Solidariteti për Majlindën, një shembull qytetarie! 0

Nga Ilda lumani

Ajo që më ka bërë përshtypje që kur u nominua dhe mandej u zgjodh Kandidatura e Majlinda Bregut, si Sekretare e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, është një mbështetje e paparë që njerëzit në rrjetet sociale i dhanë asaj.
Komentet, urimet, përgëzimet, mbështetja për të ishte e jashtëzakonshme! Nuk e kisha vënë re dhe nuk di të ketë ndodhur më parë, që një politikane shqiptare të ketë këtë lloj reagimi.
Sigurisht ky është posti më i larte në organizmat europianë që një politikan shqiptar merr, por megjithatë ne që për çdo gjë (flas për rastet e suksesit) përpiqemi të gjejmë gjilpërën në kashtë këtë herë jo vetëm nuk u treguam indiferentë, jo vetëm nuk heshtëm, por reaguam! Dhe reaguam pozitivisht! Gjë që ndodh fare pak në mjedisin tonë! E kundërta ndodh për raste të tjera, mossuksesi, dështimi, padrejtësie etj, aty jemi gjithmonë bashkë!

Rasti i Majlindës është dëshmi se qytetaria, ndjenja e krenarisë, është kryelartë dhe zgjohet sapo diçka grish ndërgjegjen tonë. Ndërkaq mendoj se është edhe një sensibilizim ndaj femrës, asaj te suksesshme, karrieriste e parë gjithmonë në një tis skepticizmi ndër ne.
Nuk di nëse do të kishte këtë bashkim energjish pozitive nëse fitues i këtij pozicioni do të ishte një tjetër shqiptar, por mashkull! Dyshoj!


Mbështetja ndaj Majlindës është shpresë për femrat e forta, të cilat sfidojnë me zgjuarsi e maturi gjininë mashkullore! Është edhe sfidë ndaj politikës mashkullore shqiptare, që jo pak herë gratë i sheh si baraspeshë gjinie sesa si forcë e shtuar kapaciteti, eksperience dhe profesionalizmi.
Në harkun kohor të shpalljes e deri emërimit të saj në postin e Sekretares së Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal këtë fillim janari mu përforcua edhe më kjo bindje, teksa Majlindën nisën ta shihnin në një tjetër optikë, atë të zërit të Shqipërisë në një tjetër nivel politik! Figura e saj u ridimensionua në sytë e publikut, i cili tanimë nuk ishte as i djathtë e as i majtë, por një!

 

 

 

 

 

 

 

Previous ArticleNext Article