KreuBusull

Çantat & Këpucët/ Si të përkujdesemi për këto “thesare”

Nëse e keni eksploruar Shop Bordo më parë, mund të keni vënë re që momentalisht ofrojmë vetëm këpucë dhe çanta, por ama të zgjedhura me kujdes! Në vijim, dyqani ynë do të pasurohet edhe me veshje dhe aksesorë të tjerë, ndaj na vizitoni herë pas here ose qëndroni në kontakt me ne nëpërmjet rrjeteve sociale (gjendur më lart).

Megjithatë, sa jemi të fokusuar vetëm në 2 lloje produktesh, menduam që përveçse t’i ofrojmë ato, duhet edhe t’ju japim disa këshilla se cilat janë mënyrat më të mira për t’i ruajtur në mënyrë të përkryer këpucët dhe çantat tuaja, ato që keni apo ato që mund të blini tek ne. I qëndrojmë besnikë idesë se një femër mund të ketë shumë veshje, por këpucët dhe çantat seç kanë një element ekstra, që na bëjnë t’i duam pak më shumë se xhevahiret e tjera në dollapin tonë. Domosdo, janë edhe pakëz më delikate!

ÇANTAT

Mundohuni t’i vendosni çantat tuaja mbi rafte dhe jo t’i varni në varëse, për të ruajtur formën e dorezave dhe cilësinë e lëkurës së çantës. Mos i vendosni kurrë çantat mbi njëra-tjetrën, pasi do të shtypen dhe deformohen. Nuk ka gjë më të shëmtuar se sa një çantë që e ka humbur formën e saj! Rreshtojini çantat në një raft të dollapit, me hapësire të përshtatshme midis tyre. Më e rëndësishmja, mbushini çantat tuaja me letra gazete për t’ua ruajtur formën në mënyrë perfekte. Nëse keni qese për çantën, akoma më mirë! Në vend të qeses, një sugjerim fort i lezetshëm është t’i fusni çantat tuaja në këllëfë jastëku që nuk i përdorni, për t’i mbrojtur nga pluhuri.

Për të kursyer vend, mund edhe t’i fusni çantat e vogla në çantat më të mëdha.

Për sa i përket pastërtisë së çantës, rregulli #1: Mos e vendosni kurrë çantën në dysheme! Është e vetëshpjegueshme pse! Po ashtu, shmangni ta prekni çantën tuaj me duar të papastra, pasi çantat janë tejet delikate dhe ndoten menjëherë. Është më e lehtë për ju të pastroni duart paraprakisht, se sa të hiqni njollat nga çanta dhe të rrezikoni ta prishni atë.

Nëse çanta juaj është prej lëkure, investoni në një pastrues lëkure për ta pastruar çantën herë pas here, sa herë nis ta humbasë disi shkëlqimin e saj. Kujdes! Mos e teproni me pastrimin! Mund ta vonojmë konsumin e një çante, por jo ta ndalojmë atë!

Nëse shihni njolla apo dëmtime në çantën tuaj, mos humbisni kohë, por pastrojini dhe riparojini menjëherë!

Në përdorimin e çantës, një këshillë fort e vyer është të blini një organizues të vogël të përshtatshëm për brendinë e çantave. Ky organizues kryen 2 funksione: Së pari, nga vetë emri, e organizon çantën tuaj, dhe të gjitha femrat e dinë që çanta mund të shndërrohet në një vrimë e zezë ndonjëherë! Së dyti, organizuesi e mbron çantën nga derdhjet dhe njollat që mund të ndodhin aty brenda. Duhet t’i keni provuar patjetër ato njollat e pakëndshme nga stilolapsat, lapsat e syve apo një shishkë ton e hapur.

Këshilla e fundit që kemi për ju, është t’i ndërroni çantat tuaja herë pas here. Çfarë kuptimi ka të blesh një çantë të re, për çdo ngjyrë, nëse pastaj përfundon duke përdorur vetëm 1 çantë për 1 muaj pa ndalim? Përdorimi pak dhe saktë i secilës çantë që keni ju garanton një jetëgjatësi më të madhe për to.

KËPUCËT

Përkujdesi për këpucët nis që në momentin që ju i blini ato. Mund të mos e dini, por ka spray specifikë kundra ujit, të cilat i mbrojnë këpucët tuaja nga ditët me shi dhe vendet me lagështi. Hidhuni një shtresë spray këpucëve tuaja, për t’i ruajtur në atë gjendje për një kohë të gjatë. Për ta çuar mbrojtjen edhe më tej, mund t’i kërkoni këpucarit t’u vendosë këpucëve funde gome, pasi goma konsumohet më ngadalë.

Mund të preferoni t’i mbani këpucët në kutitë e tyre origjinale, por a do të kujtoheshit ndonjëherë për to? Nëse preferoni kutitë, vendosuni etiketa për t’i identifikuar lehtë. Në të kundërt, mund të zgjidhni kuti plastike transparente, për një organizim më të mirë dhe të qartë. Të tilla kuti mund të gjeni kudo në supermarkete. Nëse keni rafte specifike për këpucë, me kubikë apo shufra metali, akoma më mirë! Nëse hapësira nuk jua lejon një organizim për së mbari, mund të merrni një qese me shumë xhepa për këpucët, që ta varni diku në shtëpinë tuaj.

Mos harroni, këpucët duhen ndarë në këpucë dimri dhe këpucë vere. Si mund të vendosni bashkë këpucët tuaja me takë, në ngjyra pranverore, pranë çizmeve të errëta dimërore? Po ashtu, përpara se të kaloni në këpucët e një stine tjetër, duhet domosdoshmërisht të pastroni dhe të përkujdeseni për këpucët që keni përdorur deri në atë kohë. S’mund t’i lini këpucët të ndotura në dollap, deri në stinën e ardhshme!

Si mund të bëhet pastrimi i këpucëve? Së pari, çdo papastërti duhet ta hiqni me një furçë të butë. Furçat e forta rrezikojnë ta dëmtojnë dhe të lënë shenjë në këpucën tuaj. Hiquni pluhurin këpucëve dhe aplikojuni bojë.

Për këpucët e lëkurës, aplikoni bojën në ngjyrën e tyre dhe lëreni të thahet, që të thithet mirë dhe ta zbusë lëkurën. Më pas, me një cohë pambuku aplikoni dyll, me lëvizje rrethore, dhe lëreni të thahet vetë. Dylli do ta mbrojë lëkurën dhe ngjyrën e këpucëve.

Këpucët prej lustrafine pastrojini me një cohë të butë dhe solucion ujë dhe uthull me masa 2:1, që ndalon çarjen e lustrafinës.

Kamoshi kërkon pastruesit e vet posaçërisht për të, që mund t’i gjeni në dyqane. Po ashtu, kini parasysh që t’i vishni këpucët prej kamoshi vetëm në ditë të thata.

Nuk është nevoja t’ju themi që edhe brendësia e këpucëve kërkon përkujdesin e vet, për shkak të aromave të pakëndshme. Me një cohë të ngjyer lehtë në alkool ose vaj tea tree, lagni paksa brendinë, duke pasur kujdes të mos lini njolla. Lërini këpucët të thahen.

Keni edhe ju këshilla për ne? Komentojini më poshtë!

Ndërkaq, nëse kërkoni të pasuroni koleksionin tuaj të çantave dhe këpucëve, vizitoni Shop Bordo për të gjetur “thesarin” e radhës!

Nga Kejsi Hoxha

Tags:

Home Busull

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF