Sonte është nata e Kadrit, çfarë duhet të bëni në këtë natë të bekuar? 0 4205

Nata e Kadrit është një ndër netët e bekuara të muajit Ramazan, e cila gjendet në dhjetëditëshin e fundit të tij. Ajo është një natë të cilën Zoti e ka përzgjedhur për ta mbushur me madhështi dhe mirësi të veçanta. Siç thuhet në Kuran, ajo është një natë më e vlefshme se njëmijë muaj, në të engjëjt e Zotit të kryesuar nga Xhebraili zbresin në dynja dhe në të përcaktohet fati i një viti për çdo njeri si edhe ajo është një natë e bereqetshme dhe mbizotëruar nga paqja deri në agim.

Pavarësisht rëndësisë së saj, është i mirënjohur fakti se nata e kadrit nuk është saktësisht e përcaktuar.

Nata Më e Vlefshme se Njëmijë Muaj

Ashtu siç thuhet edhe në përkthimin e sures Kadr, njoftohet se është “ Më e vlefshme se një mijë muaj pa natën e Kadrit brenda tyre”. Ky përgëzim hyjnor është aq i qartë dhe i fortë sa nuk lë vend për asnjë koment tjetër. Si rrjedhojë, kjo është edhe një argument për vlerën e lartë të kësaj nate. Profetit iu tregua mosha e njerëzve të popujve të ardhur para tij. I Dërguari i Zotit e pa mjaft të shkurtër jetën e popullit të tij në krahasim me të tjerëve. Ai mendoi se populli i tij nuk mund të kryente punë të mira sa popujt e tjerë për shkak të jetës së shkurtër. Më pas Allahu i Madhëruar i dhuroi atij Natën e Kadrit që është më e vlefshme se një mijë muaj. Njëmijë muaj, janë të barabartë me 83 vite e katër muaj. Kjo natë është më e mirë se një jetë e gjatë e jetuar nga njeriu, një jetë e afërt me një shekull.

Në këtë natë, zbresin engjwjt e rahmetit, mirësisë dhe bereqetit, në këtë natë valëvitet paqja deri në agim.

Përse quhet Nata e Kadrit?

Sipas fjalorit të famshëm Ekrabul Mevarid, fjala Kadr قدر mbart këto kuptime: Vlerë e një sendi, fuqi, cilësi, kohë apo afat i caktuar për një çështje, urdhër, dekret, pushtet, nderim, ide etj. Sipas haditheve, në këtë natë vendoset risku, fati, begatia, afatet dhe planet e Zotit mbi tokë. Engjëjt shënojnë për caktimin e çështjeve për vitin e ardhshëm

Përse është e fshehur Nata e Kadrit?

Përse ajo është mbajtur e fshehur nga besimtarët dhe përse ata janë porositur ta kërkojnë atë në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit? Sepse, duke mos e përcaktuar atë, Zoti me anë të mëshirës së Tij, kërkon që besimtarët të tregojnë qëndrueshmëri në adhurimet, lutjet dhe sakrificat e tyre, dhe të shtojnë përpjekje për të fituar mirësinë dhe shpërblimin prej Tij. Në këtë mënyrë, shkruan islami.al, Zoti dallon robërit e Tij të sinqertë të cilët garojnë me njëri-tjetrin për vepra të mira, prej atyre që ndjekin verbërisht disa tradita dhe u binden interesave të tyre. Nëse të gjithë do të dinin, me përpikëri, se kur do të binte Nata e Kadrit, ata nuk do të prisnin Ramazanin me të njëjtin entuziazëm e gatishmëri.

Previous ArticleNext Article