Yogurteria në duart e femrës! 0 348

Alketa Zyfi është një shembull frymëzimi për idetë, pasionin, përkushtimin, energjinë dhe përkrahjen që i bën brezit të ri. Dikur teksa studionte jashtë Shqipërisë dhe punonte në një yogurteri, ndoshta nuk e kishte parashikuar suksesin që do të kishte në vendin e saj, por ama indicion e kishte marrë. Sapo mbërriti, sëbashku me partnerin e saj i dha jetë një biznesi të vogël në dukje, por mjaft të shëndetshëm siç është Yogurteria. Kështu në 2012 në zonën e ish-bllokut u çel Yogurteria e parë, një nga destinacionet që vijon të jetë trend nga çdo moshë!

Sot, Alketa, bashkëshorte e përkushtuar, nënë e dy fëmijëve një djali 3 vjeçar dhe një vajze 1 vjeçe, e ka shtrirë zinxhirin e dyqaneve të Yogurterisë në 6 të tillë (ish-Bllok, Qendrat Tregtare Teg dhe Toptani, Rr. e Elbasanit, Sheshi Skënderbej dhe së fundmi edhe në Kompleksin Lura, në Gjirin e Lalsit). Ndërsa ka të punësuara mbi 20 vajza të reja, shumica studente. Ajo ndan me Bordo këtë eksperiencë të mrekullueshme e mjaft motivuese!

Alketa, si ka nisur gjithçka me Yogurterinë?

Yogurteria është hapur në vitin 2012, duke qenë i pari biznes i këtij lloji në Shqipëri. Një ide e huazuar nga Italia, por e përshtatur me mentalitetin e klientit në Shqipëri. Ne mundohemi të sjellim një produkt të një cilësie shumë të lartë, por që lënda bazë është produkt shqiptar bio qumësht dhe kos i freskët shqiptar.

Aktualisht kemi 6 pika, një në bllok, një tek rruga e Elbasanit përballë me Ambasadën Amerikane, dy në qendrat tregtare më të mëdha në Shqipëri, Toptani Shopping Center dhe TEG, gjatë verës jemi në sheshin Skënderbej, si dhe qendra më e re e çelur së fundmi është në Kompleksin Lura, në Gjirin e Lalsit.

Ju jeni femër, drejtoni tashmë prej 6 vitesh këtë biznes, është synimi juaj që të ketë fytyrë femërore ky biznes?

Patjetër që po! Unë vetë kam studiuar jashtë shtetit dhe të gjitha vitet dhe të gjithë shkollën time e kam paguar vetë duke punuar. Pra, krahas studimeve kam punuar edhe të gjitha llojet e punëve jashtë shtetit dhe një prej tyre ka qenë dhe Yogurteria. Sa herë që më duhej që të ndërroja punën gjithmonë ndieja këtë paragjykimin që je vajzë, dhe që je e re… Për të mos thënë që ishte edhe pjesa që je e huaj. Kur fillova të punoja në Shqipëri fillimisht punoja vetëm me bashkëshortin, më pas me zhvillimin e biznesit dhe me rritjen e klientelës pamë që kishim nevojë për mbështetje. Por, në 2012-ën ishte shumë pak e zakonshme që të shikoje vajza që ishin kamariere apo vajza që të shërbenin në tavolinë dhe për këtë arsye kur filloja të kërkoja punëtore ose staf nuk e vura kamariere sepse ishte ai paragjykimi por e vura kërkojmë shitëse. Që këtu lindi ideja e zhvillimit të një biznesi self-service që ti vjen dhe e krijon dhe e zgjedh vetë shijen ose shijet që preferon t’i hedhësh Yogurtit. Patëm tepër interes nga vajzat dhe e konstatuam që ishte mjaft komode që t’i thoshe jam shitëse, sesa jam kamariere. Me kalimin e kohës pastaj duke u futur edhe shumë biznese të tjera që punonin me shërbimin e vajzave me self-service, u bë edhe më e pranueshme nga mentaliteti.

Çfarë kriteresh duhet të ketë një vajzë që të punojë në Yogurteri?

Duke qenë se e përzgjedh vetë stafin kam disa pika që i kam si kryesore; duhet të jenë vajza të reja, të jenë mundësisht studente dhe që e kanë si eksperiencë të parë pune.

Përse?

Sepse është një punë që pak a shumë unë e formoj vetë punonjësin. Unë ja mësoj vetë profesionin sepse është edhe një gjë e re në treg. Është gjë unike, nuk është se ka të tjerë.

Nuk e shihni si nevojë eksperiencën?

Jo nuk është prioritet. Për mua prioritet është dëshira për punë, respekti dhe bashkëjetesa në grup.Veçanërisht nuk i kam qejf individualistët, kam qejf ata që punojnë të gjithë bashkë në grup dhe bashkëpunojnë.

Kanë interes të rinjtë të punojnë në këtë drejtim? Është e vështirë të gjesh punëtorë?

Duke qenë se është eksperiencë e parë për to, unë mendoj se i ndihmon shumë. I ndihmon shumë në komunikim, në të punuarit në grup, në eleminimin e komplekseve që zakonisht i kanë vajzat shqiptare, këtë pjesën e delikatesës; – janë pak të egra në komunikim. Por, komunikimi është i pari, sepse përballë ke klientë të ndryshëm, të kategorive dhe të moshave të ndryshme. Kështu ato kalojnë pjesën e kompleksit dhe nuk kanë më pengesa se me kë përballen. Ato e kuptojnë që çdo njeri përballë tyre është klient i barabartë, qoftë nga mosha apo profesioni, ai është klient dhe kjo të ndihmon shumë edhe për të krijuar profilin e një profesioni të ardhshëm, pasi shumica e vajzave që punojnë këtu janë të gjitha studente që me këtë rrogë paguajnë edhe ato shkollimin e tyre. Kjo i përgatit ato edhe për punën e së nesërmes edhe për komunikimin.

Alketa, ju jeni bashkëshorte dhe nënë e dy fëmijëve. Është e lehtë për një femër në Shqipëri të jetë një nënë dhe bashkëshorte e përkushtuar, por edhe një sipërmarrëse e suksesshme?

Është shumë e vështirë por është edhe gjë e bukur sepse unë shikoj ndryshimin. Shikoj veten time para 6 vitesh, një vajzë e re studente e sapo kthyer nga jashtë shtetit, kurse tani pas 6 vitesh jam një nënë e dy fëmijëve, një vajzë dhe një djalë që më lodhin dhe në të njëjtën kohë më japin një lumturi të pamasë dhe jam grua që kam rreth 20 punonjëse dhe goca që më duken si fëmijët e mi dhe të gjitha më duken sikur janë pjesë e familjes sime, hallet e tyre bëhen edhe hallet e mia, dhe gëzimet e tyre dhe ditëlindjet e tyre bëhen edhe të miat.

Dita juaj është sa në një Yogurteri në tjetrën?

Po, po dhe në qoftë se nuk jam fizikisht jam gjithë kohës në telefon me kamera. Kjo është pjesa kryesore që më heq shumë kohë nga fëmijët e mi sado që dua që të jem prezente dhe të mos humb asnjë moment të tyre, është thuajse e pamundur. Duhet të heq dorë në njëfarë mënyre nga shumë kujtime e nga shumë gjëra të fëmijëve, sepse duhet të përkushtohesh barazisht në të gjitha.

Përsa i përket biznesit, sa është zhvilluar Yogurteria që nga fillimi? Me sa shihet janë pasuruar shijet, më thatë që keni filluar t’i bëni vetë reçelrat…

Yogurteria është si një fëmijë i vogël që ne e kemi marrë nga një dyqan 20 m2 dhe jemi munduar që ta zhvillojmë gjithmonë dhe nuk kemi ndenjur asnjëherë në një vend. Ne gjithmonë zhvillohemi dhe në të gjitha dyqanet që hapim mundohemi që të fusim produkte të reja ose që çdo dyqani t’i krijojmë një karakter të ri .

Për sa i përket shijeve, çdo vit ndjekim panaire të ndryshëm që zhvillohen në Itali për pastiçeritë dhe gelateritë. Shkojmë çdo vit, më tepër për të krijuar shije të reja, për të zgjedhur e për t’i ofruar tregut gjëra të reja, por ajo që ne na favorizon shumë është ajo që ka Shqipëria, frutat e freskëta dhe reçelrat që mund të përftohen. Herë pas here në sezone ose më mirë në muaj të ndryshëm jemi lidhur me furnizuesit e frutave per te patur produkte optimale. Në Korçë për shembull marrim qershinë dhe vishnjen.

Në të ardhmen çfarë objektivash keni?

Ne aktualisht po punojmë me projektin e franchising, duke qenë se kërkesa për të hapur Yogurteri nëpër rrethe sidomos afër plazhit është shumë e madhe. Ne po mundohemi të jemi atje, sikundër kemi filluar në Gjirin e Lalsit. Mandej synim janë edhe Kosova e Mali i Zi. Po mundohemi të krijojmë një paketë franchising të përshtatshme të tillë që të mund të ruajmë të gjitha vlerat ose recetën bazë e cila aktualisht bëhet vetëm nga unë dhe bashkëshorti im, dmth të arrijmë ta ruajmë këtë cilësi dhe shërbimi të jetë gjithashtu gjithmonë sipas modelit të Yogurterisë nënë në Tiranë.

Rasti i parë ky që merret franchising një dyqan i një biznesi Shqiptar në pjesën e ushqimeve dhe ëmbëlsirave?

Po kam përshtypjen që po sepse si produkt, në Shqipëri ne jemi të vetmit që e kemi yogurterinë dhe të gjithë turistët nga Kosova apo nga Mali i Zi dhe Maqedonia, vijnë dhe e shikojnë nëpër qendra tregtare si një gjë shumë të veçantë, si një gjë të re që nuk e kanë parë në vendet e tyre edhe plus lidhja që ka me emrin Yogurteria Tirana.

Kjo është goxha arritje!

Ne kemi shumë kërkesa dhe aktualisht e kemi shumë të realizueshëm si projekt, është vetëm proçedura e dokumentacionit!

Partneritetin e keni kriter që duhet të jetë femër?

Do të ishtë shumë shumë e bukur që të ishte i tillë, por unë nuk e kam problem faktin cili është pronari, problemi im është që ato që do të punojnë në atë projekt të jenë vajza, sepse kjo është karakteristika kryesore e biznesit tim.

 

Previous ArticleNext Article