Udhëtim mes fotosh të rralla të jetës së Rita Latit 0 1575

Ajo dallon prej së largu teksa afrohet në barin ku kishim lënë takimin. Ndonëse e mësuar me vëmendjen e kureshtjen që ndjell tek kalimtarët, Rita e ka të vështirë të bëjë sikur s’e ndjen vështrimin e tyre, e me një buzëqeshje falenderuese shoqëruar me një përkulje të lehtë të kokës, ndërsa mban litarin e Petisë (qenit), ajo ka mënyrën e  saj të të përshëndeturit ndonëse pa fjalë.



“Të bezdis ndonjëherë vëmendja kur ti del qoftë për të pirë edhe kafen e mëngjesit”, e pyes ndërsa ajo heq syzet e më ulet pranë. “Jo, aspak unë vdes për vëmendje. Më duket sikur të gjithë më shohin mua, edhe ndonjë që as nuk e ka mendjen fare tek unë, ai ka hallet e tij, mua më duket sikur po më sheh. E kemi të lindur ne dëshirën për të qenë nën ‘prozhektorë’ në qendër të vëmendjes, e desha, s’desha Roza shkoi e më ngjau mua në këtë aspekt”; tregon Rita Lati ndërsa e qeshura karakteristike e saj mbush barin e sigurisht kthen të gjitha kokat nga tavolina jonë. E dija që ky takim do të shoqërohej  me të qeshura e me koka që kthehen kah nesh…

Me kolegun Sejfulla Myftari (Cekja)

Rubrika për të cilën e kemi ftuar aktoren ikonë të humorit e të parodive është “Jeta në foto”, ku nëpërmjet rrëfimesh siç vetëm Rita di, do të na njohë me momente të caktuara të rrugëtimit të saj, fiksuar në celuloid.

Rita Lati në vit të parë fakultet 1979

Në fotot e rinisë së Ritës ajo ç’ka të bën përshtypje e të shtyn t’i kundrosh me qejf ato foto është veshja (moderne për kohën) por që i shkon për shtat edhe modës së ditëve të sotme. “Ky kostumi me kuadrata duket shumë interesant”; i them ndërsa nga shprehia e fytyrës së saj nuhas që ka diçka për të thënë për këtë foto. “E ta dish ti çfarë kam hequr unë për të bërë atë fustan.

Viti 1978, Rita Lati maturante

Kjo copë ka qenë mbulesë buke, që mami e mbante për të mirë, kur vinin miq. Por unë ja kisha vënë syrin. Një ditë pasi mami e lau sepse patëm njerëz, e nxjerr për ta tharë në oborr. Atë çast aty sapo kaloi një komshia jonë. Mami u fut brenda dhe unë sapo krijova skenarin e duhur për ta bërë timen copën e mbulesës. E mora dhe e fsheha, e kur erdha në Tiranë e bëra kostumin që ti sheh në foto. Ndërkohë mamit ja mbusha mendjen që me siguri mbulesën na e mori komshia nga teli (për këtë s’jam hiç krenare e më vjen keq që e akuzova- Qesh). Por gjeta momentin e u rrëfeva tek mami pastaj kur i dola para me kostumin. E kam dashur gjithmonë modën, më pëlqente të isha ndryshe”, tregoi ajo episodin për të cilin edhe vetë Rita e kishte të pamundur të mos qeshte ndonëse siç rrëfeu edhe vetë ajo këtë histori e tregon shpesh mes miqsh e familjarësh. Për Ritën humori vjen natyrshëm, e jo vetëm në role por edhe në përditshmëri, në gjërat e vogla e të thjeshta të jetës, ajo do ta gjejë me pahir diçka që të qeshi. Dhe sa mirë bën!

“Kur qesh, unë  jetoj, e ashtu dua të ndihen dhe të tjerët që më dëgjojnë apo janë me mua”, më thotë ndërsa Pëtia i hidhet në prehër për të marrë dozën e rradhës të përkëdheljeve. “Edhe qenin e kam si veten, vdes për vëmendje, po nuk ja vare pak, mërzitet”; më thotë, ndërsa puth Pëtinë që tund bishtin e lumtur. Teksa unë shfletoj fotot e jetës së aktores në një prej tyre dalloj Ritën në moshën që e bija Roza është sot, e që ngjashmëria dallohet lehtë.

17 Qershor 1975

“Roza më ngjan, edhe në karakter, ndërsa dashurinë për kafshët e ka marrë nga i ati. Unë nuk i kam dashur kafshët madje i kam bërë edhe parodi disa vite më parë njerëzve që mbanin qen ‘ti s’ke uj’ të lash menderën i vesh qenit kanatjeren (Qesh)’, ndërsa tani unë nuk fle dot pa Pëtinë”.

Në një kohë kur rrjetet sociale u japin mundësinë kujtdo të japi një mendim për një personazh e shpeshherë këto opinione që thuhen edhe pa i kërkuar njeri, janë negative e ofensive…Por si ndihet mami kur lexon ndonjë koment jo fort të mirë drejtuar vajzës së saj Roza? “Jo, jo nuk më shqetësojnë fare. Fama i ka edhe këto gjëra. Unë s’doja të merrej me artin dhe e çova në shkollë për shkenca sociale, por talenti dhe pasioni i saj për këtë që bën, fitoi mbi mua. E unë e di që me famën do të vijnë mendimet e njerëzve dashakeqë, ose jo, s’ka rëndësi, rëndësi ka që unë  e njoh vajzën time dhe ajo do të ketë mbështetjen time në çdo gjë që bën. Po edhe nëse kam një vërejtje Roza më thotë, po mami, po mami, po prap bën atë që do. Roza është e përmbushur dhe mua kaq më mjafton…

Në estradën e Vlorës

Takimi me aktoren e estradës, me humorin e të cilës brezi im u rrit ishte aq i këndshëm sa po më vinte keq që asaj i duhej të çohej. E megjithatë shijen e mirë, pozitivitetin, buzëqeshjen, historitë e treguara me aq humor, i mora ‘dhuratë’ nga artistja e cila është e tillë edhe jashtë skene….

Me Rozën bebe

Rita Lati në fëmijëri

 

 

 

 

 

Previous ArticleNext Article