KreuCelebrity

Intervistë ekskluzive/ Ju prezantojmë me Florin që me siguri nuk e njihni!

Nada Biraçi

Nëse nuk do ta dinim se ata janë bashkëshortë, do të vinim bast se janë motër e vëlla. Të dy të gjatë, bjondë, me sy të kaltër, solarë, aq sa dukej se sfidonin diellin atë mëngjes korriku, kur realizuam setin e fotove. “Po sa shumë ngjani!”, i them që së largu. Flori dhe Sadina panë njëri-tjetrin si për të legjitimuar atë që sapo thashë, e teksa ulen, njëzëri pranojnë se këtë shprehje e kanë dëgjuar aq shumë sa tashmë janë mësuar. “Shumë herë kur më kanë parë me Sadinën, ata që nuk na njohin më pyesin; ‘Motra?’, e kur më kanë parë me motrën më kanë thënë “Gruaja?”, tregon Flori me humor, teksa një buzëqeshje e lehtë i lexohet në fytyrë, duke më risjellë në mendje rolet e tij. Është e pashmangshme në momentin që takon një aktor të mos kërkosh tek ai tiparet e personazheve që luan, e që me siguri pa vetëdije aktori jeton me ta, duke i bërë pjesë e jetës së tij. Teksa i shoh të ulen, natyrshëm më vjen t’i pyes, se si u njohën, si i propozoi Flori më të bukurës së Liceut. “Thjesht fare, a do lidhesh me mua dhe mundësisht më zgjati dorën duke numëruar sekondat, se s’do më priste gjatë”, ishte Sadina ajo që për habinë tonë u përgjigj me aq humor sa u duk se la në hije bashkëshortin. E natyrshme, e çiltër, tmerrësisht e bukur…, aq sa gjatë minutave që kaluam kuptuam se ëmbëlsia e portretit të saj, ishte e ndëruthur aq bukur me një karakter plot humor, që me siguri duke jetuar kaq gjatë me një aktor si Flori, duket e pashmangshme të mos marrë edhe ajo pak nga ‘profesioni’ i burrit.

Flori i hedh flokët bashkëshortes pas shpatullave, e pas një vështrimi sikur po udhëton brenda pak sekondash në vitet e Liceut, rrëfen: “U pëlqyem që në shikimin e parë. Madje unë mendoja se na kishin sjellë të dyve në atë shkollë pikërisht për këtë qëllim, që ne të ishim bashkë! Ndodh që krijon në kokë një stereotip të personit që do të kalosh jetën dhe ‘fap’, të del përpara”. Kanë kaluar 16 vite që kur sytë e tyre u ndeshën për herë të parë, e sot janë përballë meje, duke rrëfyer rrugëtimin e tyre..

Florian Binaj vjen në një intervistë i zhveshur nga çdo rol me të cilët jemi mësuar ta shohim në ekran. Kësaj here është ai i vërteti, babi i Krenës dhe Glauk, bashkëshorti i Sadinës, artisti që dashuron pikturën, ish-liceisti dhe fëmija i periferisë së Tiranës, ndërsa për aktrimin e kemi pyetur fare pak. E ç’kuptim ka kur Kol Frakushën, djalin, Xhankarlon…, i njohim të gjithë, i kemi duartrokitur, kemi qeshur me lot aq sa na kanë dhembur brinjët. Fundja, ç’do të ishte Portokalli, pa të! Ndërsa Florin, atë të vërtetin e njihnim fare pak, për të mos thënë aspak….

Përshëndetje Florian! Faleminderit që gjete kohë për të ndarë me lexuesit e Bordo momente nga jeta e karriera jote! Le të bëjmë një udhëtim ne kohë. Si ka qenë fëmijëria jote, çfarë  ruan  me nostalgji nga ajo kohë dhe çfarë jo? Çfarë fëmije ke qenë, çfarë të pëlqente të bëje, loja e preferuar?

Fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur. Unë jam rritur në periferi të Tiranës, në lagjen Allias afër Babrrusë dhe kishim fusha pafund për të luajtur, lumin e Tiranës për t’u larë, gjelbërim pafund…Ishim pesë shokë të ngushtë dhe rrinim bashkë si Power Rangers, unë isha ai me ngjyrë blu. Pasditeve merrnim simite në furrën e bukës, djathë në shtëpi, dhe domate tek serat, mblidhnim manaferra, hide, kumbulla dhe rrinim jashtë duke luajtur deri natën vonë futboll, gara vrapi, basketboll, gara me biçikleta. Para se të iknim në shtëpi kapnim xixëllonja dhe i çonim në shtëpi që të na ndriçonin natën kur të flinim. Ka qenë një fëmjëri shumë e shëndetshme dhe e lumtur! Me pak fjalë vraponim gjithë ditën të lirë sepse makina pothuajse s’kishte fare! Kam qenë fëmijë shumë energjik dhe shumë i dobët! Me pëlqenin sfidat, lojrat e vështira dhe dorëzohesha gjithmonë i fundit! Loja e preferuar ishte vrapi, sepse në futboll rrija gjithmonë portier!

Thonë se që në fëmijëri shfaqen të dhëna, që na diktojnë në një farë mënyre rrugën që do të ndjekim në jetë. Ka ndodhur kjo me ty?

Po, unë që në moshën 2 vjeç në kopësht u diktova nga edukatore Bukra që kisha shumë dorë për të pikturuar. Më pëlqente të vizatoja çdo gjë që shikoja sepse më dukej sikur do e kuptoja si funksiononte nëse e vizatoja. Prindërit më çuan në pallatin e Pionerëve ku vazhdova mësimet për pikturë me mësuesen time të dashur Hatixhe Arapi. Po në vegjëli kuptova që kisha edhe dhuntinë për të imituar. Edhe kjo lidhet ngushtësisht me atë të pikturës pikërisht për të kuptuar si janë tipat e njerëzve dhe të arrish t’i imitosh duke e parashikuar sjelljen e dikujt në një situatë të paqenë për të. P.sh provimet e lirimit ne 8- vjeçare i kam marrë duke imituar disa politikanë dhe mësuesit me stafin e shkollës!

Si ka qenë marrëdhënia jote me shkollën, çfarë nxënësi ke qenë?

Në shkollë kam qenë nxënës shumë i mirë, i urtë, i vëmendshëm, por më pëlqente të mësoja lëndët që kisha qejf unë, jo matematikën dhe lëndë shkencore si kimi dhe fizikë! Një vit më ngjiste fizika e nxirrja 9, vitin tjetër nuk më ngjiste e nxirrja 5. Duke qenë se pjesën më të madhe të kohës së lirë e përdorja për të pikturuar, merrja aq shumë kënaqësi prej saj saqë matematika më dukej humbje kohe!

Në përgjithësi periudha e gjimnazit është koha më e bukur për pjesën më të madhe të njerëzve. Është dhe për Florin? Si e kujton atë kohë?

Ajo ka qenë vërtet periudha më e bukur e jetës time! Kam aq shumë kujtime të bukura saqë mund të bëhej 1 libër me 2 vëllime për ato 4 vite. Ishin  vite kur edhe dielli dukej sikur ndriçonte ndryshe, ishin vite të bukura dhe në muzikë, viti 1999 e mbrapa. Të ishe Liceist në ato vite ishte shumë bukur! Ne ishim një klasë kompakte dhe profesori  ynë i pikturës, Klement Zoraqi na bëri që ta kthejmë euforinë e moshës në pasion për artin dhe pikturën! Me shokët dhe shoqet që kemi qenë në Lice, bashkë dhe me profesorin, sot jemi si motra dhe vëllezër dhe takohemi shpesh e kujtojmë ato kohëra! Për më shumë…prisni kur të dalin librat!

Në Lice njohe dhe dashurinë e jetës Sadinën, atë që është sot mami i dy fëmijëve të tu. Si nisi historia juaj? Si i propozove ti Sadinës?

Nisi si çdo histori dashurie. U pëlqyem që në shikimin e parë, madje unë mendoja se na kishin sjellë të dyve në atë shkollë pikërisht për këtë qëllim, që ne të ishim bashkë! Ndodh që krijon në kokë një stereotip të personit që do të kalosh jetën dhe ‘fap’, të del përpara! Besoj ishim të dy me fat që gjetëm njëri tjetrin!

Meqë jemi tek propozimi, ju nuk keni bërë ende një dasmë. Do të thotë që bashkëshortja nuk e ka marrë ende atë propozimin në gjunjë? Apo nuk je ky tip mashkulli?

Nuk duhet unaza dhe gjunjëzimi për të kërkuar të kalosh jetën me dikë, duhet thjesht guxim, dëshirë dhe shumë dashuri! A i janë ulur në gjunjë baballarët tanë nënave tona? Kjo është një modë që hyri pas vitit 90. Madje arsyeja pse shumë çifte ndahen është sepse duan më shumë gjestin e gjunjëzimit dhe unazën e shtrenjtë, sesa përgjegjësia që sjell ky vendim!

Para 4 vitesh u bëre baba për herë të parë me Krenën, e mandej para  një viti e gjysmë mirëpritët djalin Glauk. Si i ke përjetuar këto ngjarje unike në jetën tënde?

Ardhja në jetë e fëmijëve të mi padyshim, është momenti më kuptimplotë i jetës vetë. Roli yt dhe rëndësia jote në jetë ndryshon. Kur shihja vajzën në sy, prekja dorën e saj të vogël dhe kur më falte ato buzeqeshjet e saj, i thoja vetes dhe ia them dhe tani: Ku ishe më parë!? Edhe djali është një tjetër lloj dashurie. Të dy krijojnë universin e bukur ku rrotullohemi si planete ne prindërit dhe ndriçojnë si yje fëmijët tanë!

Na ndodh shpesh që tek fëmijët të shohim veten tonë. Ty të ndodh dhe tek cili prej tyre ti sheh Florin e vogël?

Vajza është një rikthim i imi pas në kohë, por në gjini tjetër! Është e habitshme sa mund të ngjajë fëmija dhe sa më shumë gjëra të reja bën përditë, aq më shumë gjëra nga fëmijëria ime më kujtohen!

Kur ju sheh Krena në ekran si reagon? Çfarë thotë ajo për rolet e tua?

Ajo më dallonte që e vogël ndërsa sot më imiton shumë mirë! I zbërthen goxha mirë personazhet e mia dhe ndonjëherë në shtëpi flasim të dy si polici Kol Frakushi.

Le të kthehemi pak te karriera. Personazhet e tua në Portokalli janë më të suksesshmit dhe më beso që këtë nuk e them unë, por një masë e gjerë e audiencës. Çfarë mendon se të ka bërë që të dallosh nga të tjerët?

Është dashuria për punën, kërkim i pandalur i përmirësimit të vetes dhe ushqyerja e krijimtarisë me sfida për të qenë sa më frytdhënëse. Dëshira për të bërë të lumtur publikun që vjen aty dhe më e rëndësishmja, t’i bësh pa hile të gjitha këto! Nëse bën hile në art, publiku e kupton, prandaj shumë artistë e humbasin shkëlqimin e tyre sepse fillojnë të hanë dhjamin e suksesit të tyre, ose bëhen shushunja të ndonjë artisti tjetër. Për të arritur këtu nuk ka qenë aspak e lehtë, për të arritur këtë sukses, shpesh kaloj edhe në vetmohim, pagjumësi, nervozitet etj. Pa harruar që gjatë gjithë kohës që kam qenë në Portokalli kam qenë edhe në shkollë, me provime, me detyra kursi, me frekuentime, ndërkohë duhet të shkruaja dhe skenaret e Portokallisë të shkoja dhe në punë, edhe në shfaqje…, është një ngarkesë e madhe që të detyron të menaxhosh sekondat si gjirokastritët qindarkat!

Si futet Flori në një rol, si e përzgjedh personazhin, cili është procesi i punës?

Është një proces i fshehtë dhe i heshtur brenda vetes. Procesi fillon në kokë kur hap një folder me emrin e personazhit të ri dhe fillon e hedh aty karakteristika, tiparet, orgjinën, të kaluarën e tij, dialekti, pasionet, dëshirat, veset dhe pasi e vizatoj si qenie, i jap frymë duke i shkruar një tekst me të cilin do prezantohet për publikun! Ka personazhe që duan 3 muaj për t’u krijuar por në këto 15 vite Portokalli ka pasur personazhe që janë krijuar edhe për 5 minuta. Vetëm sezonin që shkoi, kisha 4 personazhe të reja në serinë e parë!

Pesëmbëdhjetë vjet në Portokalli, si është e mundur që ky spektakël ende prodhon humor, pa rënë në përsëritje?

Është meritë e gjithë stafit, të gjithë atyre që kanë qenë nga dita e parë, dhe atyre që janë ende sot. Kushdo që ka qenë në Portokalli, ka dhënë peshën e tij e cila ka ndihmuar të çojë përpara këtë spektakël. Por çelësi kryesor i suksesit, është dhuntia e disa aktorëve në trupë (përfshirë dhe mua) për të shkruar skenarët jo vetëm të tyret, por edhe të kolegëve që nuk shkruajnë…Është cilësia e këtyre skenarëve të shkruar nga ne që e bën aq të veçantë, të bukur, të pëlqyer për publikun dhe që e bëjnë Portokallinë të jetë programi më i mirë i humorit në Shqipëri. Nëse ne nuk do ishim të aftë të shkruanim vetë, sepse tregu nuk ka pothuajse fare skenaristë humori, Portokalli nuk do ishte kjo që është sot dhe ajo që ka qenë dje dhe pardje…Portokallinë e mban humori i atyre që e shkruajne dhe atyre që e luajnë! Ky është çelësi i suksesit!

Jeta jote në një film do të ishte një komedi romantike, dramë, aksion apo fiction?

Aksion me komedi romantike.

Po në një telajo çfarë ngjyrash do të kishte jeta jote?

Të gjitha! Jeta i ka të gjitha ngjyrat por ne na pëlqen të tregojmë ngjyrat me të cilat lyhemi dhe jo ngjyrat me të cilat lahemi!

Pushimet ku do t’i kalojë familja këtë vit?

Diku me shumë pak njerëz dhe shumë natyre!

Sezoni i ardhshëm sa i përket karrierës do të gjejë në…

…punë e sipër!

 

Piktori i preferuar?

Caravaggio dhe Leonardo Da Vinci

Cilat janë hobet e tua?

Sportet e natyrës që dhurojnë adrenalinë!

Me letërsinë çfarë marrëdhëniesh ke? Ke një libër të preferuar apo autor?

Kam disa kohë që nuk kam kohë të ulem të lexoj një libër nga fillimi deri në fund…me pak fjalë kam shumë libra me faqe të palosura që presin të rifillojnë të lexohen. Më pëlqejnë librat fantastiko-shkencore dhe ato nga histori të vërteta!

Aktori juaj i preferuar?

Denzel Washington

Modeli juaj frymëzues?

Neil DeGrasse Tyson

Vera çdo të thotë për ty?

Plazh, zhytje, filmime, foto, gopro, fluturime me parashutë, rafting, udhëtim

Preferon malin apo detin?

Të dyja por më shumë detin.

Në kuzhinë hyn vetëm për degustim apo vendos edhe përparësen?

Kam përshtypjen se përparësja është bërë për barkderrat, ata bëhen pis!

Keni një pjatë të preferuar që bëni? Apo që hani?

Unë pëlqej çdo gatim përveç bamjeve!

Me alkoolin çfarë marrëdhënie keni?

Nuk më ngjit fare dhe 1 herë në muaj mezi pi gjysmë shishe birre..

Po me palestrën?

Duhemi, zihemi, pajtohemi, dashurohemi, frekuentohemi pastaj ndahemi për t’u rilidhur prapë!

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF