Ervin Bejleri : “Madhështia i përket skenës, jo rrugës!”

Nga Nada Biraçi
Fotografia: Fani Aliko

Sapo ka përfunduar premiera e shfaqjes “Antigona”, dhe Kreoni pranoi të ndajë me ne emocionet e para, ato më të gjallat e të vërtetat që përjetohen pas një premiere. Roli e ka ‘detyruar’ të kthehet në biond, e ndërsa ulet në tavolinë, me shaka i them nëse po flas me Ervin Bejlerin, apo me Kreonin… “Madhështia i përket skenës, jo rrugës. Sapo mbyllet ajo perde unë jam vetëm Ervini, askush tjetër”, buzëqesh Ervini ndërsa kalon gishtat në mjekrën e gjatë të verdhë. Një aktor si ai, i jep shumë nga vetja rolit, por nuk merr gjë nga ai, e sipas tij, kështu duhet të jetë! Ervin Bejleri, aktori që ka ‘veshur’ dhjetëra karaktere në teatër e kinema, madje ka pasur fatin të ketë kolegë emra të njohur të Hollywood.

Emocionet e ‘gjalla’ të Ervin Bejlerit, para dhe pas një premiere, cilat janë?

Nuk ka rëndësi sa eksperiencë ke, apo sa herë brenda një jave do ta luash një shfaqje, emocionet janë gjithmonë aty. Unë personalisht kam gjithmonë, e do kem emocione të tilla derisa të vdes. Zemra pulson fort, ndjej presionin e gjakut që fillon e rritet, ndjej pasiguri që mendoj se mua më bën shumë mirë, pasi në këtë mënyrë vihen të gjitha shqisat në alarm, duke bërë që e gjithë qenia të jetë në gatishmëri të plotë. Nëse do përdorja një metaforë, për të përshkruar të gjitha ndjesitë e mia para një shfaqje do të ishte: Imagjinoni një shtet që po pushtohet dhe gjithë ushtria është në gatishmëri të plotë për të fituar betejën. Pasi përfundon pjesa teatrale aktori është në pritje të mendimit të të pranishmëve, komplimentet, kritikat.



Meqë jemi tek kritikat, cilin person do ta konsideronit kritikun tuaj më të mirë?

Kritikja më e mire imja është bashkëshortja Ola. E vlerësoj dhe e kam shumë të nevojshëm mendimin e saj, sepse më ndihmon shumë. Njësoj edhe siç jam unë për Olën. I japim gjithmonë një shtysë njëri-tjetrit për t’u përmirësuar.

Vajza Zahara Coco, a vjen në premierat e shfaqjeve?

Po, shumë shpesh! Coco vjen në të gjitha shfaqjet tona, edhe gjatë provave. Është e para që mëson tekstin, ndoshta ndonjëherë edhe më shpejt se unë e Ola dhe ka raste që edhe më korrigjon; ‘babi këtë e ngatërrove’, ‘kujdes këtu’ ose edhe kur aktorët e tjerë harrojnë ndonjë batutë, Coco-së nuk i shpëton asgjë. E kam kritike shumë të mirë edhe vajzën (Qesh). Coco në kuptimin e plotë të fjalës, hapat e parë i ka hedhur në skenë. Ishte gjatë provave të një shfaqje që kishte Ola dhe vajza ishte ulur në fund të skenës duke luajtur. Në një moment ajo u çua dhe hodhi 3-4 hapat e para…

Mos është kjo një shenjë që Coco do t’i vazhdojë hapat në skenë? E projektoni vajzën si aktore?

Tani për tani, as unë, as Ola nuk ja kemi ushqyer këtë gjë. Ose e thënë më thjesht; unë nuk kam nevojë t’i ushqej asaj frymën e aktrimit, Coco e sheh çdo ditë, është çdo ditë brenda në aktrim…si fëmija i dy aktorëve! Nëse do tregohesha i sinqertë deri në fund, nuk do të thoja se e kam ëndërr që Coco të bëhet aktore. Arsyeja është e thjeshtë: Vajza ime është e turpshme, nuk e ekzagjeroj kur them se është perfeksioniste, është një karakter shumë idealist, nuk toleron padrejtësitë… nisur nga të gjitha këto cilësi që në dukje janë shumë të mira, në realitetin e artit shqiptar, do ta ketë të vështirë të çajë…Për mua ajo të zgjedhë çfarë të dojë, çfarëdo që ajo të vendosë për të ardhmen e saj, mbështetjen tonë do ta ketë gjithmonë.

Ndërsa po bëjmë këtë bisedë, a mund të kthehemi shumë vite pas, në kohën kur Ervini ishte fëmijë. Si e kujton fëmijërinë?

Kam qenë një fëmijë me fat! Sa herë mundohem të kujtoj diçka nga vegjëlia ime, mua më dalin përpara vetëm sekuenca me diell, i qeshur, i lumtur dhe ky është një fat i madh, kur themelin e karakterit ti ke mundësi ta hedhësh mbi ca baza të shëndosha. Sigurisht gjithçka ka qenë meritë e prindërve të mi, që më kanë mbajtur larg problemeve, (dua të theksoj që unë i përkas brezit të viteve ’80-’90 një ndër periudhat më të vështira për vendin tonë, ku problemet ekonomike ishin të mëdha).

Në vegjëli, pyetjes “çfarë do të bëhesh kur të rritesh, i përgjigjeshe me ‘aktor’”?

Jo fare! Kur isha i vogël as që e mendoja se do të bëhesha aktor. Më pëlqenin filmat, por mendoj si çdo njeri në atë kohë, që kishte mundësi të shihte vetëm një film në darkë në TVSH, por nuk mendoj se kisha ndonjë të dhënë të veçantë se unë do të bëhesha aktor. Isha shumë i dhënë pas teknologjisë, makinave, më pëlqente shumë biologjia, por aktrimi as që ka kaluar ndonjëherë në atë sirtarin e dëshirave kur isha fëmijë.

Si lind një yll, një aktor sipas Vinit?

Hmm, nuk mendoj se trashëgimia ka të bëjë në lindjen e një ylli, aktori. Unë besoj në atë që unë e quaj ‘shkëndija’ dhe që sipas meje nuk ka moshë, apo kohë kur kjo shkëndijë shpërthen. Anthony Hopkins e pati shumë vonë këtë shkëndijë, dhe është sot një ndër aktorët më të mirë në Hollywood! Për shembull tek mua ndodhi në gjimnaz, kur mësuesja e letërsisë tentonte shpesh që të më nxirrte para klasës për të kënduar, apo që të më aktivizonte në aktivitetet e ndryshme që organizoheshin në shkollë, sepse siç duket ajo kishte parë diçka tek mua.

Si e kujton rolin tënd të parë?

Roli im i parë ka qenë provimi i diplomës, por që do ta quaja mirëfilli rol, pasi bashkë me profesorin e nxorëm shfaqjen edhe për publikun e gjerë, nëpër qendra të ndryshme. Më kujtohet që biletat i kemi shitur vetë, kemi dalë në rrugë duke ‘kapur njerëzit prej mënge’ për t’i shpjeguar kush ishim dhe çfarë po bënim. Më kujtohet që binte shumë shi, u lagëm, u bëmë qull, por ama arritëm t’i shisnim të gjitha biletat e shfaqjes.

Cili do të ishte roli, apo karakteri që do të refuzoje?

Do të refuzoja rolet që janë pa ngjyra, të cilët kanë një linjë të drejtë lineare, pa emocione komplekse apo pa shpërthime. Nuk kam ndonjë simpati të madhe për rolet e heronjve, ai personazhi që është i mirë gjithë kohës, i cili ndonëse është në qendër të veprës, është protagonist, ai zbulohet që në fillim. Mua më pëlqejnë rolet komplekse, që kanë zhvillim gjatë gjithë shfaqjes, personazhe që nuk mund t’i lexosh që në fillim.

Si mendon se duhet të krijohet marrëdhënia aktor-publik?

Madhështia i përket skenës, nuk i përket rrugës! Me këtë dua të them se është absurde nëse një artist apo aktor kërkon të shfaqet madhështor në jetën e përditshme, sado i talentuar, sado i ‘madh’ të jetë ky aktor, në momentin që ai e ka të vështirë të jetë i thjeshtë, të jetë njeri, të japë një mesazh njerëzor tek publiku që e ndjek, atëherë për mendimin tim, ai e zhbën gjithçka ka ndërtuar. Personalisht e ndjej si përgjegjësi që figura ime, emri im të tregojë moral, kulturë, qytetari sepse ai publiku që më ndjek dhe që më pëlqen si artist unë dua së pari të më pëlqejë si njeri.

Ke pasur fatin të jesh pjesë e produksioneve të huaja, si kanë qenë këto eksperienca?

Po për fat të mirë kam pasur mundësi të jem pjesë e produksioneve të huaja, kam pasur kolegë emra, të cilët disa vite më parë as që e mendoja se një ditë do t’i kisha përballë, jo më të bashkëpunoja. Emra që janë në maja të industrisë botërore të kinematografisë. Më ka bërë shumë përshtypje dashamirësia që aktorë të kalibrit të tillë kanë për kolegët e tyre (gjë që për fat të keq këtu tek ne nuk e has shpesh). Ata emra që janë aq madhështorë në film, apo në skenë, kur i ke përballë janë aq të thjeshtë, nuk hiqen si të zgjuar, si të paprekshëm…Më kujtohet një bashkëpunim që pata me aktorin Bruce Davison, fitues i një Golden Globe, të cilin e pyeta: “Bruce ti ke punuar në Hollywood, më thuaj diçka, si janë kolegët e tu, si sillen ata?” Ai tha janë njerëz shumë të mirë, të dashur, të hapur, bashkëpunues…Bruce gjatë xhirimeve më tha diçka: Vin ne jemi në dispozicionin tënd, ti je roli kryesor i këtij filmi, ndaj mos u druaj të na kërkosh çdo gjë që të duhet. Mua nuk më besohej që dëgjoja një aktor aq të madh, teksa më thoshte se ishte në dispozicionin tim. Një ikonë tjetër me të cilin kam bashkëpunuar dhe më ka lënë një shije shumë të mirë ka qenë Tom Sizemore, dhe më kujtohet një bisedë që pata me të, në grim para se të fillonim xhirimet. “Tom, a të të them se si jam njohur unë me ty; Në vitin 1994, kur në Shqipëri erdhi filmi “Natural Born Killers”, unë isha një djalë 16 vjeç që nuk kisha para për të blerë biletën dhe jam vjedhur, duke u futur nëpër dritaret e Pallatit të Kongreseve për të parë filmin, dhe personazhi që më ka pëlqyer më shumë ishte ai që luaje ti. Nuk më besohet që pas 25 vitesh unë të kam këtu përballë dhe po luaj një film me ty”. Sinqerisht që ndihem shumë me fat që kam pasur mundësinë të luaj me këta njerëz së pari, mandej aktorë.

Ervini dhe Ola jeni bashkëshortë të dy aktorë; a ju kanë propozuar të luanit bashkë? Nëse jo, cilët do të ishin rolet që mendoni se do t’ju shkonin?

Fatkeqësisht jo! Ende nuk na është propozuar një shfaqje e tillë dhe nuk di të them pse. Mendoj se ka shumë vepra që do të na shkonin ne, por në një mori veprash të tilla, do të veçoja tragjedinë Makbeth, Zoti dhe Zonja Makbeth. Kemi shumë ngjashmëri me çiftin Makbeth, në moskompromisin për padrejtësitë, apo edhe kur nuk bëjmë kompromis me paaftësinë. Natyra e qetë e imja, dhe e kundërta ime që është Ola (pasionante, që nuk dorëzohet lehtë), që shpesh më shtyn për të marrë vendime, më frymëzon….është një tjetër pikë ku ne ngjajmë me çiftin Makbeth. Mos të harrojmë shprehjen se “Pas një burri të suksesshëm është gjithmonë një grua e fortë”.

Duket se ju ndryshoni shumë nga njëri-tjetri. Ku e gjeni atë pikën e takimit mes çiftit tuaj (përveç dashurisë, sigurisht)?

Është e vërtetë që jemi shumë të ndryshëm si karaktere. Unë jam natyrë më e shtruar, më i logjikshëm në vendimet që marr, ndërsa Ola është natyrë më e vrullshme, që është gjithmonë e gatshme për të provuar, dhe ndonjëherë pa marrë parasysh rrezikun. Ajo që na bashkon përveç dashurisë, është fakti që ne jemi pasionantë të dy shumë, në çdo gjë që bëjmë.

Në programin “C’est la vie” njohëm edhe një anë tjetër (tejet të talentuar) tënden, kënga! Zbuluam që ishe talent edhe në muzikë!

Më ka pëlqyer gjithmonë kënga, ndonëse në “C’est la vie” ishte dalja ime e parë duke kënduar, që do të thotë, bëra kalimin nga këndimi në dush, në këndimin në skenë. Aty shpalosa gjithë shijen time të muzikës, pasi edhe përzgjedhjet muzikore i bëja vetë. Ishte një super eksperiencë, dhe më vjen mirë që publiku njohu edhe këtë talentin siç po më thua…(Qesh).

Ke menduar të investohesh edhe në muzikë; të bësh një këngë?

Hmm nuk është se nuk e kam menduar, por në rrymën që unë pëlqej, muzika rrok, nuk është se ka një publik të gjerë, dhe nuk e di sa do t’ia vlente të investohesha sepse në fund të fundit, duhet të mendojmë edhe për feedbackun financiar, po ndonjë këngë për qejf pse jo, edhe mund ta bëj. Për shembull ofertën e fundit e kam pasur nga Bojken Lako, i cili më ftoi në studion e tij, por nuk kam pasur kohë. Me një artist si Bojken do të isha shumë i lumtur që të bashkëpunoja.

Previous ArticleNext Article