KreuCelebrity

Marrëdhënie e fortë në çift? Arditi, Ermali, Enada, Flori, Marçela kanë një recetë!

Të gjithëve do të na pëlqente ta kishim atë recetën magjike ‘se si të funksionojë më mirë marrëdhënia në çift’.

Mos më thoni që nuk keni shfletuar asnjëherë ndonjë revistë, apo ndonjë faqe nterneti në të cilën renditen disa këshilla për t’ju ardhur në ndihmë për të përmirësuar marrëdhënien tuaj me partnerin, sepse me siguri e keni bërë. Por e kishit menduar ndonjëherë, që të ndash të njëjtin ambient pune, shërben edhe si ‘çelës’ për një lidhje të fortë dhe të shëndetshme?! E di që shumë prej jush, mund të mendojnë se kjo do të çonte në konsumimin e lidhjes, por mesa duket studimet e fundit tregojnë krejt të kundërtën.

Të ndash të njëjtin ambient pune me partnerin, bën që ti ta njohësh atë në situata të ndryshme, duke u bërë krah tij në mënyrë që vështirësitë që dalin gjatë punës, t’i përballoni bashkë. Fundja, kush e njeh atë më mirë se ti?! Megjithatë ne nuk do të mbetemi vetëm tek studimet që e tregojnë këtë fakt, por kemi menduar t’ju sjellim edhe disa raste konkrete të çifteve të famshëm shqiptarë, të cilët punojnë së bashku dhe kanë kaluar dekada, që kur atyre u ka rrahur zemra për njëri- tjetrin, e sigurish u rreh ende sot, ndoshta edhe më fort.

Anila dhe Ardit Gjebrea

Anila dhe Ardit Gjebrea, punojnë së bashku në programin “E Diela Shqiptare”. Nëse Gjebrea është një ndër personazhet më të dashur të televizionit, mos harroni që pas kuintave qëndron gjysma e tij më e mirë Anila, të cilën ai e ka cilësuar si “thembra e Akilit” për Arditin, si në punë ashtu edhe në jetë. Çifti Gjebrea jeton një lidhje shumë të bukur dashurie, nga e cila kanë ardhur në jetë edhe dy fëmijët e tyre, Joni dhe Ana.

Marçela Lati dhe Armand Peza

Marçela Lati dhe Armand Peza kanë rrëfyer se që në fillim të lidhjes së tyre ata kanë punuar bashkë, në biznesin e fustaneve të nuses që Mandi hapi plot dy dekada më parë. Dhe që atëherë, puna që ata bëjnë, duket se nuk funksionin pa njërin, apo pa tjetrin, duke u identifikuar kështu si biznesi i Mandit dhe Marçelës. Me siguri shumë i pyesin: Ej, po nuk u mërzitët bashkë 24 orë?! Përgjigja është shumë e thjeshtë. Mjafton t’ju kujtojmë që para pak muajsh ata festuan 20-vjetorin e lidhjes së tyre. Urime!

Amarda Toska dhe Ermal Mamaqi

Amarda Toska dhe Ermal Mamaqi, u dashuruan më shumë se 10 vite më parë, kur ndanin pikërisht të njëjtin ambient pune, atë të spektaklit “Portokalli”. Mesa duket kimia e tyre, nuk ka qenë vetëm në aspektin e ndjenjave, por edhe në atë të sipëmarrjes, duke bërë që të jenë një skuadër shumë e mirë edhe në punë.

Enada Hoxha dhe Gerd Vaso

Nëse ka një çift që janë partner në skenë, por dhe në jetë, ata janë padyshim Enada dhe Gerdi. Vështirë se mund t’i mendojmë balerinët e famshëm në krahët e dikujt tjetër (në anën profesionale e kemi fjalën, se në atë personale jo e jo ? ) Janë njohur herët, në provat e baletit, kur të dy ishin në fillim të karrieës së tyre, më shumë se 20 vite më parë. Dhe duket se të qenurit në të njëjtin ambient pune, e ka ndihmuar shumë çiftin, për t’u bërë në profesionistët që ata janë sot.

Renisa Shabani dhe Florian Agalliu

Flori ka shefe pikërisht bashkëshorten e tij, Renisën. Pra ata ndajnë të njëjtin ambient pune në emisionin “Në shtëpinë tonë”, edhe pse vetëm prej disa muajsh. Në një intervistë të dhënë së fundmi për “BORDO”, aktori pohoi se ky lloj bashkëpunimi ka qenë shumë komod, duke u sjellë si kolegë, në punë dhe si bashkëshortë në shtëpi.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF