KreuBordo Men

Jon Kortajarena, historia e modelit 300 milion dollarësh!

Historia e djaloshit nga Bilbao në pasarelat botërore, duke thyer rekorde, jo vetëm me pamjen, por edhe fitimet që vijnë si imazh i markave të modës

Modelët meshkuj zakonisht nuk janë shumë të njohur në krahasim me koleget e tyre femra. Por Jon Kortajarena është padyshim një përjashtim. Portreti i tij supermashkullor është nga ato që mbetet gjatë në mendje, sepse është figura e cila nuk mungon kurrë në sfilatat e stilistëve të mëdhenj. Por ama ka shumë për të thënë edhe për jetën e tij personale, të ardhurat që e klasifikojnë në listën e modelëve më të paguar.

Dallon me veshjen e tij: me xhins, t-shirt dhe një palë çizme të bukura, si për të treguar se hapi i tij vlen jo vetëm në pasarelë. Është vetëm 32 vjeç, 188 centimetra, me një pamje sharmante që të lë pa fjalë.

Emri i Jon Kortajarena renditet gjithnjë në listën e sfilatave dhe fushatëve publicitare të disa prej emrave më të mëdhenj të botës: Versace, Armani, Dolce & Gabbana dhe Tom Ford, ishin pikërisht ata që e ndihmuan në formimin e ndjenjës së tij rreth stilit. Por ama ndikimin më të madh në jetë e ka pasur nga e ëma, e cila ka frymëzuar drejt botës së modës. “Kur mbusha 21 vjeç, mamaja e cila punonte si parukiere më dhuroi një orë Bulgari. Ky ishte si një pagëzim për jetën time”-kujton ai, ndërsa sot ka një koleksion të plotë me të gjitha orat dhe bizhuteritë e kësaj marke.

Fytyra e tij u zbulua gjatë pushimeve në Barcelonë kur shkoi për të parë një event modest mode. Një agjent mode e vuri re dhe e bindi të hynte në botën e modës. Vendosi të largohej nga vendlindja e tij, Bilbao, drejt pasarelave të Parisit. Në vitin 2004, në moshën 18 vjeç, Kortajarena u bë fytyra e Just Cavalli për fushatën e Pranverës. Po atë Vjeshtë, bëri debutimin e parë ndërkombëtar në javën e modës në Milano dhe Paris për Emporio Armani dhe John Galliano. Dy muaj më vonë, në Nju Jork, Stiven Meisel, e fotografoi për Versace. Ofertat e njëpasnjëshme erdhën nga Bottega Veneta, Dolce & Gabbana, Salvatore Ferragamo, Carolina Herrera, Giorgio Armani, John Galliano dhe Chanel.

Në vitin 2007 firmosi një kontratë me Guess, ndërsa fotografi Terry Richardson e fotografoi për Tom Ford krah Noah Mills, duke e klasifikuar ndër modelët më të mirë, aq sa vitin pasardhës, revista “The Officiel Hommes” i dedikoi 200 faqe për prezantimin e koleksionit Pranverë / Verë. Pak nga pak u kthye në imazhin e Tom Ford, një ikonë, një markë e cila shiste pafund, e si rrjedhim rriti të ardhurat e tij, derisa revista Forbes e renditi në vitin 2009 në listën e modelëve më të paguar. Revista GQ e shpalli modelin e vitit, ndërsa version spanjoll i Marie Claire i dha “Prix de la Moda”.

 

Vëmendja ndaj tij u rrit vitin që pasoi, kur H & M, True Trussardi dhe Esprit, e piketuan imazh të fushatave, ndërsa në vitin 2011 u përzgjodh si pjesë e reklamave nga Lacoste. Me një buxhet rekord prej 66 milionë dollarë nën sloganin “Unconventional Chic”, ai reklamoi këmishat e bardha, duke i dhuruar miliona dollarë. Roberto Cavalli i besoi sërish fytyrës së tij fushatën e ardhshme dhe hapjen e sfilatës Pranverë / Verë 2012 në Palazzo Serbelloni, ndërsa Peter Lindbergh e fotografoi për të tretën herë, tejet seksi në një format bardhë e zi.

Pjesë e profilit të tij, është edhe jeta private. Nuk e ka fshehur kurrë, lidhjen e tij me aktorin Luke Evans, me të cilin është shfaqur shpesh në publik, një histori dashurie e cila ka zgjatur shumë, por vetë Jon nuk ka dashur kurrë të flasë për të. Pas shumë bashkimesh dhe ndarjesh, së fundmi po përflitet për një martesë mes tyre, duke vulosur një raport i cili ka qenë shpesh pjesë e faqeve të para të mediave rozë.

E kur flitet për një Jon Kortajarena nuk mund të shmanget vlera e tij si model, e përkthyer në shifra. Sipas Forbes vetëm për vitin 2018 të ardhurat e tij nga reklamat dhe sfiltatat arrijnë 82 milionë dollarë, ndërsa pasuria e tij llogaritet 290 milion dollarë, duke e renditur prej 10 vitesh në listën e modelëve më të paguar, por edhe më seksi.

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF