2 maska në kushtet e shtëpisë për të shpëtuar nga flokët e thatë! 0 304

Të gjithë i ëndërrojnë flokët e mëndafshtë, me shkëlqim që krihen lehtësisht. Fatkeqësisht jo të gjitha mund ta arrijmë këtë gjë. Disa nga ne kanë probleme me flokët e thatë dhe nuk është çudi që edhe në verë të kemi flokë të thatë. Dielli than dhe dëmton fijen e flokut kështu që kujdes kur shkoni në plazh. Nëse nuk mund t’i mbroni flokët gjatë kohës që bëni banjo dielli të paktën kujdesuni për ta kur të shkoni në shtëpi.

Duke marr shkas nga ky problem vendosëm t’ju sjellim dy maska që mund t’i përgatisni në shtëpi pa shumë mundim dhe pa shpenzime. Me siguri diçka do të përfitoni.

Maskë me vaj ulliri dhe majonezë

Vaji i ullirit dhe majoneza janë një kombinim i shkëlqyer kundër flokëve të thatë. E di, kur mendon të vendosësh majonezën në flokë të duket sikur po tallen, por provojeni dhe do të na besoni.

2 lugë gjelle vaj ulliri dhe gjysmë kupe majonezë duhen për këtë recetë. Hidhni majonezë në një enë dhe shtojini vajin e ullirit. Pasi t’i përzieni majoneza duhet të jetë bërë më e lëngshme sesa është në gjendje normale. Më pas aplikojeni në flokët tuaj duke u përqendruar në majat e flokut që gjithmonë kanë nevojë për më shumë hidratim. Lëreni maskën në flokë për 2 orë ose më tepër nëse mundeni dhe më pas lani flokët siç bëni zakonisht.

Majoneza është plot më proteina, yndyrna dhe aminoacide, të cilat ndihmojnë shumë flokët e thatë dhe të elektrizuar duke i bërë ata më të fortë dhe më të butë.

Trajtim me të bardhën e vezës

Vezët nuk janë të mrekullueshme vetëm për t’u ngrënë, ato janë fantastike edhe për flokët e dëmtuar. Për të pasur flokë më të butë ju duhen 2 vezë të mëdha dhe një lugë gjelle vaj sipas preferencës. Për këtë maskë ju duhen vetëm të bardhat e vezës kështu që fillimisht ndani të verdhën nga e bardha në një enë. Më tej, shtoni vajin dhe me një pirun rrihni vezën sëbashku me vajin. Me një furçë që e përdorni për të lyer flokët aplikoni përzierjen mbi të gjithë gjatësinë e flokut pa lënë pas dore edhe rrënjën. Mund të zgjidhni ta aplikoni përzierjen në flokë të lagur ose të thatë. Maskën mbajeni për një orë.

Proteinat që përmban veza do t’ju ndihmojnë të rigjallëroni flokët ndërkohë që vaji do t’i lërë të mëndafshtë. Ju rekomandojmë të shpëlani flokët me ujë të vakët, jo shumë të nxehtë dhe me pas të përdorni shampon tuaj të zakonshme. Për të larguar erën e vezës, pasi keni përdorur shampon mund të bëni një shpëlarje me uthull molle.

 

 

Previous ArticleNext Article