KreuStil Jetese

Jeta është një koleksion me gjëra të vogla të përditshme!

Për Tiranën dhe njerëzve që janë larguar për tu kthyer vetëm si vizitorë të heshtur që herë pas here lënë gjurmë vetëm në kujtimet e tyre.

Mendimet e saj ishin si qukat në lëkurë sa herë që ajo vizitonte atë qytet. Fillonte lehtësisht me të nxehtin e ditës që lodhte edhe pluhurin përreth dhe përfundonte me netët e Jazz-it. Ky qytet ishte si një rrjet i pluhurosur në trupin e saj që ndryshonte forma sa herë që ajo e vizitonte. Instinktivisht, qyteti kishte një efekt të çuditshëm tek ajo, pothuajse një koktejl bukurie dhe shëmtie, një fushëbetejë mes groteskes dhe thjeshtësisë.

Nuk e vizitonte shpesh atë qytet. Çdo herë që ata përballeshin me njëri-tjetrin dukej sikur udhëtonin në drejtime të kundërta. Ajo plakej dhe qyteti rinohej. Me ledhatime narciziste qyteti vazhdimisht vetë-reklamohej sikur kishte vajzat më të bukura, kafetë më të mira, dhe thashethemet më të imagjinueshme që i quanin pa ndrojtje, “terapike”. Çudia fillonte me dritat, në mënyrë alergjike kishte një problem me energjinë elektrike pasi lidhja vinte dhe ikje kur kishte qejf, edhe pse për habinë e saj, lidhjet e internetit kishin pushtuar në perfeksion të gjithë qytetin. Shtëpitë në ndërtim e sipër ishin të shpërndara kudo, nga të dyja anët e rrugës. Jeshillëku mezi dukej vërdallë, si jetim, jo aq i fuqishëm sa pisllëku. Por për atë, nuk ishte dhe aq pamja që e impresiononte, sesa aroma që vinte.

Qyteti kishte një diçka të veçantë që ngacmonte kujtesën e saj dhe ishte ndjesia e aromës së çuditshme. Ky qytet mbante erë si qumësht i djegur.

Grupe vajzash shiheshin të shpërndara nëpër qytet, ndiheshin të pakujdesshme, si personazhe thashethemesh nëntokësore. Nën bukurinë e një nate, i rastisi të rrinte një natë me një grup të tillë vajzash. Edhe pse i njihte shumë pak, u ndje në mënyrë spontane e mirëpritur. Feminiliteti ishte një komponent i detyrueshëm, ndërsa ndjeshmëria delikate ndihej herë pas here gjatë bisedës së paçensuruar. Qëndrimi rebel ishte prezent në çdo moment, kur trazonin koktejlin me pije të buta, deri në madhështinë e duhanpirjes i eksituar nga kuqësija e buzëve. Seksualiteti ishe më shumë se prezent, i vetkënaqur, xheloz dhe i pudrosur me arrogancë joshëse.

Me koketëri, mendimet e saj rrugëtuan përgjatë mbrëmjes padashje, moment pas momenti, çdo lëvizje sensuale. Një ngrohtësi që vetëm ajo e ndjeu, surprizoi edhe atë kur papritmas, një kujtim nga dashuria e saj e hershme u shfaq në imagjinatën e saj. Duhet të ketë qenë diçka e pandërgjegjshme që ngacmoi mendimet e saj, megjithëse asaj i pëlqeu kjo ndjesi. Mendja e saj i kujtoi momente që ajo besonte se i kishte harruar plotësisht. Koha ishte kalimtare, si ajo, u largua për të mos u kthyer më kurrë.

Do ishte e pamundur për tu ndjerë ndryshe, megjithatë ajo ende besonte si atëherë, që dashuria ia vlente më shumë edhe pse me cinizëm shqetësonte vëmendjen e kujtdo. Në mendjen e saj, ai ishte i ulur para saj. Ajo kujtonte të njëjtat karakteristika si të ishin lënë me bujari të paprekura ndër vite. Megjithëse mendimi ishte një grimcë e kujtesës së saj pas një përgjumësie të gjatë, nuk ndjeu aspak nostalgji, por kujtimet ishin të mjaftueshme për të kënaqur vrullin e momentit rebel të saj.

Çfarë e tërheq apo rebelon një person shumë vite më pas, edhe pse në mungesë?- pyeti ajo rastësisht.

Vetëm kujtimet, ose vetëm perceptimet e kultivuara, ndoshta të ndërlikuara me histori të tjera. Sofistikimi i gjuhës që shkaktoi fluturimin e mendjes së saj diku tjetër papritur u shndërrua në mendim elegant. Lëkura e saj ndjeu se po luante nje lojë erotike, jo aq seksuale por më tepër estetike. Ajo e quajti një orgazëm intelektuale që të kënaqte po aq sa një gjëegjëzë që të lë pa fjalë.

Ndjeu se ishte e dashuruar atë moment me ndjenjën vetë. Mendimet e saj kënaqën imagjinatën duke u harruar paksa në flladin e ëmbël të mesnatës që ky qytet dhuronte me zemërmadhësi. Për disa çaste, ishte ai fllad qe skllavëroi atë të ndjejë diçka që se kishte vëne re ndër vite, shikimin me mall të dikujt për të, buzeqeshjen, qetësinë që të jep një ndjenjë edhe pse padrejtësisht e harruar. Atë mbrëmje ajo e pranoi të ishte robëruar nga kujtime që i ishin ngjitur si qukat në lëkurën e saj. Një sekret ky që i takonte vetëm asaj duke e fshehur me naivitet midis të qeshurave çapkëne të vajzave përreth. Atë natë ajo udhëtoi zbathur nëpër rrugicat që i dhuroi flladi i mbrëmjes pa lënë pas qukat që vizatuan lëkurën e saj.

 

©Fatjona R. Lubonja

Dr. Lubonja është autore dhe studiuese në fushën e Edukimit dhe Neurologjisë Shkencore. Ajo është Fellow në institutin prestigjoz të studimeve të trurit “Zuckerman Brain & Mind Institute, Columbia University, New York”

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF