Renato Mekolli, një shije e re!

Takimin me shef Renaton e lamë në restorantin e tij, në një orë të vonë të pasdites, ku zakonisht nuk ka klientë, në mënyrë që të flisnim qetësisht. Por edhe pse nuk ishte as orar dreke dhe as darke, dera e restorantit hapej herë pas here duke u futur klientë, të cilët kishin zgjedhur të konsumonin diçka pavarësisht orarit. “Mendova këtë orar sepse zakonisht nuk ka shumë njerëz, por siç e sheh, për të shijuar “Umamin”, duket se për klientët e mi nuk ka orar”; thotë me krenarinë që e ka të vështirë ta fshehë Renato, teksa na zgjat dorën për të na uruar mirëseardhjen. “E di çfarë po bëja tani? Kam blerë një pajisje të re dhe unë jam si ai fëmija, që mezi pret të provojë lodrën që sapo ka blerë. Krijova një ëmbëlsirë enkas për Bordo, dhe provova edhe pajisjen”, na rrëfen shefi me një buzëqeshje të çiltër, krejt si të një fëmije. Por prit, ku është ai Renato arrogant, që bërtiste, përplaste tepsitë, me të cilin ishim mësuar në MasterChef?  Ai që kisha përballë ishte krejtësisht ndryshe. Apo ndoshta i kishim shkuar në “shtëpi” dhe në këto raste mirësjellja dhe mikpritja duhet. “Eh, televizioni kërkon edhe pak “show”, jo çdo gjë që shihet aty është e vërtetë, edhe pse e pranoj që ndonjëherë më hipnin nervat seriozisht”, kërkon të “justifikohet” shefi. Ama nëse s’do të ishte pjesëmarrja në atë emision televiziv, ndoshta “Umami” nuk do të ishte aq i njohur sa është sot. Madje vetë shefi simpatik na rrëfen se qe pikërisht televizioni, të cilin ai e përdori si një trampolinë për të hapur biznesin e tij, edhe pse kjo gjë nuk ishtë aspak e paramenduar dhe e gjithë ideja lindi gjatë Masterchef.

“Televizioni më ndihmoi që fama e restorantit tim të vinte shumë shpejt, por ama ka ndikuar edhe përkushtimi, dashuria dhe pasioni me të cilin e kam bërë këtë punë”, tregon Renato, teksa na pyet nëse duam të shijojmë ndonjë ëmbëlsirë. “Sigurisht! Një Bordo të lutem!”. “Atëherë ju ftoj të shijojmë  eksperimentin tim më të ri, ëmbëlsirën që i vura emrin e revistës tuaj, Bordo”, teksa na hap rrugën drejt tempullit të tij, siç ai pëlqen ta quajë kuzhinën. Tempulli i shef Renatos ndodhet në qendër të restorantit i rrethuar i gjithi me xhama, nga ku klientët mund të shohin çdo gjë që ndodh në kuzhinë. Duke qenë orar që nuk ka shumë klientë, ambienti brenda në kuzhinë ishte i qetë, kur një nga kuzhinierët na vuri mbi banak ëmbëlsirën e famshme, që shefi na e kishte përshkruar me aq  detaje, aq sa për të na shkuar goja lëng… “Dua një pjatë tjetër, jo këtë “, i kthehet shefi asistenit të tij, ndërsa i vihej re një nervozizëm i lehtë, që ai mundohej ta fshihte mjeshtërisht pas një buzëqeshje me zë. Ne përfituam për ta pyetur se çfarë shefi është ai, e teksa i bie njërit prej kuzhinierëve lehtë në shpatull, Mekolli na rrëfen fare pa u rezervuar se është një shef i rreptë. “Unë në punë jam shumë detajist, dua të jetë çdo gjë perfekte, aq sa ndonjëherë stafi im, që është i përbërë kryesisht nga të rinj, nuk arrijnë të më kuptojnë. Unë dua punë, përkushtim, shumë dashuri  dhe kërkesën e llogarisë e kam shumë të lartë. Gjatë punës lindin edhe konflikte me punonjësit dhe kjo është e paevitueshme, ama vetëm për të mirën e punës dhe që klientët të dalin të kënaqur nga ajo derë”, kërkon të “justifikohet” shefi teksa përfundon dekorimin e “Bordo-së”. Ashtu si “Umami”, mund të ndjeje shumë shije njëkohësisht në atë ëmbëlsirë, por që vështirë se mund ta zbërtheje atë pjesëz arti të sapo krijuar. Recetën sigurisht që ja kërkuam dhe bëmë sikur e besuam kur ai po na e shpjegonte se si e kishte realizuar (patjetër që përbërësin kryesor, apo sekretin e recetës nuk na e tha, nuk jemi aq naivë)…

Këtë vizitë në “shtëpinë” e shef Renatos sigurisht që do na duhej ta ilustronim me foto, dhe në raste të tjera fotografit do t’i duhej pak punë, për t’i mësuar disa teknika të të pozuarit një kuzhinieri, duke qenë se fotografia nuk është pika e fortë e një personi që kalon pjesën më të madhe në kuzhinë. Por ky nuk është rasti i Renatos. Atij i mjaftoi vetëm një përparëse pak më e pastër (që ia mori njërit prej kamarierëve), një rrënjë majdanozi në dorë dhe sjellja para aparatit ishte aq e natyrshme dhe e sigurt, a thua se po përgatiste një pasta të thjeshtë. Ah, por mos të harrojmë që ai ka bërë televizion, që për hir të së vërtetës i shkon shumë.

Por a do ta shohim sërish në ekran shefin simpatik?

“Më besoni që shumë pak vite më parë, as që e kisha menduar ndonjëherë se do të isha pjesë e ekranit, më mjaftonte kuzhina ime. Por më duhet ta pranoj se pas eksperiencës së parë në “Masterchef”, e mandej në “Dance With Me”, tani e shoh edhe televizionin herë pas here si pjesë të jetës time, sigurisht jo me kohë të plotë. Dhe meqë më ngacmove për këtë temë, po ju rrëfej planin tim më të ri për një rikthim shumë shpejt në ekran me një super program, por nuk dua të zbuloj më shumë, kështu që mos më pyet”, na lutet Renato i sigurt që ne do ta pyesnim dhe nuk do dilnim prej aty, pa zbuluar edhe disa detaje të tjera.

“Ç’mu desh mua që fola, por s’kam zgjidhje tjetër, më duhet ta mbarojmë këtë intervistë se po vjen orari i darkës dhe tempulli im më thërret.  E shoh këmbënguljen tuaj në sy, kështu që s’kam nga ja mbaj (Qesh).. Bëhet fjalë për një show të madh gatimi, një program i tillë nuk është bërë asnjëherë në Shqipëri. Le të themi një mini reality-show, që me siguri do të gozhdojë publikun para ekranit. E dini cila do të jetë studio e këtij programi? Ja, ajo aty; duke drejtuar gishtin drejt kuzhinës… “Në fakt nuk më pëlqen ta quaj program televiziv, por një jetë reale brenda kuzhinës, sepse aty unë do të jem Renato i vërtetë, shefi i Umamit, me të mirat e me të këqiat e tij…

“Jam në bisedime me dy nga televizionet më të mëdha në vend, por deri tani ende nuk kam arritur të vendos. Por ju them që me siguri sezonin e ardhshëm do kënaqeni me programin tim”, përmbyll gjithë rrëfimin e tij Mekolli i cili, e ka të vështirë të mos hedhë sytë herë pas here nga kuzhina, e cila tashmë vetëm pak minuta para orarit të darkës, ka filluar të gumëzhijë, ndërsa kuzhinierët e restorantit po i japin “jetë” menusë…

Dhe mesa duket ne do të na duhej të iknim prej aty, duke marrë me vete të gjitha shijet që na  la ky takim me shef Renaton….

 

Previous ArticleNext Article