KreuCelebrity

Ata janë MAGJIA e “Kënga Magjike 2018”!

 

Nada Biraçi

Sot është ‘heshtje zgjedhore’ e “Kënga Magjike”. Pas përfundimit të dy netëve gjysmëfinale, ku artistë ‘Big’ e të rinj performuan live në Pallatin e Koncerteve të kualifikuarit për në finalen e së shtunës me siguri janë sot nën ethet e garës për çmimin e madh. Fakt është që Kënga Magjike në çdo edicion të saj ka nxjerrë hite e këngë që i kanë rezistuar kohës, por si asnjëherë më parë në këtë festival  janë 26 artistë të rinj që kanë kaluar në fazat gjysmëfinale e ky numër i madh nuk është aspak rastësisht. Duket se prurjet e reja këtë vit jubile të kompeticionit të këngës moderne, kanë qenë të denja në kuptimin e plotë të fjalës. Nëse edicionet e kaluara kanë qenë gjithmonë emrat Big ata që janë lakuar si fitues të çmimeve të rëndësishme, e që këngët e të cilëve janë memorizuar nga publiku, shpesh duke parashikuar edhe fituesin, duket se këtë vit ‘rregullat e lojës’ kanë ndryshuar. Prozhektorët kanë kaluar tek artistët e kategorisë së të rinjve; Dhe jo më kot!

Çdo javë në “E diela Shqiptare” patëm mundësi të njiheshim me prurjet e reja, e çdo javë jemi surprizuar njësoj sa juria të cilëve i është dashur të shtypin shumë shpesh butonin jeshil; në shumicën e kohës të magjepsur nga talenti që ndodhej përballë tyre. Në netët gjysmëfinale si dëshmi të talentit të tyre, konkurentët e kategorisë së të rinjve në KM shkundën sallën e Pallatit të Kongreseve,  ndoshta edhe më shumë se BIG-ët e festivalit. Tejet të denjë për një garë të përmasave të tilla, Krusita, Wendi Mancaku,  Xhon Jesku, Viola, Xhoi e shumë emra të tjerë fare të panjohur por pa asnjë dallim me të njohurit e skenës, i sollën këtij edicioni Magjinë që kurrë më parë nuk ishte hasur tek konkurentët e rinj.

Sipas rregullores së “Kënga Magjike” për kategorinë e të rinjve, Juria ka të drejtë të çojë në natën finale vetëm një prej konkurrentëve; e këtu me të vërtetë ‘ua qajmë hallin’ Manjolës, Armendit, Arbenit, Orindës e Orgesës, pasi me siguri do ta kenë tejet të vështirë të përgjedhin më të mirin, mes kaq shumë të mirëve.

Megjithatë ndonëse finalen e së shtunës vetëm njëri prej artistëve të kategorisë së të rinjve do të ngjitet sërish në Pallatin e Koncerteve, fakt është se BIG-ët e këngës shqiptare më shumë se kurrë këtë vit, ‘luftën’ nuk e patën vetëm me njëri-tjetrin, por edhe më Të Rinjt, që shumë shpejt do të bëhen BIG.

Ata ishin MAGJIA e edicionit të 20-të të Kënga Magjike! 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF