KreuBusull

GJËRAT PO NDRYSHOJNË…

 Nga Blendi Salaj

Mbaj mend, kur isha i vogël sesa shumë doja të kishim patur dhe ne një telefon në shtëpi, siç kishin fqinjët tanë. Ishte një mjet magjik në ngjyrë të zezë që qëndronte rëndë mbi një mobilje në korridorin e apartamentit të tyre. Numrat ishin të vendosur në një disk që rrotullohej rreth boshtit. Fusje gishtin në numrin që doje të formoje, e rrotulloje diskun në sens kundërorar dhe pastaj e lëshoje të shkonte në vend me një zhurmë të çuditshme. Pas katër shifrash, binte zilja, dhe një zë kumbonte “Alo!” dhe kjo ishte e pabesueshme! Kjo lidhje që ndodhte me dikë diku larg që i përgjigjej telefonit, na hutonte, na dukej një mrekulli teknologjike, edhe pse telefoni, në vitet ’80 e kishte kaluar 100 vjetorin e shpikjes. Doja shumë ta kishim patur një telefon në shtëpi, që të flisnim me dikë larg, por s’mundnim, telefoni ishte për ato familje që gëzonin njëfarë pozite, ishte një privilegj. Dhe ja ku jemi sot, të dashur lexues, që me gjasa jeni duke i lexuar këto rreshta përmes telefonit tuaj personal, të brezit të fundit shpresoj :).

Kemi bërë disa hapa tepër të rëndësishëm në Shqipëri, dhe i kemi bërë ata cilësisht, ndoshta sepse, edhe pse teknologjisht ishim të prapambetur deri në vitet ‘90, dëshirën për komunikim e kemi patur gjithnjë të fortë. Mund të duket e vështirë të besohet, por nga vendi që kishte (apo s’kishte) një telefon për çdo pallat (dhe këtu po flas vetëm për Tiranën), tek të qenit sot njëri ndër vendet e lidhur fort me internetin.

 Çdo shqiptar i rritur e ka një telefon celular, dhe telefonatat me “Alo?!” që unë ëndërroja dikur janë vetëm një ndër funksionet e shumtë që celularët e sotëm ofrojnë. Sot i përdorim për të parë të dashurit tanë në kohë reale, për t’iu buzëqeshur përballë pavarësisht sa kilometra larg ndodhen. I përdorim si album fotosh, kompjuter personal, aparat fotografik apo mjet për të kontrolluar trafikun në mëngjes. Unë përdor aplikacionin “Tirana Ime”, të zhvilluar nga Vodafone Albania, për të dhënë informacione mbi situatën në rrugët në kohë reale gjatë programit të radios. Personalisht unë e përdor telefonin edhe si bllok shënimesh, si diktofon për të regjistruar zëra, si album fotosh, axhendë takimesh, databazë kontaktesh, radio, tv dhe gazetë sëbashku por më shumë më pëlqen kur e përdor si hartë e busull për të zbuluar qytete të panjohur.

Paketa e komunikimit që kam me Vodafone më lejon ta përdor telefonin jashtë vendit, njësoj si në Shqipëri, dhe më pëlqen që kur shkoj në një qytet ku nuk kam qënë kurrë më parë të përdor telefonin për të zbuluar çfarë është interesante dhe pastaj për të gjetur mënyrën si të shkoj deri atje, i vetëm, me telefonin në dorë. Kështu dua që të jenë, në këtë mënyrë. Përvojat e mia të para në një vend të ri janë të miat, dhe jo guida nga të tjerë. Tani e kam telefonin që kisha ëndërruar, vetëm se, nga ai sendi magjik në korridorin e apartamentit të fqinjëve, tani është një mjet i cili sa vjen e po bëhet më efikas dhe më praktik në të përditshmen tonë. Përmes telefonit bëjmë edhe pagesat e domosdoshme, ja përshembull edhe atehere kur jemi në nxitim e s’kemi kohë, e zgjidhim pagesën e parkimit vetëm me një SMS përmës shërbimit “M- Parking” , etj.

Telefoni tani lidhet me televizorin, do të lidhet me makinën, me orën në duart e fëmijës, me frigoriferin, dritat, dhe me shumë objekte të tjera, për të qenë më të qetë e më të sigurtë për gjithçka..

Me telefonin me vete jemi më të sigurtë, më pranë njëri-tjetrit në një botë ku interneti i gjërave, kjo lidhje fantastiko-shkencore e objekteve shtëpiake apo të transportit në një rrjet gjigand informacioni, avancon nga imagjinata në realitet me një ritëm këmbëngulës. Dhe ne jemi këtu, duke parë sesi bota jonë ndryshon rreth nesh përmes teknologjisë, duke na ndryshuar dhe ne në punë e sipër, në mënyrën si jetojmë, lidhemi, mendojmë dhe ndjejmë.

 E ardhmja po sjell një revolucion të vërtetë me teknologjinë që do të na ndihmojë të punojmë, do na argëtojë, lidhë edhe më shumë me njëri -tjetrin por gjithashtu do të monitorojë shëndetin tonë, sigurinë e gjithçka midis. Dhe falë pasionit që kemi për të renë dhe përkushtimit të kompanive si Vodafone, kësaj rradhe ne do të jemi në kohë.

  

                                                                                          ***

Tags:

Home Busull

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF