KreuCelebrity

Intervistë Ekskluzive/ Teuta Krasniqi: Çfarë më ka mbetur peng!

 

Nga Nada Biraçi

Tejet energjike e duket se përherë  është në turravrap! Teuta Krasniqi është nëna, gruaja, aktorja; që krahas sfidave, rrëzimeve, pasigurive që i është dashur të kalojë në ‘rrugën’ që ka shtruar, të krijojë sot Teutën që ajo ka projektuar që herët, kohë kur gjithçka kishte, ishin ëndrrat…. Megjithatë ajo e ka një peng, e duke ja njohur ambicien dhe vendosmërinë me siguri do ta realizojë.

Teutë, nëse do të kthenit kokën pas, sot pas kaq vitesh karrierë çfarë shihni në ‘rrugën’ e gjatë që keni shtruar?

Hmmmm pyetje e bukur… Shumë përkushtim, vullnet, ndonjëherë edhe pasiguri e stres por mbi të gjitha shumë, por shumë dashuri për profesionin tim.

Në ëndrrat e adoleshencës, a ishte Teuta që ju kishit ‘projektuar’, ajo që është sot?

E vërteta është se qysh prej para adoleshencës e kam patur shumë të qartë dëshirën për t’u bërë aktore. Shfaqja ime e parë ka qenë pikërisht në adoleshencë, gjë që më ka vulosur edhe më shumë dëshirën për të ndjekur qëllimet dhe për t’i realizuar ambiciet e mia. Pa dashur të tregohem jo modeste, por një version shumë i afërt me idenë e projektuar për veten në adoleshencë, jam sot.

Jeni shprehur që ju pëlqejnë sfidat? Cilën do të konsideronit si sfdën më të madhe të jetës tuaj?

Një nga sfidat më të mëdha është realizimi i emisionit tim humanitar “Lidhja mes nesh” ku  kam arritur të ndërtoj 22 shtëpi për familjet e varfra në Kosovë. Gjetja e donacioneve ka qenë sfidë e madhe, por jam shumë mirënjohëse që këta njerëz kanë besuar tek mua dhe projekti im u realizua me sukses. Po ashtu edhe në jetën private kam kaluar sfida të cilat mendoj që më kanë pjekur si njeri, por që ka reflektuar edhe në pjekurinë profesionale.

Ka patur momente në karrierën tuaj kur keni menduar edhe të hiqni dorë?

Po! Kjo më ka ndodhur gjatë studimeve për aktrim. Para se të regjistrohesha në fakultet, mendoja se gjithçka në lidhje me profesionin e aktorit është shumë e bukur, ka harmoni dhe shumë bashkëpunim. Nuk është gjithmone ashtu.  Madje më kujtohet saktësisht edhe dita kur jam kthyer në shtëpi shumë e dëshpëruar dhe pyesja veten; “a kam gabuar në zgjedhjen e profesionit tim”. Tani jam shumë e lumtur që u tregova e fortë dhe nuk kam lejuar pengesat momentale të më bëjnë të heq dorë nga ëndrrat e mia. Pas kësaj, çdo pengesë tjetër e kam konsideruar si shtysë më të madhe për të dëshmuar seriozitetin tim në punë dhe zhvillimin tim profesional.

Cili është roli më ambicioz që keni realizuar?

Ambicioz, mbase roli i Laura-s “Babai” nga August Strindberg.

Po roli që do të donit shumë ta bëni, por ende nuk ju është ofruar?

Në fakt, e kam ende një peng… Dëshira dhe ëndrra ime më e madhe profesionale është që të interpretoj rolin e Mbretëreshës Teuta. E ndjej një lidhje me Teutën, mbase edhe për shkak të emrit, por jo vetëm…

Karakteri që nuk do të pranonit kurrë ta luanit?

Në rradhë të parë jemi njerëz, pastaj profesionistë. Duke u nisur nga kjo, pavarësisht se ne aktorët e kemi për detyrë të interpretojmë ndonjëherë edhe role që na duket se nuk na përshtaten, apo nuk na pëlqejnë shumë,  unë personalisht në fakt  e kam një ‘vijë të kuqe’ për disa role që nuk do të pranoja t’i luaj. Në përgjithësi nuk do të pranoja të luaj role ku karakteri është abuzues. Më bëjnë të ndihem shumë keq kur lexoj lajme të ndryshme të kësaj natyre dhe meqë ne si aktorë kur punojmë për realizimin e një karakteri, përgjatë asaj kohe, ne ‘bashkëjetojmë’ me personazhin dhe mundohemi të arsyetojmë veprimet e personazhit në çdo raport, kjo do të ishte e pamundur për mua, sepse si njeri mendoj që nuk ekziston kurrë arsye normale që njeriu të abuzojë me njeriun tjetër. Është diçka e pafalshme.  Mendoj që nuk do kisha arritur ta arsyetoj as në rol dhe si pasojë nuk do ta realizoja as rolin.

Tejet energjike e duket se përherë jeni në turravrap; si ja del Teuta të jetë e pranishme e njëkohësisht e suksesshme në karrierë e po ashtu si nënë e grua?

Ndonjëherë si me shaka them që e gjithë jeta ime është ‘për ngut’.  Nuk është e lehtë t’i arrij të gjitha, por unë besoj që njeriu duhet gjithmonë t’i ketë të qarta prioritetet e veta në jetë. Unë në radhë të parë jam nëna e Tarës dhe e Kaiës, si prioritet i padiskutueshëm; pastaj vijnë të tjerat. Balanci është mençuri më vete. Po ashtu nuk mendoj që një grua sapo të bëhet nënë, e harron veten, bashkëshortin, karrierën, shoqërinë… Jo, në asnjë mënyrë. Përkundrazi unë mendoj se kur bëhesh nënë ke një përgjegjësi edhe më të madhe në sy të fëmijëve, sepse je shembull për ta. Dua që vajzat e mia ta kuptojnë që duhet shumë vullnet, punë, përkushtim dhe mbi të gjitha përgjegjësi për të arritur suksesin e dëshiruar. Gjithmonë mundohem që të mos ju mungoj vajzave dhe të jem sa më shumë e pranishme në jetën tonë familjare por që ndonjëherë më ndodh që të jem një pjesë të madhe të ditës në prova në teatër, apo në xhirime por menjëherë pas përfundimit të projekteve, bashkë me Adonisin, gjejmë mënyra për të qëndruar më shumë bashkë dhe për t’ua kompensuar vajzave mungesën e asaj periudhe. Mendoj që çfarëdo që bëjmë, si në familje, si në punë, më e rëndësishme është që ajo kohë sa kalohet aty të jetë cilësore, të jesh prezent 100%, sesa të jesh gjithë ditën por i pa fokusuar. Që njeriu të ndihet i përmbushur, ka nevojë ta plotësojë veten në shumë sfera.

Nëse vajzat Tara dhe Kaia do të zgjedhin të bëhen aktore, çfarë këshillash do t’u jepnit ju atyre?

Tara tashmë ka disa shfaqje në të cilat ka luajtur, po ashtu seriale si dhe shumë reklama. Pra si rezultat, Tara tashmë është një aktore e vogël. Nëse Tara do të dojë të vazhdojë me aktrimin edhe kur të rritet, natyrisht që do ta mbështes njëqind për qind. Unë mendoj që fëmijët duhet t’i mbështesim fort në zgjedhjet e tyre, jo rastësisht ndjejmë dashuri ose nevojë për t’u marrë me një fushë të caktuar. Këshilla ime për Tarën dhe Kaien është që gjithmonë ta ndjekin zemrën e tyre.

Sa të vështirë e ka një grua të jetë e suksesshme në Kosovë?

Sot nuk eshte aq e vështirë sa ka qenë themi para 20 viteve, në atë kohë ka pasur më shumë paragjykime. Jo që tani nuk ka paragjykime, por sot kemi më shumë shembuj, modele të grave të suksesshme dhe si rezultat, ai sukses, dikur vetëm i dëshiruar, sot është më i prekshëm nga këta shembuj. Sot kemi pikë referuese më të mirë dhe nisur nga kjo, ambiciet rriten dhe rezultatet janë më të kënaqshme.

Keni një mesazh për vajzat, gratë shqiptare që kanë ëndrra, e njëkohësisht edhe barriera për t’i realizuar këto ëndrra?

Këshilla që thashë më lart për vajzat e mia, është këshillë për të gjitha vajzat, ‘Ndiqe zemrën tënde’. Shkollimi duhet të jetë prioritet për çdo vajzë. Barriera ekziston vetëm në mendjen e njeriut, kur njeriu është mendjehapur, barrierat kapërcehen lehtë. Mendja e hapur vjen si rezultat i pranimit për ndryshim, i dëgjimit për të kuptuar e jo vetëm për të kundërshtuar. E fundit, mos jetoni për të tjerët, kurrë nuk mund t’a kënaqni gjithë botën por mund të kënaqni veten dhe të ndjeheni mirë me veten për këtë gjë, e kjo ka rëndësi. Doni veten!

Në Kosovë jeni një ndër personazhet publike e pranishme shpesh në media të ndryshme. Ndërsa në Shqipëri shumë rrallë ju kemi parë në një panel apo studio televizive!

Në Kosove jam aktive në profesionin tim që 20 vjet. Kam pasur disa bashkëpunime me kolegë nga Shqipëria, si në film si në disa emisione të menjëhershme që janë realizuar në Kosovë. Mua më vjen keq sepse shumë shpesh më ftojnë në emisione të ndryshme në Shqipëri dhe gati gjithmonë detyrohem t’i refuzoj, vetëm për shkak të kohës, axhendës sime shumë të ngarkuar. Për të qenë prezente në një emision në Shqipëri, më duhet që 24 orë të anuloj çdo aktivitet timin këtu dhe kjo shpesh është gati e pamundur. Kam qenë në dy-tri emisione dhe kam kaluar shumë mirë. Në krahasim me Kosovën, në Shqipëri nuk më njeh publiku. Kjo mendoj që ka ardhur si rezultat i asaj që e ceka më lart, në Kosovë jam e stër angazhuar me projekte dhe koha shpesh s’më premton të kem bashkëpunime dhe të jem prezente në Shqipëri, aq sa do të dëshiroja.

 

 

 

 

 

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF