, mbase nuk janë Festivale të kategorisë A, por gjithsesi shumë të nevojshëm për të kuptuar më shumë rreth punës tënde dhe filmit në përgjithësi. Filmi i shkurtër qarkullon në shumë Festivale gjatë një viti. Edhe seleksionimi në një Festival për mua është vlerësim”-thekson ai.

 

Por, përtej faktit që “Tirana 100KM” është një produksion shqiptar, fati që ky film pati, lidhet fort me distribuimin e tij nga një kompani e huaj. Kjo për regjisorin e ri ishte një vlerësim që nga momenti kur një kompani distribucioni pranoi të marrë filmin e tij, seriozitetit i cili i jep peshë prezantimit të filmit, duke konfirmuar se është një film i mirë, ndryshe jo çdokush do të ofrohej për të bërë distribuimin.

Rritja e numrit të filmave me metrazh të shkutër, atyre me buxhet të vogël, e sidomos nga të rinj të taletuar si Lorini është një hap drejt produksioneve më serioze.

E kur vjen fjala për evente të tilla, një nga momentet më të bukura përveç pjesëmarrjes së filmit, është prania e regjisorëve, nga momenti i tapetit të kuq, deri tek ngjitja në skenë, çast që Lorin Terezi nuk do ketë fatin ta përjetojë. “Fatkeqësisht nuk do të jem në këtë eveniment. Lajmi i nominimit erdhi shumë vonë dhe nuk isha i përgatitur. Sigurisht që doja të isha por kam shumë angazhime këtu, që lidhen edhe me planet e mia në të ardhmen. Rëndësi ka që është filmi. Do të pres që këtej, shpresoj të kemi lajme të mira”-shprehet regjisori dhe skenaristi i “Tirana 100 KM”.

Brenda “Tirana 100KM”

Edhe pse kishte kohë që filmi po përflitej në media, me shumë gjasë, vëmendja ndaj këtij produksioni fatkeqësisht nuk ishte maksimale, edhe pse brenda “100KM”, pati një kast të mirë dhe një temë delikate dhe po aq aktuale. Lorin Terezi shpjegon për Bordo se filmi sjell një temë metropoli, një fenomen që ndodh shpesh në vendet në zhvillim, ku mes varfërsisë dhe pasurisë ka një boshllëk shumë të madh. Kjo sjell edhe devijime si ai që shohim në film, por edhe forma të tjera, ku njerëzit kërkojnë me çdo kusht të kapërcejnë statusin e tyre, për të përmirësuar jetesën e tyre. “Kur zhvilluam skenarin, nuk kishim parasysh temën pikante, apo efektin që mund të kishte në publik, kishim si synim të tregonim këtë segment të jetës të personazhit kryesor Lindës, sa më drejtë dhe pa mbajtur anën e askujt”-rrëfen skenaristi i filmit.

Në thelb “Tirana 100 KM” është produkt fantazie, çdo qasje me persona reale është krejt rastësore, por ama teksa sheh jetën e Lindës, kupton se aty sheh një realitet kaq të prekshëm të shoqërisë shqiptare.

Përtej temës, për ata që janë të dashuruar pas kinemasë, prania në këtë produksion i Ardian Cergës, një emër i njohur për filmin shqiptar të para viteve ‘90-të, si “Mësonjëtorja” apo “Në çdo stinë”, duket sa surprizë, por edhe një arsye bindëse për të kthyer në ekran, aktorë të kalibrit të tij. “Ishte shumë e rëndësishme që figura e biznesmenit të mos banalizohej me zgjedhje të paragjykuara dhe tipike në realitetin tonë. Duhej një biznesmen fisnik dhe rebel dhe ku më mirë se Ardian Cerga. Prania e tij i dha mjaft peshë filmit”-tregon regjisori dhe skenaristi i filmit. Ky i fundit, i besoi zgjedhjen e personazhin kryesor aktores Anila Balla, e cila sipas tij pati një debutim mjaft të mirë. “Më beso nuk është aspak e lehtë të ruash kontuinitetin në një dramë lotësh ku je prezente në çdo skenë. Dua të falenderoj për pjesëmarrjen në film dhe aktorin Kastriot Shehi që i dhuroi filmit një karakter pikant dhe aq të nevojshëm për dramaturgjinë”-përfundon regjisori Lorin Terezi.

 

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF