KreuKuzhine

Krepa Shtëpie për një mëngjes të shijshëm

Të shijshme, të lehta, të ëmbla e të kripura, krepat na kanë rrëmbyer zemrën të gjithëve, me dhe pa dietë, nuk mendohemi gjatë për t’i shijuar.

Me mjaltë, çokokrem apo reçel, kombinuar me feta bananesh, biskota, arra e lajthi të thërmuarra. Me djathë të bardhë a kaçkaval, domate, kastraveca e sallatë jeshile. Janë të panumërta mënyrat e kombinimit të krepave dhe shijes fantastike që ato ofrojnë në çdo kombinim.

Ja një recetë e thjeshtë në përgatitjen e krepave në shtëpi.

Përbërësit

500 ml qumësht

3 kokrra vezë

Kripë

250 gr miell

50 gr gjalpë

Përgatitja

Hedhim në një tas të madh miellin dhe pak kripë. I përzjejmë bashkë e më pas nisim të hedhim nga pak qumështin duke trazuar pa ndërprerje brumin. Pasi kemi hedhur gjithë qumështin e brumi ka marrë formë të njëtrajtshme hedhim vezët e rrahura. Përzjejmë mirë masën derisa të bëhet homogjene. Më pas, tek masa e përgatitur shtojmë gjalpin të cilin e kemi shkrirë më parë.

Pasi ta përzieni mirë hidheni në tigan një garuzhde me brumin e krepave dhe me ndihmën e garuzhdes hapeni brumin në formën e petës në të gjithë sipërfaqen e tiganit.

Lëreni të piqet për 2 minuta dhe me pas kthejeni nga ana tjetër, lëreni dhe dy minuta që të piqet.

Kaq ishte, tani mbushja e krepave bëhet sipas preferencave.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF