KreuArt

Ekskluzive Viktor Zhusti: Po jetoj vjeshtën e katërt!

Nga Ilda Lumani

Foto: Fani Aliko

Zilja e telefonit bie pesë herë… Viktori nuk e hap! I çoj një mesazh. Menjëherë më përgjigjet. “Flasim, për gjithçka, veç jo për INTERVISTË. Dakort?”. “Po për motin?”, – i them… Pas një jave kur edhe intervista kishte përfunduar, dhe ai si një merakli i madh ma sjell në dorëshkrim (sepse këtë herë edhe kompjuteri ishte treguar kapriçoz si ai), më thotë gati në mënyrë urdhëruese, me buzqëeshjen e tij, që nuk e merr vesh 100 përqind nëse është e vërtetë, gjysmë e vërtetë, në gjendje të lirë, apo ironike, – “kjo është intervista e fundit që të jap”! Por, në këtë rast suksesi i Leos dhe “Delegacionit” ishin motiv shumë i fortë për të realizuar këtë intervistë, edhe arsyeja përse Viktor Zhusti pranoi të rrëfehej për BORDO. “Nuk besoj se do ndodhë së afërmi që një tjetër film shqiptar të fitojë një festival të kategorisë A”, – i them. “Që ta shoh sa të jem unë jo e jo”, më thotë. Në fakt, nuk është aspak pesimist për kohën që ikën. Përkundrazi! E jeton jetën në një mënyrë të adhurueshme. Me një rregull strikt, ushqehet si vegjetarian, stërvitet, ecën shumë, nuk e përdor makinën në qytet, noton, merret me peshkim dhe ka pasur një periudhë kaq impenjuese sa nuk bëhet! Shfaqja “Terrori” e mbajti për disa netë në skenë, mandej festivalet e ndryshëm, ku shkoi me “Delegacionin”, (Varshavë, TIFF, Selanik), ndërsa këtë muaj do ta shohim në dramën “Krishtlindjet e fundit”, si dhe në prezantimin e Festivalit në RTSH, të cilin e ka prezantuar edhe para 47 vitesh, në edicionin e tij të 10-të!

“Delegacioni” ka qenë kryefjala e kulturës këtë vjeshtë në Tiranë. I pari film shqiptar që shpallet “Filmi më i mire” në një festival të kategorisë A, siç është festivali i filmit në Varshavë.Ku ishit kur e morët vesh lajmin dhe me kë e ndatë të parin? Çfarë emocioni ndjetë?

Vlerësimi i “Delegacionit” me çmimin e madh si “Filmi më i mire” në edicionin e 34-t të festivalit të Filmit në Varshavë, ishte një befasi që i tejkaloi së tepërmi pritshmëritë, jo vetëm të mijat. Është ngjarje e stacionuar në jetën dhe krijimtarinë e çdo krijuesi që mund edhe të mos e provosh ndonjëherë. Duket “FATI” kësaj here trastën e vet, – si zgjedhje e jo nga nxitimi, – nuk e kish mbushur me gurë… Isha në provat e dramës “Terror” kur ndjeva se më erdhi një mesazh në telefon. E hapa dhe … Kolegët u hutuan se më panë që humba ngjyrën e fytyrës dhe m’u mpinë gjymtyrët.

Çfarë ka ndodhur?- më pyeti Kamja i shqetësuar dhe unë gati-gati në përhumbje shqiptova, “FITUAM!”

Çfarë? Ku? Kë? Ndërhynë gjithë të tjerët. “Çmimin e madh” u thashë me gjysmë zëri pa pikë fuqie dhe ekspresiviteti. “Fituam në Varshavë!”

U anullua prova, urime, entuziazëm, një shtrëngim në grykë, gati-gati lot për t’u çliruar dhe u desh shumë kohë për t’u qetësuar dhe të kuptoja e kuptonin përmasat e asaj që kishte ndodhur. Një ditë më pas gjendja ishte qetësuar disi duke i lënë vendin ndjenjës së ndarjes së kënaqësisë dhe lumturisë.

Pushofsh në paqe Artan Minarolli!

Mirënjohje pafund Bujar Alimani!

Falenderim për të gjithë (pa përjashtim) bashkëpunëtorët në film.

Një përqafim i ngrohtë i përzemërt për kolegët Ndriçim, Xhevdet, Kasëm, Rovena… Kjo është festë dhe fitore e të gjithëve. Ju lutem ma justifikoni entuziazmin, llafazanërinë, euforinë…

Nuk është as i zakonshëm dhe as i përditshëm një lajm e ngjarje e tillë. Dhe ku? Në një festival të Kategorisë A! Dhe aq më tepër në Varshavë! E theksova në Varshavë dhe vura tri pikë çuditëse pasi u kujtova dhe qesh me vete. Isha një ndër tre bashkëthemeluesit e Teatrit Profesional në Gjirokastër në 1968 (Sivjet feston 50 vjetorin. Urimet më të mira për ta), pra ishtë 68-a. Papritur radiot, gazetat, lajmëtarët njoftojnë gjithë zhurmë daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës! Për t’u solidarizuar me vendimin e Partisë, për të treguar solidaritetin dhe unitetin na nxorrën për të bërtitur në sheshin e Çerçizit. U çorrëm “Urra!” Përplasëm këmbët “Poshtë revizionizmi!” I treguam vendin asaj Varshave (ku kish filluar ai traktat famëkeq.)

E kujtoj dhe mendoj sa gjynah dhe për të qeshur! Kohë të largëta. Shumica  nuk i dinë, të tjerë i kanë harruar. Është mpirë e zhdukur ajo ndjenjë që atëherë e quanin “vigjilencë”, por nuk kemi humbur vetinë për të gjetur e bërë armiq edhe tani që s’na e kanë më fajin të huajt midis nesh…..

Filmi është xhiruar në vitin 2017. Edhe pse protagonist ju e patë filmin premierë në Varshavë. Ju pëlqeu filmi? Vetja?

Pasi filmi u mbyll si “post production” dhe pasi ju “qepën” titrat finale, këtu në vendin ku u krijua dhe i përkiste si vepër artistike, për aktorët që interpretuan dhe kishin padurimin për ta parë (në një projeksion të mbyllur) nuk u krijua asnjë mundësi. Përse? Është një nga “çuditë” e rradhës që i takojmë rëndom në jetën tonë artistike. Kështu që Varshava qe premiera edhe për filmin edhe për mua.u shfaq atje tre herë dhe asistova në dy prej tyre. Vetëm në shfaqjen e dytë, i çliruar nga përshtypjet dhe imazhet e xhirimeve, ndjeva edhe kuptova që produkti final pas montazhit të kujdesshëm e të rreptë, ishte një vepër artistike me dinjitet, me masë dhe emocion. Vepër ku flet figura, syri, pauza, peizazhi,….e jo fjala. (Kujtoni vetëm planin e gjatë të një sipërfaqeje uji ngjyrë dheu që lëviz me “sloë motion”, që as nga kohëzgjatja dhe as nga ritmi nuk do guxonte njeri ta montonte në finale. E megjithatë është një gjetje e adhurueshme që s’mund ta zëvendësojë dot asnjë fjalë a efekt zhurme tjetër.)

Si natyrë, për të gjithë të afërmit e kolegët është e njohur (më kuptojnë dhe më falin) që më pëlqen ironia (ç’ti bëj, nëna ka qenë greke!) por më shumë e vazhdimisht: autosarkazma. Më shqetëson së tepërmi gjithë inflacioni i epiteteve që shkarkohen pa masë e kriter mbi krijuesit në teatër a film: vip, kollos, ikonë, kollonë, njësh, gjigand…. Mirë që s’përtojnë po ku i gjejnë xhanëm?!

Nuk e kam bërë zakon t’i shkel syrin vetes, kur rruhem çdo mëngjes para pasqyrës. Dyshimi e mosbesimi më shoqëruan në çdo hap, si gjatë periudhës sëë krijimit ashtu dhe duke parë rezultatin e tij. Pasi e pashë disa herë rolin e krijuar në këtë film, nuk m’u duk dhe aq i shëmtuar ai “surrat”, me të cilin përballem çdo mëngjes kur rruhem para pasqyrës….

Më pyesin shpesh, përse nëpër intervista a shkrime, flas me entuziazëm për të parin rol kryesor në film: Jahon tek “Malet me blerim mbuluar”, kur kam bërë edhe mjaft të tjera që kanë gjetur miratimin e publikut? Varshava më bindi që në këtë “short list” të shtoj edhe LEON e “Delegacionit”, si më i fundmi. Përse? Kam përshtypjen që ndërsa Jahua, reflekton gjithë vrullin, entuziazmin dhe pasionin që kisha në rini (në atë gradë që i kisha), Leo zbulon gjithë përmbajtjen, përvojën dhe pasionin e kësaj moshe (në këtë gradë që i kam). Midis tyre ka një distancë kohore prej 47 vjetësh “edhe çtë ishe … thonë në Gjirokastër”!

Cila mendon se ishte pika më e fortë e këtij filmi? Juve vetë çfarë ju pëlqeu? Çfarë do të veçonit?

Pasi kalon entuziazmi dhe euforia fillestare, nëse filmin do ta kalojmë në “shoshën” e gjykimit dhe analizës, padyshim ato që mbeten sipër janë shumë e shumë më tepër se ato që bien poshtë. Ndër anët pozitive që sollën këto rezultate dhe vlerësim pozitiv për të do të veçoja:

Tema e skenarit dhe subjekti i gjetur e trajtuar në të, janë me interes të veccantë shoqëror e dramaturgjik.

Konceptimi dhe trajtimi i tyre nga regjisori Alimani si një “film autor|, stili konçiz e minimalist, ku vendin kryesor e zinte dialogu kamer- aktor, bazuar kryesisht mbi portrete e plane të gjata (specifike e të durueshme në teatër) duke theksuar e zbuluar në secilin prej tyre atmosferën dhe dramaticitetin e rrethuar e bënin filmin jo vetëm bindës e të pranueshëm, por dhe emocional (kujtoni skenën me Lehorinin në shtëpinë e Leos, ku flet vetëm heshtja).

Fotografia e filmit dhe puna përkushtuese e drejtorit të fotografisë (D.O.P) me kamerën e mjeshtrit Ilia Adanis, ngjyrat dhe lokacionet e përzgjedhura nuk ishin ilustrim dhe as dekor për ngjarjen, por pjesë organike e atmosferës, konfliktit dhe tempo-ritmit të saj.

Dhe së fundmi (ndoshta jo për nga renditja) që u evidentua kudo dhe u vlerësua maksimalisht në festivalin TIFF, prandaj dhe meritoi çmimin për interpretimin më të mirë, qe loja e aktorëve. Gjej rastin që përveç punës adhuruese dhe tepër komode të regjisorit Alimani, të nënvizoj komunikimin sa shoqëror aq edhe profesional, bashkëpunimin dhe këmbënguljen për ta çuar deri në fund me ekzigjencë maksimale krijimin e figurave artistike, të kolegëve. Unë kisha rolin kryesor (sipas rolit në ngjarje dhe volumit në skenar), por gjithkush konstanton se po aq kryesore janë dhe figurat e krijuara nga kolegët Ndriçim Xhepa dhe Xhevdet Ferri. Është një triptik, nga i cili as mund të heqësh dhe as mund të anashkalosh ndonjërën nga pjesa.

Po në Tiranë si shkoi, cilat ishin reagimet, çfarë ju bëri më shumë përshtypje?

Premiera e Tiranës?!… E prisja me shumë emocion dhe ankth. Kisha një nivel tensioni dhe adrenaline që nuk e ndjeva në Varshavë. U kthyem prej andej “me barrën e çmimit të madh”, po këtu “o le –le”!, gjërat nuk janë njësoj dhe as jemi të panjohur. Në Varshavë juria vlerësoi filmin. Në Tiranë do vlerësohej edhe filmi, edhe Juria e Varshavës!! Në “klanin” tonë rrallë na pëlqen gjë dhe më rrallë e themi atë që na pëlqen. Në “klanin” tonë e shikojmë me sy të lirë atë që është bërë mirë dhe vëmë syzet për të parë se ç’është bërë keq. Duke e njohur mirë këtë tendencë, psikologji (sepse këtij “dreq klani” i përkas edhe unë), më shumë ndjeja shqetësimi se entuziazëm. Në mbarim të premierës kuptova se atë gjendje ma shkakton paragjykimi im dhe jo gjykimi i të tjerëve. Premiera u prit mjaft mirë gati-gati me entuziazëm. U reflektua kjo, në duartrokitjet e zgjatura, shikimin, përzemërsinë, duarshtrëngimet e përzemërta në fund të saj si dhe diksutimet e mëpastajme në banketin e organizuar nga drejtoria e festivalit TIFF. Ishin të shumtë personalitetet nga bota e artit dhe medias që e ndjenin të nevojshme ta kthenin në falenderim emocionin që përftuan nga filmi. Është rasti që gjithkujt t’ja kthej falenderimin të shoqëruar me një ndjenjë të ngrohtë mirënjohje dhe përzemërsie.

Në këtë festival u nderova me “Special Mention” for Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa dhe Xhevdet Ferri. Motivacioni: Aktorë protagonistë meshkuj, të veçantë e të shkëlqyer, të cilët përfaqësojnë çdo pjesë të shoqërisë dhe na tregojnë se sa e vështirë ishte të mbijetoje në atë periudhë dhe këtë e kanë bërë në mënyrë të shkëlqyer në filmin “Delegacioni”.

Shfaqja e fundit “Terror” ju bëri bashkë me mikun tuaj, regjisorin Gëzim Kame, në Arturbina. Në optikën tuaj si shkoi shfaqja, si u prit?

Shfaqja “Terror” sipas meje nuk i përket fasonerisë artistike. Ajo që Kamja di të bëjë shumë mirë, si një nga pedagogët më të kujdesshëm e hulumtues të Mjeshtërisë së Aktorit në Institutin e Arteve (sot Universiteti i Arteve), është puna me tekstin dhe aktorin. Për të, në teatër, krijimi i figurave të vërteta dhe të besueshme artistike, dhe fytyra realiste e spektaklit, kanë shumë më tepër vlerë se ekzibicionet dhe fishekzjarret marramendëse. Po të hedhësh një vështrim në rrugëtimin e deritanishëm artistik të tij dhe të ndalesh vetëm në disa piketa “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Fernando Krafti ka shkruar një letër”, “Darka e të marrëve”, “Stjuardesat”, apo qoftë edhe në vepra që s’kanë peshën specifike të të parave si “Shi në plazh”, apo “Të gjithë me huqe” do të konstatosh se dramaciteti ose komizmi që buron prej tyre është rezultat i zbërthimit të konfliktit dhe procedimit logjik e real të personazheve dhe jo efekt sipërfaqësor për të kënaqur e ngacmuar preferenca e shije të dyshimta artistike. Po këtë natyrë pune dhe individualitet reflekton edhe tek “Terror-i”. Është shfaqje që zgjat një orë e gjysmë, pa muzikë, pa mizanksenë, pa efekte dritash. Në epiqendër: Ngjarja dhe aktori. Si të thuash ai nxjerr në arenë demin dhe toreadorin dhe thotë: luftoni! Jo tamam kaq thjeshtë e ftohtë. Ai e di fare mirë se ç’përgatitje kanë të dy palët para se të vijë momenti i arenës, prandaj dhe shfaqja e tij, sikurse e theksova në fillim nuk është as “fason” dhe as “fast-food”. Po sjell tre fakte elementare që flasin deri në një farë mase për vlerën e shfaqjes (ashtu sikurse ka edhe të tjera, që po me dashamirësi sjellin argumenta të kundërta).

Gjatë një ore e gjysmë as pipëtin dhe as kollitet njeri dhe nuk ndizet e as dëgjohet ndonjë zile celulari. Në finale spektatori e ka ndjekur me aq përqendrim shfaqjen sa merr pjesë aktive dhe me entuziazëm në votën për të vendosur fatin e pilotit që shkaktoi atë ngjarje tragjike. Në tërësi publiku ka “ankesë” pasi shfaqja është e shkurtër (nuk ndihen si kalojnë minutat).

Jo aq pa rëndësi m’u duk pohimi i një çifti pas premierës. Ishin rreth të 50-ave. M’u afruan në korridor dhe pasi më uruan burri më tha; “Është hera e parë që vij në teatër, ndonëse gruaja më ka lodhur veshët. Kjo është shfaqja e parë që shoh, nuk e dija që teatri është kështu. Më Fal!”.

Ndërsa vlerësimi i një profesionisteje në fushën juridike qe maksimal dhe mbresëlënës. “Pas 22 vite avokate jam ndjerë ligsht vërtet pas kësaj shëmbëlltyre të bukur të një procesi e standarti të admirueshëm që të mëdhenjtë e skenës shqiptare sollën krejt mjeshtërisht në lojën e tyre brilante. E përnjëmend e me shumë dëshirë do kisha dashur edhe unë të isha pjesë e së gjithës, edhe pse e improvizuar në një sallë teatri”.

Tani duhet të gëzoni “frutet”. Çfarë pritshmërie tjetër keni?

Filmi vazhdon rrugëtimin e tij, jetën tanimë i pavarur. E natyrshme. Që nga marrja në dorë e skenarit e deri në vendosjen e titrave përmbyllëse, është cikli i krijimit të veprës filmike. Pas kësaj ai del “në jetë”, vihet nën gjykimin e spektatorëve, kritikës, jurisë, kolegëve… gjatë së cilës kupton se çfarë ke bërë e se kush je. Pasqyra konkrete që ta afron e zmadhon fytyrën, në të cilën siç e theksova ndonjëherë i shkel dhe syrin vetes. Është momenti kur zgjohet vlera e vërtetë e veprës artistike dhe krijimit tënd. Deri tani filmi ka stacionuar në Varshavë ku u vlerësua maksimalisht, në Festivalin e Selanikut (nuk është në konkurrimin zyrtar pasi në të pranohet regjisori që ka filmin  e parë ose  e shumta e shumta të dytin, kurse Alimani ka vrapuar më larg), por në të shfaqja ishte “sold out” dhe vlerësimet tepër entuziaste. Më pas u ndal pak në Festivalin Ndërkombëtar TIFF në Tiranë për t’u përshëndetur me bashkëatdhetarët dhe u vlerësua me katër çmime. Konkurroi në Kotbus të Gjermanisë dhe akoma pa ulur “valixhet” në tokë pas Gjermanisë, po brenda këtij viti përgatitet të shkojë në një Festival tjetër për vitin 2019. Shumë rrugë, e lodhje. Pra, një lëvizje marramendëse. Kanë kaluar dy muaj nga Varshava, kohë e mjaftueshme besoj, që të dalë efekti i “dehjes”. E kam parë filmin tre herë dhe jam në gjendje të konstatoj edhe atë që është bërë shumë mirë, edhe atë që mund e duhej të ishte bërë më mirë. Pavarësisht entuziazmit të publikut, jurive e kritikës nuk mendoj se kam bërë ndonjë “kryevepër”. Është një vepër arti me dinjitet.

Plani më i afërt në këtë fundviti është premiera e dramës së Leka Bungos “Krishtlindja e fundit” që do të shfaqet në mesin e dhjetorit, ndërsa në fund të vitit do të prezantoj Festivalin e 57-të të Këngës në Radiotelevizion, ftesë të cilën e pranova më tepër i shtyrë nga nostalgjia. Kam prezantuar 47 vjet më parë Festivalin e 10-të të Këngës në RTSH.

Për vitin 2019 kam disa angazhime tepër të vështira, prandaj pas vitit të ri, më duhet të filloj një regjim të rreptë ushqimi e stërvitje. Në muajin Janar jam angazhuar në një produksion të teatrit të Korçës, kurse në pranverë më është ofruar një rol në film, të cilin edhe e dua, edhe më tremb më shumë se çdo gjë kam bërë deri tani.

Cili është komenti më i veçantë, më i çuditshëm dhe më qesharak që dëgjuat për çmimin e Varshavës?

Më i veçantë për mua është konkluzioni në shkrimin analizues të kritikut polak Mateusz Zebrowski: “Vlera e filmit ‘Delegacioni’ qëndron pa dyshim në aktrimin e pakursyer, por sugjestionues, çdo skenë që pason, e shton gjithmonë e më shumë karizmën e lojës së Viktor Zhustit në rolin e Leos. Filmi ‘Delegacioni’, edhe pse i referohet realitetit shqiptar, mban me vete fuqinë e një rrëfimi universal për nevojën e lirisë dhe ka mjaft të ngjarë që pikërisht kjo temë, e cila kapërceu kufijtë kulturorë dhe lë përshtypjen e një teme kaq aktuale, bëri që juria e Festivalit të Varshavës ta shpërblente veprën e Alimanit.” Dhe kjo (pavarësisht preferencave individuale) të gëzon ngaqë çmimi ka përfunduar në duart e krijuesve të një vepre vërtet solide (dhe vende-vende tejet të mirë).

Më i çuditshmi: “Vërtet more një çmim! Urime! Gjë e madhe! Po nga na e nxorrët që Festivali i Varshavës  qenka i kategorisë A”!

Më qesharaku: Ishin dy në fakt; 1. Jurisë do t’i ketë ardhur keq që Minarolli vdiq pa e filluar filmin, prandaj ua dha! 2. I ka fut ndonjë shuk paresh, ai Alimani. Veç kështu bëhet kjo punë”.

Rininë e dytë, përveçse në skenë, po e jeton edhe në jetë?!

Për mua kjo nuk është rinia e dytë, është vjeshta e katërt. Por siç e vini re dhe ju, koha po na mban shumë mirë…

Fizikisht dukeni shumë në formë, çfarë ju mban të tillë?

PASIONI!

Pasioni për artin?

Për artin, po se po…

Ju tremb vdekja?

Nuk më shqetëson vdekja, por në ç’gjendje do jem kur ajo të më afrohet. Nuk dua të më gjejë as shtrirë dhe as duke lënguar. Do të thoni që këtë nuk e kam unë në dorë. E saktë! Prandaj dhe bëj ç’kam në dorë. Ushqehem si vegjetarian, stërvitem, ose eci shumë (makinën e përdor vetëm kur dal jashtë qytetit), notoj, merrem me peshkim. Me një fjalë; të bukurën e ndjej, e shikoj dhe e jetoj në çdo çast, në natyrë a kudo qoftë!

Besoni në Zot? Keni frikë prej tij?

U rrita dhe edukova në një kohë kur Zoti ishte përjashtuar nga arti, jeta dhe fjalori i komunikimit. Megjithatë as nuk e shaj dhe as nuk ja ngarkoj atij përgjegjësinë për gjithë mangësitë e mia ose ngjarjet e pakëndshme në jetë, të cilat as më kanë munguar dhe as kanë qenë të pakta. Përkundrazi, për çdo sukses, a lajm të mirë, fjalia e parë që them është “Lavdi Zotit”!

Në këtë moment jeni i lumtur?

I lumtur?! Më mirë po them i plotësuar, ose jo, më falni, më e sakta është “jam mire”.

Si ndiheni në fund të çdo shfaqje?

Njerëzit nxitojnë të më urojnë dhe unë i pres me buzëqeshje për të treguar që jam i kënaqur. Në të vërtetë jam dyshues dhe pakëz i trishtuar për atë që kam bërë.

Kjo ngaqë besoni se mund ta bënit më mirë?

Nuk e di saktësisht, ndoshta ngaqë më gënjen mendja që mund ta bëja më mirë.

Po në fund të kësaj interviste?

I çliruar, sepse i thashë gjërat siç i mendoj. Ju faleminderit!

Somario
“Ushqehem si vegjetarian, stërvitem, ose eci shumë (makinën e përdor vetëm kur dal jashtë qytetit), notoj, merrem me peshkim. Me një fjalë; të bukurën e ndjej, e shikoj dhe e jetoj në çdo çast, në natyrë a kudo qoftë!”

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF