KreuBusull

Udhëtim shpirtëror në Shën Vlash, Pëllumbas, Drisht, Voskopojë, Ardenisë, Zvërnec!

Nga Ura e Mesit në Drisht, në shpellën e Pëllumbasit, në kishat e Ardenicës, Shën Vlashit, Zvërnecit dhe Voskopojës, një rrugëtim i qetë për të zbuluar historinë dhe kulturën

Sado që udhëtimet në fshatra dhurojnë një sens qetësie, peizazhi që ato ofrojnë është gjithmonë një botë e mbushur me emocione të cilat prekin dukshëm edhe aspektin shpirtëror. Në rubrikën Travel revista Bordo sjell gjashtë destinacione të cilat ofrojnë një udhëtim ku bota shpirtërore përmes vendeve që do të vizitoni është shumë e fuqishme, qoftë përmes atyre që ndodhen në zemër të natyrës, por edhe vende ku objekte kulti janë shpesh një ndalesë e cila ju mbush plot frymëzim. Projekti 100 fshatrat turistikë, një nismë e mbështetur nga Abi Bank sugjeron gjashtë destinacione që nisin nga veriu dhe përfundojnë në jug të vendit.

Drisht

E nisim udhëtimin tonë nga Veriu i Shqipërisë, një vend jo shumë i njohur për lexuesin, por që në të vërtetë konsiderohet si një ndër destinacionet turistike më të reja dhe sitet arkeologjike me vlera të mëdha. Nisjen e bëjmë nga qyteti i Shkodrës, pasi kalojmë Urën e Mesit duke ecur nëpër rrugë të asfaltuara të cilat çojnë direkt në destinacion. Rrjedha e lumit Kir zbret herë e qetë, e diku e rrëmbyer nëpër rrëpirat e thikta, duke kombinuar peizazhin kodrinor me atë lumor.

Një ndër destinacionet më interesante dhe historike është kështjella e Drishtit, e cila ndodhet 6 kilometra nga Shkodra dhe është e vendosur mbi lartësinë e një kodre konike rreth 800 metra e lartë. Në aspektin arkitekturor mendohet se kështjella i takon periudhës veneciane dhe i takon periudhës së viteve 1390. Një objekt me vlera që gjendet në këtë zonë është edhe Ura e Mesit me gjatësi 108 metra, një ndërtim i shekullit të 18-të, ku bien në sy harqet, një strukturë tipike e arkitekturës osmane.

Pëllumbas

Nëse keni vendosur të kaloni një fundjavë ku destinacioni është i momentit të fundit, vendi ideal është fshati Pëllumbas. Ai gjendet vetëm 20 minuta nga kryeqyteti. Fshati është tipik tiranas, i vendosur në kodrina, por nëse do të njohësh më shumë këtë zonë duhet të ngjitemi më lart, aty ku është edhe zemra e krahinës, shpella e famshme e Pëllumbasit e njohur edhe si Shpella e Zezë. Një vend arkeologjik, i cili tregon lashtësinë e kësaj krahine. Kjo shpellë ndodhet 350 metra mbi nivelin e detit dhe bën pjesë ndër gjashtë shpellat karstike të njohura për ekzistencën e tyre në Evropë.

Por rruga që të çon në shpellë është pak e vështirë, një ngjitje tipike mali, e cila mund të kthehet në një aventurë të vërtetë për ata që në fakt i duan sfidat. Edhe pse hyrja e shpellës nuk është aq fort impresionuese, ju do të përjetoni emocione nëse vizitoni secilën prej ambienteve të brendshme. Pikë së pari duhet të keni një elektrik që të orientoheni, si dhe duhet të bëni kujdes sepse mund të rrëshqitni. Ajo që bie në sy është se sheshpushimi i madh ndahet me guva të vogla, brenda të cilave ka shumë stalaktite. Udhëtimi në Pëllumbas mund të kthehet në një eksperiencë unike, në aspektin historik dhe  shpirtëror.

Shën Vlash

Vetëm pak minuta larg qytetit të Durrësit, duke dredhuar fill pasi ke dalë nga autostrada, gjendet fshati Shën Vlash, i cili më shumë sesa një vendbanim, njihet për manastirin me të njëjtin emër. Ky është një vend i cili spikat për aspektin spiritual, më shumë sesa për faktin se është një objekt kulti. Këtë e mundëson ambienti rrethues ku gjendet manastiri, vendosur mbi një kodër të butë, ku qiparisat duket sikur duan të prekin majat kaltëroshe të qiellit.

Fshati dhe kisha mbajnë emrin e shenjtorit Vlash, i cili mendohet se është edhe personazhi i cili e ka bekuar atë. Prej vitesh një objekt kulti i dedikuar besimtarëve të fesë ortodokse, kjo kishë konsiderohet një ndër më mrekullibërëset. Kjo zonë ofron një peizazh mahnitës me shtrirje nga Ishmi deri në Kepin e Rodonit, me kodra të vogla mbuluar me ullishta që zbresin deri në rërën e lagur të detit, një pjesë e mirë janë vende të pazbuluara, të cilat janë ideale për një piknik familjar.

Ardenicë

Sapo lë autostradën e Fierit, djathtas ngjitesh për në Ardenicë. Në majë të kodrës rrethuar nga qiparisa, pisha dhe një harlisje bimësie magjepsëse, fshihet manastiri i Ardenicës, me formë trekëndore dhe një kullë në qendër të tij, me kambanore. Mendohet se manastiri u ndërtua në shek XII, në vendin ku dikur ngrihej kapela e Shën Triadhës. Aty gjen ende murgjër që kalojnë kohën në lutje, një pamje sikur ka ndalur kohën.

Brenda ndodhet kisha e Shën Mërisë, kapela e Shën Triadhës, konakët, mulliri i vajit, furra, stalla për kafshët e udhës së  besimtarëve ortodoksë të zonës, por është dhe një atraksion turistik për vizitorët kureshtarë të historisë dhe të monumenteve të kulturës. Dëshmi tjetër, për rëndësinë e këtij manastiri është dhe fakti se në altarin e Kishës së manastirit të Ardenicës, është bërë edhe kurorëzimi i martesës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti me Andronika Arianitin. Një vlerë të paçmuar kanë edhe afresket e mrekullueshme që mbajnë firmën e Konstandin dhe Athanas Zografit, piktorëve të famshëm korçarë të cilët punuan për zbukurimin e këtij tempulli në 1744.

Mos u largoni pa parë nga maja e kambanores një panoramë unike, prej nga mund të shohësh në jug të fushës së Myzeqesë, qytetin e Krujës, malin e Dajtit dhe atë të Tomorrit, detin Adriatik, lagunën e Karvastasë e deri në jug malet e Labërisë

Zvërnec

Sapo hyn në qytetin e Vlorës, përmes kodrave nga Kriporja, një pamje magjepsëse ku spikat ishulli i vogël i Zvërnecit është ftesa për të vizituar një zonë thuajse të panjohur. Hyrja për në ishull bëhet përmes një ure druri rreth 100 metra e ndërtuar mes për mes kënetës e cila të çon drejt manastirit. Kisha e rrënuar gjatë periudhës komuniste dhe e ringritur pas viteve 90-të është një objekt i cili fshihet në fund të pyllit të Sodës dhe Lagunës së Nartës. Kisha me stil tipik bizantin i takon shekullit të X-të.

Zvërneci jo vetëm me ishullin dhe manastirin e tij, por e gjithë zona me lagunën dhe detin, përbëjnë një ekosistem shumë interesant dhe tërheqës për turistët. Laguna e Nartës zë gjithë pjesën veri-perëndimore të gjirit të Vlorës dhe ndahet nga deti Adriatik me një rrip të ngushtë toke, i cili përbëhet nga duna ranore. Ngaqë laguna komunikon nëpërmjet dy kanaleve me detin, uji i saj është i kripur dhe shfrytëzohet për nxjerrjen e kripës. Dunat e Nartës janë surprizuese, ato ofrojnë një pamje shkretëtire, me një bardhësi e cila të magjeps dhe që vijon deri në brezin ranor. Dunat kanë vlera shkencore, estetike, turistike dhe ekonomike, pasi mbrojnë tokat arë në lindje të tyre.

Voskopojë

E rrethuar mes malesh, strukur mes kurbave të buta të kodrave, bri pyjeve të dendur e të përjetshëm, ajo përbën një nga vendet më përrallore. Është Voskopoja, një vend që jo vetëm ka shërbyer si muzë për shkrimtarë, apo studiues e historianë, por ka qenë dhe djepi i kulturës dhe atraksion turistik. Kushte të mrekullueshme, ushqim i përsosur, ajër i pastër – gjithçka për një ndalesë që nuk mund të harrohet lehtë.

Gjithë peizazhi që ndodhet përreth është ideal për sportet dimërore, por ne do t’ju sugjerojmë në fakt një tjetër atraksion, më shpirtëror, historik dhe kulturor, që janë kishat e fshatit që dikur ka qenë një qytet i madh. Nga 22 që ka qenë dikur numri i kishave, sot vetëm 5 prej tyre i kanë rezistuar kohës. Kishat, janë të gjitha të tipit bazilikë, fillesa e të cilave daton që në shekullin e 17-të, periudhë e cila ka arritur të gdhendë përmës punimeve në afreske, disa nga veprat më të mira nga mjeshtrat e mëdhenj si David Selenica, Athanas Zografi dhe Kostandin Zografi.

 

Kisha katedrale Fjetja e Shën Marisë është më e madhja në Voskopojë, e cila ka shërbyer si katedrale e qytetit. E ndërtuar rreth vitit 1699 kisha u pikturuar nga tre piktorët Agrafas, Thedhori, Anagnosti dhe Steriani, ku vendin kryesor e zë Hymni Akathist me 24 skena ikonostasi. Ndërsa manastiri i Shën Prodhromit, u themelua në shekullin e 14-të, ka formë trekonkëshe, me plan në formë kryqi mbuluar me një kupolë. Kisha e Profet Ilias, është bazilika e fundit e ndërtuar gjatë periudhës së lulëzimit të Voskopojës, me mure të larta guri dhe një kambanare. Kisha e Shën Athanasit gjendet mbi kodrën me të njëjtin emër, e cila ka shërbyer si varrezë e qytetit të Voskopojës. Pikturimi u bë nga vëllezërit Konstantin dhe Athanas Zografi, ku spikat Apokalipsi, cikli më i plotë i prezantuar në afreske deri në atë periudhë.

E fundit, po jo më pak e rëndësishmja është kisha e Shën Kollit. Në kishë ruhen afreske të vjetra që prezantojnë rreth 100 figura biblike, ku vlera unike sjellin pikturat e një prej artistëve më të njohur shqiptarë të kohës David Selenica, ndaj edhe ka statusin monument kulture që në vitin 1948.

 

Tags:

Home Busull

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF