Linda që duam të gjithë! 0

 

Majlinda Keta, mësuesja e parë për shumë gjimnazistë, gruaja që revolucionarizoi arsimin, politikania me këmbë në tokë, pedagogia model për shumë studentë….

 

Portreti i Lindës, siç e njohin ata që kanë qenë në krah të saj nga mësimdhënia deri tek politika, është ai i një gruaje fisnike, figura e një mësueseje të dashur, modeli i pedagoges që frymëzon. Nuk ka asnjë sekret për të zbuluar trinomin e saj, gjithçka vjen falë gjeneve që trashëgon jo vetëm në pamje, por edhe në aspektin intelektual.

Njihemi prej vitesh, kur Majlinda Keta ishte drejtore e Drejtorisë Arsimore në Tiranë, një periudhë të cilën e mbaj kthjelltësisht mend, sepse për herë të parë zyra e saj priste këdo që trokiste aty. Fakti që vinte direkt nga arsimi, ndoshta e bënte Majlindën ta donin më shumë, po kaq edhe sot pas më shumë se tre dekadash, kur vëmendja e saj është fokusuar në auditoret e Fakultetit të Shkencave Sociale. “E quaj veten me shumë fat që në 33 vite jam pjesë aktive e asaj arme që Mandela e cilësonte më të fuqishmen për të ndryshuar botën. 33 vite në arsim më ka mundësuar një kontribut modest në inteligjencën dhe karakterin jo vetëm të nxënësve, studentëve dhe kolegëve, por edhe të përfitosh prej tyre”-rrëfen Majlinda për revistën Bordo. Në këto vite ajo pati fatin të kontribuonte dhe përfitonte nga sistemi arsimor në Shqipëri por edhe për arsimin kuq e zi, duke përfaqësuar dhe përfituar nga kolegë të rajonit, Evropës dhe botës. “Arsimi rriti dhe vuri në provë inteligjencën dhe karakterin tim, sikurse më dhuroi një perandori me miq e bashkëpunëtorë brenda dhe jashtë Shqipërisë”-kujton ajo.

Edhe pse për shumëkënd arsimi është një profesion i duhur për gruan, Majlinda nuk e fsheh se gjithë këto vite e kanë bërë të kuptojë se nuk është fort e lehtë të përballesh qoftë mes brrylave të kolegëve, por edhe me maskilizmin i cili më së shumti ka qenë në në këtë sektor vendimarrës. “Fakti se ne gratë kemi merituar të pranohemi si edukatore kjo në vetvete vështirëson dhe ndërton sfidën për secilën prej nesh. Këtë sfidë ne duhet ta përfaqësojmë dhe fitojmë edhe për faktin se jemi gra, nëna” – thekson Majlinda, e cila pohon se përgjatë këtyre 33 viteve, asgjë nuk i ka mpirë dashurinë për arsimin.

Nuk e mohon se themeli i suksesit të saj në arsim ishte periudha e mësimdhënies në gjimnaz, ndaj nuk harron ata që e frymëzuan, Ylber Shehu, Neritan Babamusta dhe Tatjana Nuri. “Rritja ime profesionale ndikoi në fuqizimin e identitetit tim për të drejtuar gjimnazin më të ri në Tiranë “Arben Broci”- kujton Keta, duke theksuar se kjo ishte faza e suksesit e cila nxorri në pah sidomos aftësitë  e saj si menaxhuese.

Pikërisht suksesi i kësaj periudhe bëri që t’i besohej drejtimi i Drejtorisë Arsimore të Tiranës, një periudhë që la gjurmë dhe transformoi Majlindën, nga një mësuese, në një administratore të suksesshme, sepse kishte në dorë drejtimin e shkollave të kryeqytetit. “Pata fatin të punoj me ekipin tim me një Kryeministër që motivonte idetë e reja, për një edukim komunitar konkurrent me Evropën e më gjerë, që oksigjenonte një edukim ku udhëheqësia duhet ta meritonte këtë bazuar në konkurse”- thekson Keta.

Pikërisht kur kishte arritur majën e karrierës, Linda, nga mësuesja e dashur që e njihte çdo gjimnazist i kryeqytetit, pranoi ftesën e kryeministrit Fatos Nano për t’ju bashkuar ekipit politik të Partisë Socialiste. Sepse siç thekson Majlinda, vendosi të bashkojë vlerat dhe suksesin e saj duke besuar tek Partia Socialiste me filozofinë e arsimit.

