Intervistë/ Eni Shehu: Ju rrëfej projektin tim ambicioz! 0 243

Ai ishte ende i vogël kur e ndiqte fshehurazi të motrën, në ambientet e televizionit dhe radios ku ajo punonte si moderatore shumë vite më parë…Nëse për Blerinën të rendte nga një mikrofon radioje në prozhektorët e studios televizive, asokohe ishte më shumë një pasion moshe, duket se këto orvatje ndezën tek i vëllai Eni dëshirën për ta kthyer shumë shpejt pasionin e së motrës në profesionin e tij. Atë kohë Eni ishte vëllai i Blerinës, ndërsa kur ajo u kthye nga Italia ku për disa vite kreu studimet, pa se tashmë gjërat kishin ndryshuar dhe se ajo ishte motra e Enit…

 Sezoni i ri televiziv sapo ka filluar. Ku do ta gjejme Enin kësaj here?

Jam duke punuar një projekt të cilin e kam shume përzemër. Nuk është një formulë e gatshme, por e krijuar nga fillimi në bazë të gjithë eksperiencës time disa vjeçare në media. Uroj që edhe ky serial i ri të shndërrohet në patentë origjinale njësoj si “Edicioni Veror”.

Cila është moderatorja apo moderatori shqiptar me të cilin do të doje shumë të punoje?

Kam një përgjigje direkte; Marina. Zakonisht kur më pyesin për kolegët mundohem të jem sa më objektiv duke marrë në analizë gjithë virtytet apo mangësitë e secilit. Por, mendoj se Marina përmbush çdo parametër që i duhet ekranit. Shumë solare, bashkëpunuese, yll e bukur, punëtore.

Ti ke provuar edhe prezantimin edhe autorësinë e një programi; ku e gjen veten më mirë?

Jane dy zhanre krejtësisht të kundërt. Unë i kam bërë paralelisht, por besoj se më produktiv do isha nëse do bëja vetëm njërën nga të dyja, cilado qoftë.

Megithatë në një studio të mirëfilltë televizive ende nuk të kemi parë; është në planet e tua?

Të them të drejtën jam “kundër” studiove televizive, të paktën këto që shohim në ekranet shqiptare. Mënyra ime e të bërit tv, për shkak edhe të eksperiencës së mëparshme si gazetar terreni, është t’i afrohet sa më shumë realitetit të përditshëm, pa ndërhyrjen e efekteve speciale. Qoftë dhe shoë-n, gëzimin apo hidhërimin që të tjerët e ndërtojne me skenare nëpër studio, unë përpiqem ta gjej në jetën e vërtetë të personazheve.

Sa ka ndikuar motra juaj Blerina në zgjedhjen e profesionit që ti ke sot?

Shumë. Kam qenë i vogël kur e ndiqja fshehurazi nëpër rrugica dhe pastaj i shfaqesha në mbledhjet me kolegët e televizionit, a thua se isha pjesë e stafit (tek TVA ku ajo dikur punonte). Më tërhiqte rrethi i njerëzve të medias, mendoja se dhe unë kisha pjesën time që duhet ta thoja e të dëgjohesha. Unë po rritesha në një ambient ku diskutohej për muzikën, filmin, artistët. Ky ishte ndikimi më i madh.

Jeni krejt të ndryshëm në moderim, ke ti ndonjë kritikë për Blerinën në mënyrën si ajo bën televizion?

Për Blerinën në vetvete aspak. Më pëlqen jashtëzakonisht mënyra e saj e komunikimit dhe roli në emisionin e mëngjesit. Kritikë që i kam thënë, janë të ftuarit dhe kronikat që ndonjëherë më duken të lodhura.

E ndjek programin e Blerinës në mëngjes?

Po sigurisht. Unë jetoj me familjen dhe është e paimagjinueshme të mos zgjohemi me TVSH-ne në sfond. Në përgjithësi është një emision që të motivon, të jep energji të mirë.

Nëse do t’ju jepej mundësia për të bërë një program sëbashku, çfarë natyre do të kishte ky program?

Po unë po e hedh një fjalë, mbase e lexon ndonjë nga drejtuesit e TVSH intervistën: Festivalin e Fundvitit.

Krahas televizionit, duket se të pëlqen edhe aktrimi! Ka ndonjë projekt ambicioz që mund ta ndash me ne?

Me aktrimin, përveç pasionit më lidh një diplomë Akademie dhe katër vite të paharrueshme si student. Në pranverë ishte premiera e filmit tim të parë të gjatë, në rolin e protagonistit kurse tani në vjeshtë, mezi po pres që “Ndërkombëtarët” të bëjë xhiron e festivaleve jashtë vendit. Uroj që me këtë rast, të kap ndonjë bashkëpunim dhe aq më mirë të jetë projekt ambicioz.

 

Marrë nga Revista Bordo botimi Tetor/ Nëntor 2018

Previous ArticleNext Article