Manjola Nallbani për Bordo: Sekreti është dashuria

Beson se dashuria lëviz botën, një sekret që i dhuron një ndjesi pozitiviteti pa kufi, cilësi që reflektohet qartazi me miqtë, njerëzit e dashur, e padyshim në skenë

Nga: Olsi Kolami

Foto: Geljant Kaleci

E veshur totalisht me të zeza, një bionde gjithmonë do të binte në sy, por kur ajo është Manjola Nallbani, dhjetëra sy kureshtarë nuk do të mund të ngeleshin pa kthyer kokën, qoftë edhe për një përshëndetje. Ajo është nga ato portrete që fiksohen lehtësisht, edhe pse gjithnjë tenton të hyjë e dalë nga çdo ambient pa rënë fare në sy. Me një lëvizje të kokës përshëndet, sikur është ende në skenë, një formë respekti i detyruar ndaj kujtdo që përzemërsisht i dedikon qoftë edhe pak sekonda për t’i thënë thjesht “Mirëmëngjes”.

Sepse ajo është Manjola, fituesja e disa festivaleve, ajo që me refrenet e këngëve të saj, na ka bërë të pëshpëritim shpesh me vete, t’i dedikojmë njerëzve tanë më të dashur ndonjë strofë. Nuk e fsheh aspak se gjithë ç’ka duket pas atij sharmi nuk është sekret: nuk merret me asnjë lloj sporti, as ndonjë dietë, por falë gjeneve që ka trashëguar. “Nuk merrem me sporte për hir të së vërtetës, por jam gjithë kohën në lëvizje. Edhe në Akademi kur jap mësim, pjesën më të madhe të kohës qëndroj në këmbë”- e nis rrëfimin këngëtarja. E si për të përligjur elegancën, çaji që porosit, ndryshe nga rutina e kafesë që parapëlqejnë të gjithë, reflekton qartazi se zgjedh të konsumojë çdo gjë sa më të shëndetshme. “Përpiqem të bëj një jetë të shëndetshme. Kurrë nuk kam pirë duhan ose alkool, ndërsa për sa i takon ushqyerjes, që kur kam qenë në familjen e prindërve e deri më sot, preferoj të konsumoj ushqimin e shtëpisë. Madje edhe vajzat përpiqem t’i disiplinoj të mos konsumojnë ushqimet e fast foodeve, sepse i dedikohem vetë gatimit”-zbulon ajo një pjesë tjetër të sekretit të pamjes së saj.

Kënga e saj më e re sapo ka dalë. Rrëfen se i është dashur të udhëtojë në Veri të vendit, pasi kishte menduar çdo detaj të videoklipit me të vëllain, i cili është njohës i mirë i kamerës. “E veçanta e kësaj kënge është se poezia është shkruar nga unë”-këmbëngul të tregojë ajo. Pranon, se kjo nuk është hera e parë që e gjen kënaqësinë e të shkruarit mes rreshtash, duke theksuar se ka nisur të hedhë vargje shumë vite më parë. ‘”Poezia ime e parë ka qenë për luftën në Kosovë. Ka qenë një nga këngët hit, një himn për atë periudhë, me një simbolikë të fortë, e cila përcjell një ndjeshmëri të shqiptarëve të Kosovës kudo që jetonin. E krijova në një moment emocioni të fortë, pikërisht në fillim të luftës së Kosovës kur shqiptarët u dëbuan nga trojet e tyre”-kujton Manjola, periudhë e cila u shoqërua me një turne me mbi 90 koncerte kudo ku kishte shqiptarë.

E nuk ka më bukur, kur tingujt që i përshkojnë në deje një artisteje si Manjola, ngjizen me poezinë, vargje që i shkruan vete, ndoshta një simbiozë kjo të cilën e ka provuar më shumë se asnjëherë tjetër kur shkroi e më pas këndoi në Festival “Kjo botë merr frymë nga dashuria”. “Besoj se energjia më e madhe që lëviz botën është dashuria: dashuria për këdo. Sa më shumë ti të kesh energji të mirë dhe të përhapësh këtë energji, aq më shumë do vërtitesh rreth saj dhe do të tërheqësh të njëjtën gjë”. Këtë poezi e shkroi shumë kohë para se të rrëmbehej nga dy libra “Sekreti’ dhe “Shpirti”, ku edhe gjeti shumë nga ato gjëra që lexoi mes faqesh. Më pas ka shkruar edhe një baladë, e cila u bë pjesë e albumit “Tingujt e shpirtit tim”, ndaj poezia e këngës së fundit është e katërta, por jo më pak e rëndësishmja. “Është një këngë alegro me ritme dance. Muzika është shkruar nga Enis Mullai, një student i talentuar në Akademi. Klipi është realizuar nga vëllai im Erald Nallbani të cilit i besoj gjithnjë”.

Nuk e fsheh se të shkruarit e poezive e ka ndihmuar, ndaj edhe ka zgjedhur një bashkëpunim, i cili e ka orientuar drejt notave më ritmike. “Eksperienca është shkolla më e madhe dhe më e rëndësishme. Vitet të krijojnë një lloj pjekurie. Unë kam lexuar që e vogël dhe është shumë interesante, sepse besoj që mund të bëj mirë, atë që di të bëj më mirë. Të shkruarit poezi më ka ndihmuar, sepse çdo varg që kam lexuar deri tani, çdo fjalë më vjen në mënyrë natyrale”. Sepse siç Manjola na shpjegon, është gjithnjë shumë e qartë në konceptin që ajo ka për çdo detaj, jo vetëm tek muzika apo teksti, por edhe kur vjen puna të videoja.

Pak ditë para se të takoja Manjolën, rastësisht gjeta në youtube, një këngë të vjetër të kënduar me disa artistë. E kujtoi përnjëherësh, sikur donte të tregonte se shumë nga këngët e saj të kënduara në skenë prej dekadash, edhe pse nuk gjenden në internet, kanë mbetur ende gjallë. “Kjo tregon se kënga nuk ka modë. Modë ka klipi, veshja dhe imazhi, por jo kënga, ndryshe nuk do të këndohej ende Mozarti”-thekson këngëtarja e madhe e skenave. Nuk e mohon se shumë prej këtyre këngëve që nuk janë pjesë e rrjetit virtual edhe mund të jenë harruar, por mjafton një ngacmim, një tingull për të sjellë menjëherë në kujtesë gjithë këngën. Ndaj edhe Manjola ka vendosur që t’i rikthehet disave prej tyre, t’i gjallërojë përmes imazhit, sepse ndoshta shumë prej tyre janë mbuluar nga një tis i hollë i pluhurit të kohës.

“Së shpejti do të rikthej me klipe disa nga këngët e mia, si “Kur e humba një dashuri” apo ‘Ike me dallëndyshet”. Janë këngë rreth 30 vjeç dhe kur njerëzit i dëgjojnë thonë “ua, sa e bukur”- thotë ajo. Një rigjallërim ndoshta i repertorit të saj padyshim do të bëjë të mundur rikthim në vëmendje të këngëve që shumë prej nesh ndoshta i dinë përmendësh, por mund t’i kenë harruar.

Edhe pse një këngëtare lirike, duket se kënaqësinë që i jep mësimdhënia, nuk e zëvendëson me operën. Manjola Nallbani ka krijuar për herë të parë në historinë e Akademisë një degë ku mësohen tre gjini: muzikal, muzikën popullore të përpunuar dhe muzikën e lehtë, të huaj dhe shqiptare. “Në 11 vite eksperiencë kam sjellë një kurrikul bashkëkohore. Madje u them edhe studentëve tani duhet të funksiononi 3 dhe 3d. Gjithashtu unë vijoj të jap mësime kantoje në Akademi, por besoj se të gjithë studentëve duhet t’i jepet mundësia të lëvrojnë të treja këto gjini”. Duket e pabesueshme kur dëgjon një artiste, që i jep kënaqësi mësimdhënia, pasi jemi mësuar të shohim një egoizëm tek artistët, duke u mbyllur brenda guackës së suksesit, por Manjola Nallbani mendon krejt të kundërtën.

Pas kaq vitesh karriere, nuk është penduar që koha që i ka dedikuar familjes së saj ka qenë busulla që e ka orientuar në çdo hap. Nuk i është dashur të sakrifikojë për asnjë arsye familjen për karrierën, sepse është nga ato artiste që beson se koha për njerëzit e dashur nuk vjen, ndërsa për skenën gjithmonë ka kohë. Pa kurrfarë grime dyshimi, asaj i pëlqen të bëjë më shumë rolin e nënës. Nuk ngurron t’i rrokë fort vajzat me përqafime dhe të jetë po kaq bashkëshorte e dedikuar, kur koha e saj është gjithnjë e mirë organizuar për të bërë. “Kam bërë një gjë shumë të mirë, sepse në pjesën më të madhe të karrierës time i kam bërë pjesë edhe vajzat. Edhe nëpër koncerte kur shkoja i merrja me vete vajzat, sepse doja që të ishim bashkë. Për të parë edhe ato me sytë e tyre se si mami i tyre e bën karrierën”. I njëjti parim e ka udhëhequr dhe në raport me bashkëshortin, një personazh i njohur i jurisprudencës me të cilin ka ndarë momentet më të bukura familjare, njëkohësisht dhe suksesin e saj.

Kur vjen fjala për kohën e lirë, përpiqet që ta mbushë me aktivitete të dobishme. Nuk e mohon se ka shumë njohje dhe pak miq, ata më të zgjedhurit, sepse beson, tek një këshillë e mamasë së saj, se fuqia më e madhe e miqësisë qëndron tek njerëzit e gjakut, familja, janë ata njerëzit që i do dhe e duan pa kushte. Një prej kënaqësive të saj më të medha e zë leximi. “Sa herë udhëtoj marr me vete dy libra, një për vajtjen dhe një për kthimin. Librat janë një kënaqësi e madhe, të cilëve u dedikoj shumë kohë” – përfundon këngëtarja dhe fituesja e disa çmimeve në festivale.

 

Marrë nga Revista Bordo, botimi Qershor-Korrik 2018

 

Previous ArticleNext Article