KreuCelebrity

Intervistë/ Rreperja Rina: Kam një mesazh për të gjitha vajzat!

Fenomeni Rina

Me vargje dhe beat, një repere josh këdo që e dashuron muzikën rap, por kur je edhe një vajzë e bukur, seksi dhe provokuese si Rina, suksesi është i garantuar. Pak më shumë se një vit më parë, Rina Balaj, 18 vjeçarja nga Kosova, arriti të rrëmbente gjithë vëmendjen e projektorëve me stilin e muzikës së saj, duke u kthyer në një fenomen. Të qenit pjesë e OnRecords i shtoi akoma më shumë vëmendjen artistes së re, e cila në këngët e saj vjen trasgresve, por edhe ekstravagante, ashtu siç e kërkon rrepi, me tekste me fjalor rruge, por të gjitha këto fashiten nga portreti i saj i ëmbël e fëmijëror. Një femër që bën rap në Shqipëri është kaq e rallë, një Cardi B, e cila zgjoi nga gjumi ata që mendonin se ky ishtë një zhanër që u takon meshkujve. Hyrja në skenë e Rinës, fillimisht solli një formë hutimi; i cili zgjat fare pak, pasi teksa e dëgjon të këndojë, ajo arrin të shkundë nga paragjykimet. Rina është një adoleshente kaq e re, por shumë e talentuar dhe  me ide të qarta të asaj çka ajo kërkon ti sjelli rrepit shqiptar. Atë që deri tani me gjasë asnjë femër tjetër shqiptare ende nuk e ka bërë; të bëjë rrep mirëfilli, njësoj si ata që e shpikën, e po njësoj e bën edhe Rina!

Si ishte vera që kaloi?

Ishte vera më e sukseshme për mua sepse ishin muajt që kisha më shumë koncerte.

Si u bëre pjesë e On Records?

Me ndihmën e një mikut tim ka filluar gjithçka, edhe jam shumë e lumtur që jam pjesë e një labeli kaq të madh Shqiptar.

Në një kohë të shkurtër jeni një emër i përfolur i rrepit, çfarë ju bën të veçantë?

Brenda një kohe shumë të shkurtër kam arritur të bëhem një emër shumë i lakuar në rrep, e sigurisht që këtu ka ndikuar shumë kompania që më menaxhon. Mendoj se ajo që më dallon është stili dhe zëri im.

Si po e përjeton famën e menjëhershme?

Pak e vështirë për mua pasi jam në moshë shumë të re, por kam familjen dhe shoqërinë që më rri gjithmonë afër.

Cili ka qenë artisti që ka ndikuar në pasionin tuaj për këngën?

Ka shumë artistë që më pëlqejnë, tek të cilët shpesh jam inspiruar sepse kam gjetur shumë edhe veten time tek ata. Nuk mund të them një emër të vetëm pasi janë shumë.

“Bëj rrep për t’u treguar vajzave që ne jemi të forta e që ne mundemi të plotësojmë çdo ëndërr që kemi, pa marrë parasysh pengesat që do na sjellë jeta’.

Rrepi ka tekste me fjalor banal, a është kjo arsyeja që ka pak repere në Shqipëri?

Kam filluar të bëj rrep që në një farë mënyre t’ju tregoj vajzave që ne jemi të forta e që ne mundemi të plotësojmë çdo ëndërr që kemi pa marrë parasysh pengesat që do të na sjellë jeta.

Nga e merr frymëzimin për tekstet e tua?

Zakonisht frymëzohem nga jeta e përditshme.

Çfarë mendimi ke për Kidën?

Kida është një artiste për të cilën kam shumë respekt, një vajzë e cila e ka filluar karrierën në moshë shumë të re duke i krijuar asaj mundësi të realizojë të gjitha ëndrrat.

Do zbulosh për lexuesit e Bordo një projekt për vjeshtën?

Kam shumë këngë duke i punuar, por diçka të sigurt që do të them është që do të vij shumë shpejt me  një bashkëpunim, emrin e të cilit dua ta lë surprizë.

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF