Fizioterapisti Petrit Drini shpjegon gjithçka duhet të dini për skolioza-n dhe si t’a trajtoni! 0 158

Çfarë është skolioza?

Një shtyllë normale, kur vështrohet nga pas duket e drejtë. Megjithatë, një shtyllë kurrizore që është e prekur nga skolioza jep shenja të një harku nga njëra anë ose në të dyja anët duke bërë që shtylla kurrizore të duket si një “S” ose “C” dhe me një rrotullim të vertebrave të kurrizit, duke dhënë përshtypjen që personi anon më tepër në njërën anë. Skolioza zakonisht përcaktohet si një hark i shtyllës kurrizore të matur në 10 gradë ose më shumë.

Skolioza është një lloj deformimi i shtyllës kurrizore që nuk duhet ngatërruar me një qëndrim (posturë) të keqe. Harku i shtyllës kurrizore prej skoliozës mund të krijohet në anën e djathtë ose të majtë të shtyllës, ose në të dyja anët në seksione të ndryshme. Skolioza mund të shkaktohet në pjesën torakale (të kraharorit) ose lumbare (të mesit) në shtyllën kurrizore.

Adoleshenca e hershme, veçanërisht mosha ndërmjet 11 dhe 14 vjeç është koha ideale për të kontrolluar shtyllën kurrizore për skoliozë. Skolioza mund të përparojë gjatë adoleshencës nëse nuk trajtohet gjatë kësaj periudhe. Kështu që, kontrolli dhe trajtimi në një fazë të hershme mund të përmirësojë tepër mirëqenien, fuqinë dhe forcën muskulore.

Çfarë e shkakton skoliozën?

Në më shumë se 80 përqind të rasteve, shkaku i skoliozës është i panjohur – një problem që quhet skoliozë idiopatike. Skolioza është më e shpeshtë tek femrat se sa tek meshkujt. Gjithashtu, nga statistikat është parë se 3 në 1000 fëmijë zhvillojnë harqe në shtyllën kurrizore që konsiderohen si të mëdha për të kërkuar trajtim.

Janë tre lloje të ndryshme skoliozash që ndodhin tek fëmijët – konginentale (që shfaqet që në lindje), neuromuskulore, ose idiopatike. Skolioza konginentale ndodh gjatë fazës së zhvillimit të fetusit. Shpesh shkaktohet prej faktorëve si mos formim normal i vertebrave, mungesë të vertebrave, vertebra të zhvilluara pjesërisht apo mungesë në ndarjen e vertebrave.

Skolioza neuromuskulore shoqërohet me shumë probleme neurologjike, veçanërisht tek ata fëmijë të cilët nuk ecin, me probleme të tilla si spina bifida, distrofi muskulore, probleme paralize, tumore në palcën e shtyllës kurrizore, etj.

Skolioza idopatike shkaktohet nga shkaqe të panjohura. Ekzistojnë tre lloje të skoliozave idiopatike që përfshijnë:

  • Infantile (skolioze që ndodh nga lindja deri në moshën 3 vjeç)
  • Juvenile (skoliozë që ndodh në fëmijët ndërmjet moshës 3 deri në 10 vjeç)
  • Adoleshente (skoliozë që ndodh gjatë moshës 10 deri 18 vjeç).

Skolioza e moshës së fundit ndodh më shpesh tek vajzat. Shkaqe të tjera të skoliozës mund të përfshijnë probleme të trashëguara, diferenca në gjatësinë e këmbëve, dëmtime, infeksione, tumore, etj.

Cilat janë simptomat e skoliozës?

Më poshtë janë simptomat më të shpeshta të skoliozës. Megjithatë, çdo fëmijë mund të shfaqi simptoma të ndryshme. Këto përfshijnë ndryshime në lartësinë e shpatullave, koka që nuk është në qendër me pjesën tjetër të trupit, diferenca në pozicionim të skajeve të kockës së legenit, mbajtja e duarve prapa trupit gjatë qëndrimit drejt, diferenca në lartësinë e kurrizit kur përkulemi përpara, etj.

Dhimbja në kurriz, legen dhe ndryshime në shpeshtësinë e shkarkimit të zorrëve apo fshikëzës së urinës janë të shoqëruara me skoliozën idiopatike. Një fëmijë që shfaq këto simptoma duhet të bëjë patjetër vizitë mjekësore.

Simptomat e skoliozës mund të ngjajnë dhe me probleme të tjera të shtyllës kurrizore ose mund të vijnë si pasojë e një dëmtimi apo infeksioni. Gjithmonë konsultohuni me mjekun përkatës për një diagnozë të duhur.

Skolioza mund të diagnostikohet nëpërmjet grafive me rreze X që është zakonisht mënyra më e shpeshtë për diagnostikim, por dhe nëpërmjet rezonancës magnetike që është një procedure e kompjuterizuar që jep imazhe më të detajuara të organeve dhe strukturave të trupit. Diagnostikimi sa më i hershëm i skoliozës është i rëndësishëm për një trajtim të suksesshëm.

Cili është trajtimi për skoliozën?

