Fun Fatma: Unë as nuk e mendoj një lëvizje! 0 1031

Nada Biraçi



Foto: Fani Aliko

Rastësia mbret i botës do të ishte për të qasja në ekran si moderatore. Profesion që as e kishte menduar ndonjëherë në jetën e saj, por që krejt rastësisht 3 vite më parë u gjend në ambientet e IN Tv në të cilin zhvillohej një audicion….”Kur pashë aty vajza të bukura, të gjata, të veshura seksi e me taka, u tërhoqa vjedhurazi drejt shkallëve të televizionit, për tu zhdukur nga aty. “ç’dreqin desha unë këtu”, mendoja teksa zbrisja shkallët me nxitim, gati duke u ngatërruar me lidhëset e atleteve, që po më zbërtheheshin”, më rrëfen Fatma teksa e pyes se si u gjend në ekran…Por syrit të mprehtë dhe intuitës së stërvitur së ish-drejtores së IN Tv asokohe nuk i shpëtoi çamarrokja që po tentonte të “arratisej”. Ajo e nuhati që ajo vajza e imët e trupvogël ishte figura e re që po kërkonte. Në fakt Fatma s’kishte bërë asnjë përgatitje, asnjë provë, nuk kishte asnjë pritshmëri për atë audicion, ndaj atë ditë me këmbënguljen e drejtueses së televizionit, asaj ju desh të krijonte një metodë të re moderimi… Kjo metodë do të ishte as më pak, e as më shumë se vetë Fatma…..

Jemi në mbyllje të sezonit, ndaj secili prej nesh në përfundimin e një ‘sage’ bën një bilanc.  Si ishte ky vit për ty?

Për çudi këtë vit nuk po më del koha as për detin e jugut, as për të bërë bilanc. Më mirë kështu sepse preferoj të jem e vërtetë dhe të them ky nuk ka qenë viti im. Muajt që kaluan më kanë marrë ca kilogramë dhe mirë kanë bërë (Qesh). Nuk kam patur shumë gola por kam bërë gjëra që nuk kisha menduar t’i bëja më herët. Kam bërë më pak zhurmë por kam numëruar më shumë bekime se vitet e tjera. Më e rëndësishmja ka qenë vit me energji pozitive shumë. Kryqëzoj gishtat për vitin tjetër se kemi nisur që tani të mendojmë për të.

A ke ti një model sa i përket karrierës të cilin e ndjek apo e adhuron?

Falë zotit nuk kam “black list” dhe modelet e gabuar që janë në media  më argëtojnë. Kam një listë të gjatë me personazhe që më pëlqejnë qoftë për mesazhet, qoftë për karakterin qoftë për buzëqeshjen apo sytë  e bukur qoftë për shkathtësine apo ironinë televizive, apo edhe për stilin e veshjes. Ndjek dhe pëlqej edhe personazhe të huaj edhe shqiptare. Më shumë  e kam me sezone një periudhë të caktuar më pëlqen një prezantues më vonë një tjetër. Por ajo goca që prezanton “fun day” nuk është keq si model (Qesh)!

Ke patur oferta nga televizionet e tjera?

Mua më pëlqen suporti që IN Tv jep për të rinjtë apo fakti që ka furnizuar me djem dhe vajza të talentuar televizionet e mëdhenj në vend. Është e pashmangshme të mos marrësh oferta. Unë besoj shumë tek gjërat që bëhen me dashuri, aktualisht i gjithë ekipi i IN Tv po më llaston mjaftueshëm, që unë as mos e mendoj një lëvizje. Por asnjëherë nuk i dihet.

Cili është momenti më i sikletshëm që të ka ndodhur gjatë transmetimit?

Kam shumë, fatmirësisht këto momente kanë përfunduar duke shkaktuar të qeshura. Por unë mund të bëj një listë dhe do më jepni të drejtë kur them që “fun day” është gjithçka veçse normal. Më ka zënë kolla shumë keq dhe mezi e kemi menaxhuar, më ka gërvishtur një maçok në studio, është futur qeni i televizionit në mes të emisionit në studio, më është hapur zinxhiri i fundit, e shumë episode të tjera. Ngatërresa fjalësh apo probleme me tekstin është krejtësisht normale tani më, ndodh çdo ditë.

Cilat janë 5 gjërat pa të cilat nuk jeton dot?

Nuk do guxoja të jetoja pa përqafime dhe dashuri, as pa libra, sigurisht jo filozofikë, nuk pranoj të më iki një javë pa ngrënë byrek, pa qeshur dhe fatkeqësisht më duhet të listoj edhe telefonin.

Cila është moto apo këshilla me të cilat ti jeton?  

Moto e momentit është: “Çdo gjë mund të bëhet me pak inteligjencë dhe shumë dashuri”, ja them shpesh vetes dhe e besoj

A ke ti një strategji menaxhimi për figurën tënde?

Kam patur fatin të kem një ekip drejtuesish në televizion që kujdesen edhe për menaxhimin tim por sidoqoftë nuk e kam në natyrë të bërit llogari apo të ndërtuarit strategji. Më shumë kam një qëllim, për aq kohë sa njerëzit më shohin apo më njohin, t’i bëj të ndihen mire, t’i bëj të besojnë tek gjërat e thjeshta dhe tek çdo gjë që bëhet me qëllim të mirë. Nuk e di si përfundova, duke folur kaq seriozisht dhe me fjalë zemre (Qesh)

Është Fatma  në një lidhje?

Jam në një lidhje të shëndetshme me byrekun dhe mendoj ky raport është i përjetshëm (Qesh). Nuk kam asnjë telash zemre për momentin. Madje nuk i kam patur asnjëherë më mirë se kaq punët me zemrën.

Pas 10 vitesh ku dhe si e sheh veten?

Mbase pak më të gjatë (Qesh).  Unë në fakt mezi planifikoj pushimet e verës jo më dhjetë vitet e ardhshme. Gjithsesi nëse tentoj ta mendoj veten pas dhjetë vitesh mund të jem me flokë të lyera, me taka, pa xhinse të grisura… ama shpirtin prej femije do e kem gjithmonë dhe duke bërë gjithmonë diçka që më jep kënaqësi.

“Fanny” Fatma!

Sa “funny” është Fatma?

Fatma është aq funny sa edhe kur ndodh ndonjëherë të diskutoj me tonalitet të lartë e bëj me patjetër me ndonjë batutë mes rreshtave. Më shumë se funny më pëlqen të jem pozitive, të besoj që gjërat zgjidhen shumë mirë me qetësi dhe dashuri. Më ka pëlqyer gjithmonë t’i bëj njerëzit të ndihen mirë.

Cila është gjëja më “funny” që të ka ndodhur këto ditë?

Më ndodh çdo ditë ndonjë e tillë në emision është bërë një ekip sitcom-i aty dhe s’di nga t’ja nis.

Pushimet më “funny” që ke kaluar?

Vitet e fundit kam filluar të preferoj pushime të qeta që të reflektoj për gjërat e reja. Kur e mendoj pushime funny janë edhe me familjen, mjafton të imagjinosh reagimet e mamit tim teksa më sheh duke bërë selfie në breg të detit dhe janë pushime funny!

Gjëja më “funny” që ke blerë?

Për të shmangur trafikun u futa gabimisht  nëpër disa fshatra midis kombinatit dhe zonës industrial. Rastësisht gjeta një dyqan me sende të vjetra dhe përfundova duke blerë një valixhe, të cilën e mbusha me shumë objekte të tipit rrip lëkure, çajnik e disa sende të tjera. Të gjitha vetëm 800. Pastaj unë shquhem për blerje të çuditshme aspak për moshën time.

Veshja më “funny” që ke mbajtur në emision?

Më ka qëlluar një njeri i çmendur si drejtor imazhi, i cili shpesh herë më vë në situata funny me veshjet, veshje që unë nuk do vishja kurrë janë streçet leopard por ja që i kam veshur. Gjithashtu një tjetër veshje funny ka qenë një kostum me printe të substancave narkotike. Edhe sot e “vuaj” atë paraqitje prandaj kam zhdukur çdo foto që ekzistonte.

Komplimenti më “funny” që të kanë bërë?

Je FATMAstike (Qesh). Mendoj duhet ta shtojmë në fjalorin e shqipes.

Mesazhi më “funny” që  ke marrë për ditëlindje?

Janë pafund. Kam një rreth të çmendur shoqëror që asgjë nuk e bëjnë normale. Në pamundësi për të zgjedhur një sms funny po ju tregoj sms që nuk e pëlqej fare për ditëlindje. Mesazhi më dembel dhe i padëshiruar është thjesht “HBD”!

Previous ArticleNext Article