KreuFashion

Reportazh/ E ëmbla Dardhë! Dhe një rrëfim për të nga Pandi Laço

“Travel” në Bordo do të fokusohet në promovimin e “100 fshatrave”, projektit të qeverisë që ka grishur vëmendjen e publikut, medias dhe biznesit! BORDO dhe banka ABI Bank janë bërë bashkë për të sjellë më të mirën e këtyre fshatrave. Dimër në fshat…! Ku mund të shkojmë? Çfarë mund të hamë dhe çfarë mund të vizitojmë? Gjithçka për traditat dhe zakonet e disa prej desincioneve më interesantë do të vijnë për lexuesit tanë! Sot le të udhëtojmë në Dardhë!

Dimri në fshatin e vogël me shtëpi me arkitekturë alpine, mes aromave të rralla të gatimeve tradicionale, historisë dhe turizmit që po gjallërohet çdo ditë

 

 Nga Olsi Kolami

Në një fundjavë të vrenjtur lëmë pas Korçën, ecim përpjetë drejt Dardhës. Fshati i vogël fshihet pas malit, në Juglindje të qytetit, me shtëpiza alpine themelngulura në një lartësi prej 1300 metrash. Dimrit rruga bëhet pak më e avashtë për shkak të dëborës, por këtu është pikërisht edhe kënaqësia e kësaj vizite. Të zbulojmë fshatin piktoresk në një sezon, që zgjat pafund si një natë dimri.

Prej së largu, brenda një lugine rrethuar nga malet dhe pemët, dallohen shtëpitë e vjetra me çati të gurta, e më të rejat me tjegulla të kuqe. Nga oxhaqet, shfaqen gjuhë të hirta tymi. Nga sipër, Dardha shkëlqen si margaritar, siç e quante me të drejtë, shkrimtari dardhar Teodor Laço. “Këtë epitet do të ma pranojnë vetëm ata që e njohin fshatin tim. Të tjerëve do t’ju duket një teprim, ndoshta një mburrje. Por shpjegimi i figurës “margaritar” do të donte një libër të tërë..” – shkruante Laço, ndaj edhe ne duam të dëshmojmë se Dardha ruan ende shkëlqimin e një margaritari, jo vetëm nga panorama, por edhe nga kultura, njerëzit, vendet e deri tek bujaria vendase.

 

Sapo hyn në fshat, pasi mbaron asfalti i rrugës, të duket sikur kthehesh vite pas, nga atmosfera, arkitektura e gjindja që rrethon Dardhën. Shtëpitë lidhen secila me rrugë të kalldrëmta, të punuara që prej qëmoti nga mjeshtrat dardharë. Kjo  uniformë e gurtë vesh gjithë Dardhën; nis rrafsh me tokën e ngjitet nëpër muret e shtëpive, kulmon me çatitë stolisura me pllaka të hirta, duke i dhuruar fshatit një pamje alpine dhe paksa epike, ku çdo gjë që sheh reflekton qartazi artin e rrallë të gurëpunuesve dardharë. Kupola e kishës së Shën Gjergjit me kryqin përmbi, ngjan si një shpend i cili vëzhgon ngado Dardhën, ndërsa në brendësi afresket ende ruajnë gjurmët e artistëve të ikonoklasit.

Ka pak lëvizje, por aty-këtu sheh njerëz që ndalin hapin, të përshëndesin dhe nëse i pyet për diçka, janë të gatshëm të ndihmojnë për gjithçka. Shtëpitë dardhare janë shndërruar në akomoduese për qindra vizitorë që zgjedhin të kalojnë fundjavat aty: janë plot 40 të tilla që dita-ditës po kthehen në mikpritëset e turistëve, ndërsa nuk mungon struktura e vërtetë akomoduese me hotele të mirëfillta. Shtëpitë e moçme konkurohen nga hotelet luksoze të ngritura kohët e fundit, e karshi tyre vilat e njohura, emrat e pronarëve të tyre banorët i tregojnë pa mëdyshje. “Ajo është shtëpia e Ben Blushit, më tutje e familjes Laço”. E të tjera vilëza alpine të personazheve të njohur të biznesit, të cilët kalojnë aty fundjava të qeta. Brenda fshatit mund të vizitoni disa destinacione mjaft interesante që lidhen direkt me kulturën vendase. Një prej tyre është kisha e fshatit, disa kroje të vogla, por të famshme janë kroi i Zengos dhe kroi Stefanit, të gjitha mbajnë emrat e atyre që i kanë gdhendur me gur ato, po më i njohuri është burimi “Uji i Qelbur”, i njohur për vlerat kurative për stomakun dhe veshkat.

Shija dardhare

Një arsye më shumë për të vizituar Dardhën janë edhe pjatat tipike. Sapo vëmë këmbën në një nga shtëpitë mikpritëse, të servirin çajin e malit, aroma e të cilit ndihet ende pa u ndarë nëpër filxhanë. Menuja është 100 për qind bio, jo vetëm me lakrorin me dy petë, por edhe të tjera produkte që janë bërë pjesë tavolinës dardhare prej qindra vitesh. Mishi i pjekur është nga gjëja e gjallë e rritur kodrinave aty rrotull gjatë stinës, e servirur e freskët, por edhe në formën e pastërmasë. Kërnackat e famshme vijnë të servirura me djathë, e krahas tyre duke ngjyrosur tavolinën shfaqen turshitë e shijshme.

Mbrëmjet mbushen me muzikën e kitarës pranë zjarrit, histori të rrëfyera nga vendasit, e padyshim një gotë vere, që shijon më shumë se asnjëherë tjetër.

Mëngjesi aty lind shumë herët. Ajri i pastër dhe i freskët të fton të ecësh nëpër rrugicat e ngushta që gjarpërojnë në katër anët, e pasi të kesh ecur paksa të pret mëngjesi mbi tavolinë, ku mund të shijoni petullat e sapopjekura, byreçkat, vezët dhe reçeli i ëmbël.

Për ski

Shpatet e buta kodrinore janë ideale për ski gjatë dimrit në Dardhë. Vetëm 4 kilometra larg fshatit gjendet një nga pistat më të bukura dedikuar sporteve dimërore. Mos prisni teleferik, ngjitja bëhet me këmbë, një mënyrë për të zbuluar akoma më shumë bukuritë e zonës. Pista modeste e skive është nga të paktat që gjenden në vendin tonë, ku mund të marrësh edhe asistencën e duhur nga një instruktor, i cili të udhëzon mbi gjithçka lidhet me skijimin. Pas skive mund të zgjidhni të provoni shërbimet moderne të SPA në Hotel Dardha. Një hotel me katër yje, brenda të cilit ofrohet një kuzhine moderne, e cila bazohet në atë autoktone, një destinacion i cili prej kohësh ka tërhequr numrin më të madh të vizitorëve në Dardhë, kjo falë kushteve komode, por edhe shërbimeve cilësore.

Pandi Laço: Dardha si nuk e keni njohur

Askush më mirë se Pando Laço nuk e njeh Dardhën. I njeh me symbyllur vendet, shijet e aromave tradicionale, krojet e burimet emër për emër, apo periudhat e vitit kur ja vlen të jesh doemos në fshatin e vogël me çati të përhimta. Ndaj rezervuam për producentin e njohur një rrëfim që ai asnjëherë nuk e ka treguar për vendin e origjinës, aty ku ndihej i lirë, ku kaloi disa nga momentet më të bukura të jetës, që padyshim kanë ndikuar fort edhe në formimin e tij intelektual.

 

Lindur në Tiranë, por me rrënjë në Dardhë, si do ta përshkruaje vendlindjen e gjyshit emrin e të cilit mban?

Nuk ka përshkrim më të përmbledhur se një këngë që është shkruar diku nga fundi i viteve 70. Të gjithë atëherë jetonin si brenda një formati alla Big Brother, natyrisht nuk ishte Vëllai i Madh që shihte gjithçka. Ndërkaq Dardha ishte pothuaj jashtë këtij formati. Unë isha në prag të adoleshencës, dhe lirinë që gjeja aty gjatë pushimeve të verës, nuk e gjeja në kryeqytet, as në plazh, e as diku tjetër. Më kujtohen netët e gjata të serenatave deri në agim, mbrëmjet e vallëzimit, piknikët. Në një piknik është shkruar edhe kënga. Dy muzikantë të thjeshtë nga Korça, Ilo Burda e Nasi Biçolli. Vargjet nga im atë dhe Kiço Blushi.

 

Çatitë e hirta

Nën Gurin e Vjeshtës

Të gjithë këndojnë

Për Dardhën e re

Burimet e bardha që kurrë s’pushojnë

Pi ujë nga Dardha, dhe zemra të këndon

Pra eja ti eja

Në Dardhën e bukur

Në pyjet e gjelbëra

Do gjesh dashuri

…Më konçiz se kaq…!

A e kujton saktësisht kur u ngjizën kujtimet e tua të para me këtë vend?

Sigurisht. Dimri i vitit 1970. Pa i mbushur 6 vjeç. Atë dimër prindërit e mi nuk kishin mundësi të kujdeseshin nga afër. Im atë u transferua dhe nuk ishte stabilizuar me banesë. Ime më punonte si mësuese dhe kthehej vonë. Kam kaluar një dimër fantastik, rreth 3 muaj në shtëpinë e gjyshërve (nga ana e mamasë). Më kujtohet udhëtimi mes pyllit e dëborës, rreth 4 orë në këmbë nga Korça në Dardhë, në shpinën e gjyshit tim. Atëherë rruga automobilistike mbyllej nga dëbora, nuk kishte mjete që e hapnin. Njerëzit ishin të detyruar të lëviznin ose me mushka ose në këmbë. Gjyshërit e mi jetonin në Korçë, por atë vit vendosëm të dimërojmë në Dardhë. Më kujtohet pastaj dita e dytë; Gjyshi më punoi një slitë prej druri për të rrëshqitur. Ky është kujtimi i parë. Rrëshqitjet me slita me fëmijët e fshatit në një sfond të bardhë.

Çatitë e hirta prej plloçash, bora mbi to, aroma e lakrorit, turshitë, këto i njohin të gjithë që kanë vizituar Dardhën, por shqisat e tua çfarë kanë memorizuar, vende, njerëz, shije të tjera?

Çatitë e hirta ku tymojnë oxhaqet. Madje edhe në stinën e verës dikur, pasditeve ishte normale që ndizeshin sobat. Tani ka tjetër klimë, por dikur netët e gushtit ishin të ftohta. Flinim me batanije. Atëherë fshati mbante aromë dru të djegur në mbrëmje. Lakrorët e gjyshes pa dyshim…! Ne gjithmonë shkonim dy familje nga Tirana. Bashkë me familjet e tezeve shpesh bëheshim 12 deri 14 vetë. Dhe gjyshja ime që shtronte petë e piqte 4 lakrorë. Me kungull më i preferuari im, me presh e gjizë, me lëpjeta. Nuk arrihej të shtrohej tryeza. Sa dilnin nga saçi lakroret kishin mbaruar. Por pak më sipër përmenda piknikët. Qingji i pjekur e kukureci ishte aroma e atyre takimeve muzikore mes pyllit, me një kolonë zanore ku zotëronin kitarat e mandolinat. Rakia e kumbullës ishte pija që ndizte muhabetin e këngën. Ndërsa njerëzit që kam në memorje janë aq shumë sa…! Miq të babait të cilët ishin epiqendra dhe promotorët e këtyre piknikëve. Sidomos ata që këndonin bukur e i binin kitarës. Nga më të vjetrit, Koci Zdruli një njeri simpatik e ironik që mblidhte folklorin e njihte gjithë repertorin e zonës, por edhe shumë të tjerë. Një tjetër person me shumë kulturë, erudit, ish-prifti i fshatit Kiço Raci. Unë isha fëmijë, por mund të them me plot gojë para dardharëve. “I kam njohur edhe unë.”

Padyshim njerëz të tjerë ishin moshataret e mi, ata që jetonin aty, por edhe ata që ashtu si familja ime, kalonin pushimet në Dardhë. Pak më i madh se unë Teodor Keko, pastaj Kondat, Skendët, Stefanët, Kotepanot, etj, etj e deri tek shoku im më i ngushtë, arkitekti Edi Comi.

Cila është periudha që e viziton më shumë dhe pse?

Shkoj në çdo kohë e në çdo stinë. Por nuk qëndrojmë gjatë si dikur. Sa herë gjejmë hapësirë të lirë mes trafikut televiziv, bashkë me Bledin tim vëlla. Vjeshta është më e bukura dhe romantikja për syrin e kujtdo, dimri më atraktiv, vera e shëndetshme, ndërsa në pranverë, maji është i parezistueshëm kur lulëzojnë pemët.

Po pjesa tjetër e familjes ka interes për të njohur Dardhën, sa të lidhur janë?

Tashmë edhe familja ime e njeh Dardhën. Por natyrisht vetëm pjesën që njohin turistët. Ndërsa unë e njoh me pëllëmbë. Di vendet, rrugët e shtigjet, me emrat e detajet e tyre, deri tek shpellat, krojet e burimet me emra, shkëmbinjtë, njoh pemët e bimët, zogjtë dhe llojet e tyre me emra, mos u çudisni, kur isha fëmijë edhe një pjesë të gurëve të rrugëve i dija me sy mbyllur. Por ka me të zot se unë, ata që janë rritur në Dardhë që e njohin me centimetra. Njëri prej tyre, shoku im Beni i Kolit është në Amerikë, por ai do të ishte një guidë perfekte për turistët.

A ka një arsye përveç borës që të nxit të shkosh aty në dimër?

Dimri është i lidhur me aventurën. Ai që do pak aventurë dhe që ti edukojë fëmijët me një shpirt sportiv e larg lap-top-it e celularit, duhet të udhëtojë drejt Dardhës. Ti mësojë sesi bëhet banjëdielli edhe në dëborë, sesi skijohet, si lagen çorapet e këpucët mbushen me borë. Por natyrisht edhe për të shijuar kuzhinën tradicionale të dimrit, petkat e trahananë, apo edhe fasulet me pastërma e kolofacet në prush.

Sa ka ndikuar babai në raportin tuaj me Dardhën, shumë ngjarje i ka rrëfyer përmes librave, por a ka gjëra që veç ti i di?

Nuk ka ndikuar aspak. Familja ime edhe nga babai edhe nga nëna, aty ka patur rrënjët, kështu që dashuria nuk është imponuar. Dardha është fshati i origjines, i edukatës së marrë në mënyrë të natyrshme nga prindërit e në marredhënie me familjet që trashëgonin kulturën e traditës shqiptare por edhe të emigracionit. Ndoshta jo moderne, por një shoqëri e përparuar mund të them. Babai mund të ketë ndikuar në pjesën e formimit intelektual, por jo në pjesen e raportit me njerëzit, të moshuar, apo djemtë e vajzat e moshës time.

 

 

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF