KreuArt

Ndriçim Xhepa: Me Minarollin ishim shokë shkalle, i lumtur që triumfoi filmi i tij

Një vit më parë Ndriçim Xhepa xhiroi për skenarin e fundit të mikut të tij të fëmijërisë, me të cilin e bashkoi shkalla e pallatit, mandej shkollimi, e Akademia e Arteve, miqësia e të cilëve vijoji gjithë jetën! Andaj, teksa rrëfeu në atë kohë (pas pranverës së xhirimeve të filmit në luginën e Vjosës, në Përmet, në 2017-ën) për revistën BORDO për projektin e tij të ri në filmin “Delegacioni” Ndriçimi ishte gëzim plotë që po realizonte testamentin e lënë nga shoku i tij, skenaristi dhe regjisori Artan Minarolli, i cili iku fatkeqësisht nga kjo botë në një moshë të re!

 

Pas triumfit në Festivalin e Varshavës, ku filmi tashmë me regji të Bujar Alimanit u shpall Filmi më i mirë i Festivalit, Ndriçim Xhepa në një bisedë me drejtoren e revistës BORDO, Ilda Lumani tregon se: “Minarolli do ta xhironte vetë, por fatkeqësisht u nda nga jeta aq i ri dhe filmi mbeti pezull për disa kohë. Ai sapo pati dalë si drejtor nga Qendra Kombëtare Kinematografike dhe donte të xhironte”, tregon Xhepa, i cili ka qenë në bordin e QKK-së, kur u bë përzgjedhja e filmit. Më tej edhe i zgjedhur nga vetë Minarolli për të qenë pjesë e filmit. Pas disa kohësh pauzë familja e regjisorit të ndjerë vendosi, që regjisor i filmit të ishte Bujar Alimani.

I takoi Alimanit të ngrinte edhe kupën e Festivalit në 20 Tetor 2018, në Festivalin e Filmit në Varshavë. E para që merr një film shqiptar, në një kompeticion të rëndësishëm, një nga 9 Festivalet e kategorisë A. Kasti i aktorëve të njohur nuk mundi të ndante këtë emocion në skenën e Festivalit, “ne qëndruam 3 ditë në Varshavë, patëm premierën e filmit, i cili u ndoq me interes, çfarë u vu re edhe në konferencën e shtypit dhe pyetjet e shumta që morëm nga gazetarët, – dhe pastaj u kthyem në Tiranë”, tregon Xhepa. “Ndërkaq, regjisori Alimani është thirrur nga stafi i Festivalit për t’u rikthyer, me shpenzimet e Festivalit. Surpizë ka qenë se “Delegacioni” ka marrë dy çmime, dhe kur aktori shqiptaro-gjerman Kasem Hoxha i cili vijonte të ishte në Varshavë i ka thënë që ke marrë çmimin “Ecumenical”, të Festivalit, një çmim që e jepte nga Kisha Katolike e Varshavës me mbështetje të Vatikanit, për marrëdhëniet njerëzore e humanizmin, Bujari është çuditur pak, pasi mendoi se për këtë më kanë thirrur deri këtu. Por, mandej ka qenë tërsisht sfiduese, surprizuese fakti që u zgjidh Filmi më i Mirë i Festivalit”, ndan për Bordo “Mjeshtri i Madh”, aktori i gati 100 roleve, në kinema e teatër, Xhepa.

Sa i përket filmit Xhepa tregon se “Janë tre role kryesore, është Viktor Zhusti me rol kryesor të Leos, polici Alushi, që interpretohet nga Xhevdet Ferri dhe roli im shoku Spiro. Ngjarjet e filmit zhvillohen në vitet ’90 kur fillojnë dhe vinin delegacionet nga Europa. Shefi i një X delegacioni për të drejtat e njeriut që quhej Loheren dhe ka qëlluar rastësi që ka qenë mik me të burgosurin politik Leo, kur vjen në Tiranë do ta takojë. Shteti i asaj kohe bie në dijeni për këtë dhe marrin të burgosurin politik dhe e bëjnë gati që ta sjellin në Tiranë në shtëpinë e tij që ai do ta takojë”. Këtu nis gjithë ngjarja e filmit që zhvillohet brenda disa orësh. Gjithë ngjarjet zhvillohen në pak orë të udhëtimt nga burgu i largët për në Tiranë. “Është një film autor, i gjithi është në një linjë. Karaktere të dyta në këtë film janë dhe Kasem Hoxha dhe Rovena Lule, por ka dhe aktorë të tjerë nga Kosova”!

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF