KreuInterior

Kristina Rexhaj arkitektja që u jep jetë materialeve të çuditshme!

Ajo ka përfunduar studimet për Arkitekturë, por për momentin talentin e saj Kristina Rexhaj ja ka kushtuar krejtësisht pasionit për t’i dhënë jetë një materiali tejet të veçantë siç është rezina. Në studion e saj Oniro, artistja e re ‘jeton’ mes ngjyrash e objektesh të cilat i kthen në sa më funksionale dhe të veçanta për secilin prej nesh. Nëse doni një dhuratë speciale dhe të personalizuar Kristina do të dijë t’u vijë në ndihmë për të surprizuar të dashurit tuaj, aq më tepër këto ditë festash!

 Pse zgjodhët pikërisht rezinën, këtë material të veçantë për punimet tuaja?

Përdorimi i rezinës fillimisht ka ardhur si nevojë pasi është një material i cili është shumë rezistente ndaj faktorëve të jashtëm siç është  uji gjë që është e domosdoshme për punimin e objekteve me përdorim të përditshëm siç janë tabakatë dhe derrasat e kuzhinës. Gjithashtu arsyeja që unë e përdor në tavolina dhe piktura është se ka një efekt të mrekullueshëm reflektues që i ngjason xhamit!

Cili është krijimi më i çuditshëm që keni bërë më këtë material?

Unë çdo ditë eksperimentoj për të sjellë risi dhe produkte të reja por mund të them një nga produktet më të veçanta që kam krijuar me rezinë ka qenë një maus kompjuteri kuptohet dekorativ i cili u pëlqye shumë sidomos nga adhuruesit e teknologjisë.

Çfarë mund të gjejnë klientët në studion tuaj, Oniro?

Në studion tonë klientët mund të gjejnë çdo gjë që arredimin e shtëpisë së tyre duke filluar nga pikturat, tavolinat e duke vazhduar me aksesorë të tjerë që gjithashtu mund të jenë një ide shumë e bukur për dhurata unike. Gjithashtu mund t’i personalizojnë ato me dizajnin dhe ngjyrat që ata duan.

Si arrini ta krijoni balancën mes funksionit dhe estetikës?

Në fakt vështirësia për të kompozuar diçka të bukur rritet kur kemi të bëjmë  objekte të vogla dhe me forma të çuditshme pasi vetë teknika e ekspresionizmit abstrakt siç e dimë dhe nga historia kërkon hapësira shumë të mëdha. Pas shumë provave të vazhdueshme mund të them që kam arritur të gjej balancën mes funksionit dhe estetikës, duke ju përshtatur formave të objekteve dhe duke nxjerrë në pah anën më të bukur të tyre.

Krijimet tuaja mund t’i kenë edhe klientët jashtë Shqipërisë. Cilat punime kryesisht kanë patur më shumë interes tek të huajt?

Mbështetësit më të mëdhenj  që jetojnë jashtë kufijve  mund të them me plot gojën që janë shqiptarët. Punimet më të kërkuara kanë qenë tavolinat me rezinë si dhe pikturat.

Keni menduar të hapni një ekspozitë?

Ekspozita ime e parë ka që në Maj të vitit 2017 dhe për momentin jam duke punuar fort për ekspozitën që do zhvilloj në pranverë të vitit 2019. Do të ketë punime të cilat nuk janë prezantuar deri tani, do të jetë diçka shumë ndryshe një kombinim elegant i pikturës abstrakte dhe asaj realiste. Vetëm kaq mund t’ju them për momentin.

Ju keni kryer studimet për arkitekturë; e mendoni të ardhmen si një arkitekte mirëfilli?

Për momentin jam fokusuar totalisht studios dhe po e shijoj shumë por ndërkohë po merrem privatisht dhe me interior design. Si arkitekte normalisht që do filloj të punoj sepse është profesioni im dhe e dashuroj por do mundohem të gjej një të mesme të artë për t’i kombinuar të dyja!

 

 

 

 

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF