KreuFashion

Njihuni me traditat fatsjellëse të Ditës së Verës në zona të ndryshme të Shqipërisë!

Më 1 mars, në fshatrat e krahinës së Korçës, fëmijëve dhe beqarëve djem e vajza u jepej një si rreth dore a varëse, e bërë me fill të tjerrur të kuq e të bardhë, term që ndoshta ka lidhje me emrin e stinës ‘verë’ në shqip. Në fund të ditës, vajzat i linin ato në degë peme ose në shkurre. Në qoftë se zogjtë i merrnin ato verore për të bërë fole, atëherë mendohej se vajza do të martohej brenda vitit.

 

 

Zanafillën, “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 Marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore. Por festa e verës, që kremtohet në qytetin e njohur ndryshe “qyteti në kërthizë të Shqipërisë”, nuk është vetëm për elbasanasit.

Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone, si ballokumet dhe revaninë, të cilat në këtë ditë, sipas vendasve, “goditen” ndryshe nga herët e tjera, gjelin e detit, arrat apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.

Ndërsa sot është fiksuar 14 Marsi, ditë e festës së lashtë, që shënon ndryshe fundin e dimrit të acartë dhe hyrjen e pranverës së çeljes së luleve. Në kohën antike, të parët tanë, ilirët, udhëtonin nga të katër anët për t’ju falur perëndisë së ripërtëritjes dhe gjithësisë, Diana Candieviensis. Dita e Verës është festë e të gjithëve, dhe është festë mbarë popullore ku të gjithë gëzojnë.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF