Intervistë ekskluzive/ Greiss Petroviç: Ja çfarë më mungon shumë në këtë pikë të karrierës time!

Një rrëfim në ‘pasarelën’ e jetës së sipërmarrëses së “Grace Models” dhe mamit të Emel

 



Fotografia: Fani Aliko

Karriera e saj nisi rreth 10 vite më parë, kur për Greis të sfilonte në një pasarelë të vërtetë do të ishte ëndrra më e madhe. Por ishte pikërisht kjo ëndërr që ndezi tek ajo ndonëse fare e re, dëshirën për të krijuar një agjensi modelingu, të parën e këtij lloji në Shqipëri. Sot një sipërmarrëse e suksesshme, teksa ‘skalit’ modelet e reja, për shefen e “Grace Models” nuk është e mjaftueshme, pasi ambicia e saj shkon edhe më tej, për ta kthyer këtë agjensi në një akademi të mirëfilltë mode. Megjithatë disa muaj më parë ajo do të kuptonte se asgjë që ka arritur deri më sot, nuk do të krahasohej me triumfin e saj më të madh; që mban emrin Emel.

Të shohim në formë, ndonëse keni pak kohë që keni sjellë në jetë Emelin. Pate ndonjë kujdes specifik apo të ndihmoi metabolizmi prej modeleje?

Me thënë të drejtën nuk kam patur hapësirë të shkoj në palestër apo të merrem me aktivitet sportiv. Mundohem të jem e kujdesshme e të përzgjedh ushqimin, për më tepër që Emel vazhdon të ushqehet ende me gji. Jam tërë ditën në lëvizje dhe aktivitet të vazhdueshëm dhe kujdesem mos ta teproj me të ngrënën.

Si ishin përjetimet e para kur u bëre nënë, frikërat, pasiguritë… e ke përjetuar depresionin postpartum?

Lumturia është e pafund. Ndjesia më e bukur që kam përjetuar. Nuk kam ndjerë depresion pas lindjes, kam patur një shtatzëni të mbarë, aktive në punë, e rrethuar me njerëzit më të dashur e po ashtu edhe post shtatzënia. Unë gjithmonë kam patur debulesë për fëmijët e vegjël, sidomos prania e mbesës në familje bëri që të kisha informacion dhe të isha e përgatitur në detaje  rreth kujdesit të bebeve.

Ndërkohë të është dashur të rikthehesh në punë, pak pas lindjes. Si arrin ta menaxhosh kohën mes vajzës e impenjimeve?

Po është e vërtetë, që në muajin e tretë jam rikthyer në punë. Padiskutim jo me orar të plotë por kryesisht duke qenë pranë aktiviteteve kryesore. Nuk është fare e lehtë por me praninë e gjysheve të Emel-it, znj.Tefta dhe mamasë time e kam patur më të lehtë të menaxhoj kohën e po ashtu të jem më e qetë në punë.

Një businesswomen në moshë fare të re, sa e vështirë ka qenë të ndërtosh agjensinë e parë të modelingut? Ka patur momente kur ke menduar të dorëzohesh?

Ka qenë një rrugëtim tepër i vështirë; një gjë tërësisht e re në Shqipëri. Për mua  modelingu, pasarela, TV ishin pasioni im. Ky pasion më shtyu të shkoj drejt një ëndrre edhe më të madhe që sa vjen e zgjerohet edhe më shumë. Në këto 7-vite ka patur momente të vështira por kurrë nuk kam menduar të dorëzohem.

Si sipërmarrëse e një agjensie modelingu; cila është këshilla që u jepni vajzave të reja që ëndërrojnë të bëhen modele?

Duhet shumë punë, seriozitet dhe përkushtim. Mbi të gjitha duhet të duan dhe të njohin veten, të jenë realiste e të vazhdojnë të ëndërrojnë sepse pasarela mund të jetë vetëm starti i një karriere të gjatë.

Një grua në karrierë e sapo bërë mami; a mund të bëhen në mënyrë perfekte të dyja, apo gjithmonë duhet të sakrifikosh jetën personale për karrierën dhe e anasjellta?

Prioritetet ndryshojnë kur bëhesh nënë. Ka gjëra që kalojnë në plan të dytë. E rëndësishme është të koordinosh duke sakrifikuar sa më pak nga jeta personale dhe duke mos kompromentuar atë profesionale. Pastaj e rëndësishme është ndihma dhe mbështetja që kam në familje. Kontribuojmë të gjithë në rritjen e Emelit, pavarësisht se roli i nënës është i pazëvendësueshëm.

Karriera jote ka nisur si modele; të mungon ushtrimi i modelingut?

Po më mungon shumë, më mungon gjithçka: backstage, emocionet, tv, pasarela madje edhe momentet me koleget-mikeshat e mia. Edhe pse tani unë jam gjithë kohën pranë të gjithave çka përmenda më lart, ku patjetër jam shpërblyer me emocion dhe vlerësime, por përjetimet ndryshojnë.

Deri ku shkon ambicia e Greisit; si e mendoni veten 10 vite më vonë?

Grace Models pas 10-viteve e shoh si Grace Academy, një institut të vërtetë mode ku mund të gjesh gjithçka që ka të bëje me të bukurën, elegancën dhe hijeshinë.

Një mesazh për gratë dhe vajzat shqiptare!

Mendoj se s’ka më bukur kur puna që bën përputhet më atë që ke ëndërruar. Do thoja ndiqni ëndrrat për të qenë të lumtura. Mos lejoni nëpërkëmbjen dhe luftoni për të drejtat tuaja në familje e sidomos në shoqërinë tonë e cila ka ende nevojë të emancipohet e të ndërgjegjësohet përsa i përket barazisë gjinore.

 

Previous ArticleNext Article