“Humbja e zgjedhjeve 2005 nga kjo parti, shkak i së cilës ishte përçarja e së majtës në atë kohë, më rimësoi të jepja dorëheqjen nga pozicioni i drejtuesit të arsimit ndonëse e kisha fituar me konkurs. Kjo dorëheqje dhe lënia “e papunë” nga qeverisja e djathtë ma fuqizoi sensin e kontributit publik në cilësinë e ekspertes në projekte ndërkombëtare të lidhura me arsimin dhe luftën kundër korrupsionit në të”. Ajo vijoi të ishte pjesë e debateve publike, të mbronte çdo gjë të ideuar mirë sikurse të reflektonte për ato që nuk kishin arritur t’i bënim siç duhet. Ky moment, thekson ajo, e qartësoi shumë shpejt, se arsimi ishte mjedisi ku liria, kreativiteti dhe suksesi i saj njihnin maksimizimin. “Ai mbetej oksigjeni im intelektual dhe qenia ime shijonte minutin si mundësi për kontribut publik dhe rritje personale. Politika politika në vitet kur vendosa të përfshihesha nuk i kishin të pëlqyeshme këto standarde ama ishte kjo cilësi politike që më bëri më të fortë në zërin tim publik si grua e angazhuar dhe profesioniste e arsimit, më dha forcë dhe më motivoi më shumë për të kontribuar për arsimin, fëmijët dhe gruan publikisht”. Ndaj edhe për disa vite rresht Majlinda nuk e ndali kontributin me të njëjtin pasion si në arsim, edhe në politikë, duke drejtuar Forumin e Gruas Socialiste.

Pas këtij udhëtimi, Majlinda e kishte kuptuar se asgjë më shumë se arsimi nuk mund t’i jepte asaj kënaqësi, ndaj vendosi të rikthehej në arsim, këtë herë në një nivel tjetër. “Viti 2008 më riktheu në arsim në Universitetin e Tiranës. Për mua, mbetet ende mjedisi akademik ku merr sens liria përmes mendimit kritik ndonëse në luftë jo pa pasoja me pushtetin politik ndaj reformimit të arsimit”- thotë profesore Majlinda Keta.

 

Ajo ka një familje të shëndetshme që rrezaton dritë, inteligjencë dhe qytetarinë e trashëguar brez pas brezi. Sepse çdo sukses i Majlindës lidhet fort edhe me familjen, e cila e ka frymëzuar dhe motivuar për të ecur para. Familja është ajo e cila e ka pritur për orë të gjata t’i bashkohet darkave pas impenjimeve të lodhshme, duke i lënë gjithmonë atë vendin e nënës, por edhe të gjyshes, pa harruar misionin e saj të madh, arsimin…

Çdo orë e sekondë dedikuar arsimit, shpesh duke qenë edhe larg familjes, kanë qenë mëse të mirëkuptueshme në familjene saj, aq sa Majlinda e pranon se bashkëshorti, i cili mbetet edhe mbështetësi më i madh, e ka pranuar këtë “sëmundje”, ndërsa fëmijët janë rritur duke përjetuar me emocion çdo arritje të së ëmës. “Për mua koha për veten është koha që konsumoj për gjëra që i kam të shtrenjta, familja, profesioni miqtë e shumtë sikurse edhe jeta publike. Tashmë gjyshe, them se jam e bekuar që arsimi, familja dhe miqësia takojnë natyrshëm njëra – tjetrën bashkë me kujdesin tim për veten. Kam besuar dhe e them se qënia në shërbim të fëmijëve, të rinjve, studentëve të mban të re dhe të pasuron në miqësi, fakte këto që në vetvete edhe jetën familjare ta vlerësojnë”.

Kur them gjyshe Majlinda me vjen të qesh, sepse Linda është nga ato gra që nuk do të lidhej kurrsesi me figurën e gjyshes, por nuk e mohon se edhe këtë e bën shumë mirë, me përkujdesje dhe dashuri, e mbi të gjitha me dëshirën për të përçuar dashurinë për arsimin. “Çdo çast i këtyre viteve ka qenë një lumë vlerësimesh dhe vendimarrjesh për veten, në raport me individualitetin dhe identitetin e çdo nxënësi dhe studenti, kolegu a bashkëpunëtori, partneri vendas dhe të huaj ku tek unë konkurronte ambicia për të dalë me sukses dhe për t’u krenuar se jam Majlinda e arsimit. Kam fatin të ushqej e kontribuoj për të ardhmen e këtij vendi, fëmijët, rininë, armatën e edukatorëve”- përfundon Majlinda Keta, mësuesja, politikania, pedagogia e dashur, një mikeshë e të gjithë atyre që pasi e kanë takuar qoftë edhe njëherë, ajo i bën ta duan pa kushte…!

 

Previous ArticleNext Article