Trajtimi specifik për skoliozën përcaktohet në bazë të:

  • Moshës, gjendjes së përgjithshme shëndetësore dhe historikut mjekësor të personit
  • Shkakut të skoliozës
  • Kohëzgjatjes së problemit
  • Tolerancës së fëmijës/të rriturit për medikamente, procedura apo terapi të caktuara
  • Pritjeve për vazhdimësinë e problemit

Qëllimi i trajtimit është të ndalohet progresi i harkut dhe të shmanget ndonjë deformim i mundshëm. Trajtimi mund të përfshijë vëzhgime dhe ekzaminime të vazhdueshme që mund të jenë të domosdoshme për të përcaktuar nëse shtylla kurrizore vazhdon të lakohet. Këto vëzhgime kryhen kur personi ka një hark më të vogël se 25 gradë dhe harku vazhdon duke u rritur. Progresi i harkut varet nga procesi i rritjes së skeletit, ose maturisë së skeletit të fëmijës. Progresi i harkut ngadalësohet ose ndalon pasi fëmija arrin moshën e pubertetit.

Protezat ortopedike mund të përdoren kur harku është më shumë se 25 gradë, por rritja e skeletit është në proces. Mund të jetë e nevojshme dhe nëse personi që është në rritje ka harkun ndërmjet 20 dhe 29 gradë që nuk po përmirësohet. Tipi dhe lloji i protezave ortopedike si dhe kohëzgjatja e përdorimit varen nga gjendja e fëmijës.

Trajtimi i skoliozës është i individualizuar për çdo fëmijë në varësi të moshës së tij/saj, harkut dhe kohës që ka mbetur për rritjen skeletore. Skolioza kërkon ekzaminime të shpeshta për të monitoruar harkun gjatë fazës së rritjes dhe zhvillimit të fëmijës. Nëse lihet pa trajtuar, skolioza mund të shkaktojë probleme me funksionimin e zemrës dhe të mushkërive.

Metoda e trajtimit Schroth

Një nga trajtimet për skoliozën është metoda Schroth që është një trajtim tre dimensional nëpërmjet ushtrimeve për të zgjatur trungun dhe korrigjuar çekuilibrat e shtyllës kurrizore. Qëllimi është që të zhvillohen muskujt e brendshëm të kafazit kraharor në mënyrë që të ndryshojnë formën e pjesës së sipërme të trungut dhe të korrigjohen anomalitë e shtyllës kurrizore. Vetëm fizioterapisti i specializuar në këtë lloj metode trajtimi mund të udhëzojë pacientin për ushtrime specifike për të drejtuar, sjellë në qendër dhe rrotulluar shtyllën kurrizore nëpërmjet metodave korrigjuese të frymëmarrjes.

Qëllimet e ushtrimeve janë:

  • Stabilizimi i harkut/harqeve
  • Mobilizimi i pjesëve të trupit që s’janë në lëvizje
  • Përmirësimi i linjës posturale
  • Mësimi i aktiviteteve specifike të përditshme
  • Nxitja e korrigjimeve
  • Përmirësimi i kontrollit neuro-muskular
  • Rritja e forcës dhe rezistencës së muskujve
  • Reduktimi i dhimbjes
  • Përmirësimi i funksionit kardio-pulmonar

Kjo metodë mund të përdoret për trajtimin e pacientëve me skoliozë të të gjitha moshave dhe mund të përdoret për trajtimin e të gjithave fazave të skoliozës përfshi këtu dhe fazën pas ndërhyrjeve kirurgjikale që mund të jenë kryer.

Ushtrimet specifike jepen në bazë të llojit të harkut, gradëve, si dhe funksioneve dhe lëvizshmërisë së pacientit. Qëllimi është që të krijohet një vetëdije për një posturë dhe linjë të re nëpërmjet pozicioneve, përsëritjeve dhe frymëmarrjes. Pozicionet e ushtrimeve mund të modifikohen në mënyrë që të krijohet pozicioni optimal për pacientin. Terapistët e metodës Schroth e udhëzojnë pacientin për stimuj taktik në mënyrë që pacienti të kuptojë nevojën për frymëmarrje dhe zgjatim për të krijuar aktivizim të muskujve që të korrigjojë harkun.

Reduktimi i harkut të shtyllës kurrizore varet nga gjatësia e kohës që pacienti ka patur skoliozën. Qëllimi është që të reduktohet harku, por mbi të gjitha të ndalohet progresi i harkimit të mëtejshëm. Programi sipas kësaj metode varet nga vlerësimi individual. Seancat e trajtimit variojnë në kohëzgjatje në varësi të problemit dhe sipas këshillimit të terapistit të specializuar. Vazhdimi i programit të ushtrimeve në shtëpi është një përkushtim jetësor në mënyrë që të ruhet korrigjimi i posturës. Rekomandohet ri-vlerësimi cdo 2-3 muaj pasi keni mbaruar seancat e trajtimit dhe terapisti ju udhëzon se kur duhet të riktheheni.

Klinika BALANCE është e specializuar në kryerjen e trajtimit të problemeve të skoliozës sipas metodës së trajtimit Schroth. Në këtë klinikë i jepet një vëmendje e veçantë trajtimit të skoliozës sidomos për moshat e hershme, pasi sa me herët të fillojë trajtimi aq me efektiv është ai. Të gjithë ju që keni fëmijë, këshillohet që të bëni vizita të rregullta tek specialisti për të verifikuar korrektësinë e shtyllës kurrizore të fëmijës apo adoleshentëve. Trajtimi i skoliozës që Klinika BALANCE kryen, aplikohet edhe për të rriturit të cilët kanë probleme me shtyllën kurrizore, sipas programit të personalizuar që terapisti këshillon.

Çdo konsultë e kryer pranë Klinikës BALANCE me personin e specializuar për trajtimin e skoliozës, është falas.

Petrit Drini

Klinka Balance fizioterapi

www.klinikabalance.com

 

Previous ArticleNext Article