KreuCelebrity

Intervistë/ Eni Shehu: Ju rrëfej sekretet e kësaj vere!

Nuk e di nëse ju e keni bërë gati valixhen për të rendur drejt Jugut, por ai po, ai është gati për të gjashtin vit radhazi, që të na e sjellë bregdetin e magjishëm të Jonit nëpër shtëpitë tona. Eni Shehu, moderatori i “Edicioni Veror” në Abc News, sëbashku me dy gazetaret e tij do të ‘ndezin motorët’ më 16 Korrik dhe do të gërrmojnë çdo skutë të rivierës, sepse Jugu nuk është vetëm Jali dhe Dhërmiu, ndaj guida turistike për të gjithë ju që ende s’e keni ndarë mendjen për pushimet do të jetë Eni, i cili do të na rrëfeje ditëve të nxehta të verës të gjitha sekretet e Jugut, që shumë prej nesh as që e dime se egzistojnë. Në një intervistë për bordo.al i zoti i shtëpisë së “Edicionit Veror” na ka zbuluar disa detaje rreth realizimit të këtij programi, vështirësitë e një transmetimi live çdo ditë në temperatura të larta, strategjinë e suksesit të tij, si dhe si e sheh ai konkurrencën në një kohë ku, ndryshe nga vitet e tjera, këtë verë ekrani i Abc News nuk është i vetmi që ka një program vere…

Përshëndetje Eni. I ke bërë gati valixhet për t’u shpërngulur në Jug?

Është java e fundit e përgatitjeve përpara se të zhvendosem dhe me thënë të drejtën, nëse për shumë nga ata që udhëtojnë, bezdia më e madhe është bërja e valixheve, për mua mbetet një nga kënaqësitë më të mëdha të kësaj eksperience televizive. Prej 4 vitesh kam sponsor adidasin dhe gjithë garderobën time të verës ma mbulojnë ata. Kështu që e kam shumë të thjeshtë “valixhen”. Gjithë koleksionin e verës e kam bërë timin dhe thjesht pres të shkoj ta sistemoj, nga makina në rezidencën në “Drymades Inn”.

Nëse s’gaboj, vjet pasi përfundove sezonin e 5-të të ‘Edicionit Veror’ je shprehur se nuk do ta bësh më atë program, duke e cilësuar si kapitull të mbyllur. Çfarë ndodhi që u rihap kapitulli?

Po, ishte një vendim për të mbyllur një kapitull si gazetar në Abc News dhe ashtu ndodhi, pasi gjatë vitit drejtova “Jo vetëm modë” në Klan. Rikthimi në Abc është i përkohshëm, për një projekt që tashmë mban vulën time.

Çfarë do të ketë ndryshe këtë sezon, programi i verës në Abc News?

Jam shumë i emocionuar për zgjedhjet që kam bërë. Këtë sezon do marr me vete një gazetare të re, e cila duket shumë e etur për të zbuluar nga fillimi gjithë rivierën dhe një bloggere udhëtimesh e cila e ka eksploruar jugun dhe di çfarë t’u sugjerojë shikuesve. Kombinimi duket fantastik dhe besoj se mbulon 360 gradë misionin e programit.

Në 5 vite “Edicioni i verës” duket se është kthyer në një guidë turistike, duke  na njohur me bukuri të natyrës shqiptare që shumë prej nesh ndoshta dhe nuk i njihnin. Këtë vit do jetë e njëjta formulë?

E vërteta është që nuk kemi lënë zonë pa prekur, shtëpi pa vizituar, site historike, kisha, plazhe të virgjër, gjire pafund. Kemi sugjeruar aktivitete; sporte uji, toke, ajri. Gjithashtu kemi dhënë këshilla për akomodimin. Mendoj që për këto kanë nevojë ndjekësit, ata që s’e kanë ndarë ende mëndjen për pushimet. Në këtë kuptim, formula duket brilante, pasi nuk gjen kollaj guidën më të mirë të verës dhe mbi të gjitha pa para.

Duke qenë një transmetim live dhe shumë larg televizionit, në një studio të imporiovizuar në natyrë, me siguri ju kanë ndodhur të papritura p.sh duke mos ardhur i ftuari, apo probleme të tjera teknike. Mund të ndash me ne ndonjë rast të tillë, dhe si ke dalë nga situata?

Janë kalimtare. Shiu në plazh është shumë bukur por aparturat nuk e durojnë dot dhe ndonjëherë na ka prishur punë. Të ftuarit janë treguar gjithnjë korrektë, duke patur parasysh që ndoshta i kemi “prishur” pak pushimet.

Për një publik të gjerë që ndoshta nuk e di mirëfilli se si funksionin televizioni, mendojnë se ti bën alamet qejfi. Si realizohet një puntatë (sigurisht pa na zbuluar sekretet profesionale :P)

Nuk është e lehtë. Njerzit shkojnë në plazh për qejf dhe në fund të ditës plasen në divan dhe nuk kanë fuqi të lëvizin. Imagjino tani që në atë diell të fortë duhet të punosh; pra të xhirosh, intervista, të montosh, të bëhesh gati për transmetim direkt. Por, ajo që mua më “shplodh” është pikërisht reagimi i publikut që nuk perceptojnë asgjë nga lodhja apo streset e prapaskenës. Përkundrazi, ata e shijojnë dhe kjo më duket arritja më e madhe.

Ndryshe nga vitet e tjera, që ekrani i Abc News ishte i vetmi që ofronte një program ’live’ në verë, Top Channel p.sh duket se ka vendosur t’ju konkurrojë këtë verë?

Po pra, e çuditshme. Disa vite më parë, verën e konsideronin si “periudhë të vdekur” për sa i takon audiencës. Dhe me gjithë modestinë, duket se “Edicioni Veror” i ka frymëzuar që këtë vit të bëjnë programe të ngjashme me timin. Sidoqoftë, për të qenë i sinqertë deri në fund, ndonëse formula duhet mbajtur e fshehtë, më duhet të pranoj se suksesin “Edicioni Veror” e ka tek transmetimi direkt, çdo ditë të javës pa pushim. Pra, pasqyrimi në kohë reale i gjithë aktiviteteve dhe gjithçka ndodh live, kudo nëpër pikat turistike të jugut. Me sa di, programet që flitet se do të fillojnë, janë të regjistruara përpara sezonit veror. Në këtë kuptim, nuk besoj se ka vend për konkurencë.

Edhe aty me plazh dhe me VIP-a kemi dëgjuar që do të jetë programi!

Vipat që vijnë në “Edicionin Veror” janë në funksion të programit. Pra, nëse qëllon që një personazh është në jug dhe pranon të intervistohet, fokusi i rrëfimit të tij është pikërisht tek eksperienca apo sugjerimet e tij për plazhin, për pushimet. Dua që gjithë hapsira e “Edicionit Veror” të jetë promovimi i turizmit. Kaq gjë duhet ta bëjnë VIP-at për pasurinë e përbashkët, mendoj!

Meqë jemi në Top Channel. Si reagon kur sheh që të imitojnë në Portokalli?

Me thënë të drejtën kam parë vetëm skeçin e parë dhe kam qesh me lot. Rezarti është një aktor i paparë, gjithashtu dhe Flori që ka kapur thelbin e personazhit në tekst dhe situatën që ka ndërtuar. Nuk di, po mendoj ta marr Rezin si dublant gjatë verës, ndonjë ditë kur do kem nevojë për pushim (Qesh)

Rezi, aktori që bën Enin në Portokalli, duket ndonjëherë që është i dehur. Të ka ndodhur të kesh kthyer disa gota para se të dalësh në transmetim live?

Atëherë, për njerzit që më njohin e dinë që nuk e preferoj alkoolin. Në emision dal gjithmonë esëll po me sa duket, doza e diellit të ditës bën të vetën (Qesh)

 

 

 

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF