KreuCelebrity

Intervistë/ Turjan Hysko: S’keni parë asgjë akoma!

Nuk funksionon dot pa sfida, monotonia e tremb dhe gjithmonë e vë veten përballë qëllimesh, të cilat pavarësisht vështirësive do të përmbushen me patjetër. Turjan Hysko shumë shpejt vjen me sfidën më të madhe të jetës së tij, për të cilën për momentin preferon të mos ndajë detaje, por premton një sezon krejt ndryshe në Klan Plus, ekranin e ri  ku ai do të shfaqet. Ashtu si një pjesë e mirë e figurave të njohura të ekranit shqiptar, edhe Turi ka ‘shfrytëzuar’ emrin e tij për të hapur një biznes, por krejt ndryshe nga ato që kanë të famshmit e tjerë shqiptar. “Falco” është biznesi i djalit energjik nga Berati, që me siguri shumë shpejt do të dëgjojmë mjaft për këtë sipërmarrje të Turjan Hyskos!

Ju njiheni nga publiku, si Turi që bën televizion, apo edhe muzikë. Por pak e dinë që ju së fundmi keni hapur një qendër tregtare virtuale, të cilën e keni quajtur “Falco”? Çfarë është “Falco”?

“Falco” është një ide biznesi, e cila shpresoj shumë që të arrijë të depërtojë në tregun teknologjik shqiptar. Është një aplikacion që lehtëson punën e bizneseve dhe sigurisht ndihmon konsumatorin.

Pse zgjodhët pikërisht këtë lloj biznesi, i cili duhet thënë që është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, si ju lindi ideja?

Gjithmonë kam dashur të investoj dhe eksperimentoj në teknologji. Më tërheq shumë dhe e gjej shumë veten. Gjithçka erdhi natyrshëm.

Është bërë “e modës” së fundmi që personazhet e njohur të ekranit të përdorin televizionin si  një trampolinë, për të hapur një biznes. A ndodhi kështu edhe me ju, apo jo?

Jo, s’ka lidhje me televizionin. Është një tjetër dimension megjithatë e pranoj që televizioni më ka ndihmuar shumë.

Mendoni se do të kishit të njëjtin sukses me “Falco”, nëse ju nuk do të ishit i njohur?

Sigurisht që jo.

Keni filluar të  gjeneroni të ardhura nga “Falco”?  

“Falco” është një platformë e re eksperimentale, e cila ka shumë rrugë për të bërë! Tregu ynë është i vështirë dhe sigurisht me shumë surpriza! Nuk jam akoma në fazën që “Falco” të më bëjë milioner!

Le t’i kthehemi pak televizionit. U bënë javë që dëgjojmë “zëra” se shumë shpejt do lini Vizion Plus, për një tjetër ekran. Si qëndron e vërteta?

Po, tashmë është bërë publike që unë nuk do të jem më pjesë e Vizion Plus. Isha për 14 vite në atë televizion dhe falë punës dhe mbështetjes së drejtuesve të televizionit, une aty u rrita profesionalisht dhe arrita në një pikë që nuk kisha më ç’ti jepja atij televizioni. Mua më pëlqejnë shumë sfidat dhe nuk funksionoj dot pa to. Monotonia më tremb dhe nuk e dua. Gjithmonë i vë një qëllim vetes dhe punoj fort për t’ja arritur atij qëllimi.

Thatë që ju nuk funksiononi dot pa sfida. A mund ta dimë se deri ku arrin sfida juaj kësaj here. Çfarë do t’i sillni ekranit të ri?   

Di të them vetëm që nuk keni parë asgjë akoma!

Ju jeni fans i televizionit italian, apo i atij amerikan? (duke qenë se në Shqipëri më së shumti këto stile televizioni ndiqen)

Unë jam rritur me tv Italian, por admiroj shumë atë anglez. Nga USA më pëlqejnë më shumë serialet dhe programet satirike.

Sa origjinalitet ka sot në ekranet tona?

Sigurisht që ka origjinalitet! Tregu televiziv shqiptar është një ndër fushat më të zhvilluara në Shqipëri! Në gjithë botën ka një farë uniformiteti dhe “copy paste”, ku as ne nuk bëjmë përjashtim, por besoj që këtu ka profesionistë shumë të mirë.

Orinda gjithashtu është moderatore. A keni menduar ndonjëherë për një bashkëpunim. Partnerë në jetë dhe në ekran, pse jo do të ishte interesante!

Hmmmm… Do ishte bukur! Pse jo?

Fillimet e karrierës tuaj kanë qenë në muzikë dhe ende dëgjojmë që shpesh ju quajnë “Turi i Produkt 28”. E mendoni rikthimin me ndonjë klip?

Jo! Besoj që është cikël i mbyllur.

Personalisht unë i dëgjoj ende këngët tuaja në makinë (aty gjej mesazhe, tema, humor dhe ritëm)… Por pse u shkëputët nga muzika?

Kohë tjetër, treg tjetër, rregulla të reja, publik me shije tjetër.

Për pak ditë festoni përvjetorin tuaj të parë të martesës. Si ka qenë ky vit?

U sugjeroj të gjithëve të martohen. Është bukur!

 

Intervistë e dhënë për revistën BORDO, në numrin e Qershorit! 

 

 

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF