KreuArt

Joni Kraja: “Një ftesë në Agora Gallery”

Galeria prestigjioze amerikane hap dyert për artistin shqiptar me një ekspozitë e cila rrëmbeu vëmendjen e publikut, ku “Moonglight 9”, u shit që ditën e dytë

Nga Olsi Kolami

‘Një drithërimë e ngrirë në kohë’, e cilëson galeria prestigjioze Agora, veprën e artistit Joni Kraja, në shkrimin kuratorial të katalogut ku punët e artistit shqiptar u prezantuan së fundmi. Artisti udhëtoi në Mars drejt SHBA-ve ku u bë pjesë e ekspozitës ‘Roots and Wings’ në New York, një tjetër hap i madh drejt artit botëror, pas Hagës dhe Strasburgut vitin që lamë pas. Prej vitesh me frymën e theksuar surrealiste në veprat e tij, Kraja ka sjellë në këtë ekspozitë ‘Moonlight 9’, një rikthim tek tema e hënës, si një përpjekje për të zbuluar anën e saj të errët. ‘I rritur në Shqipërinë komuniste, artisti e sheh pikturën si një veprim revolucionar, duke e zhytur botën rreth tij në ngjyrë dhe kuptim. Kraja krijon skena të gjalla ku figurat e tij shpesh janë të ngarkuara me dhimbje. Ai endet midis parajsës dhe ferrit të tij personal, e ndërkohë dhe veprat e tij ndjehen të kapura mes këtyre dy forcave kundërshtare’-thekson kuratori, duke dhënë vlerësimet maksimale për artistin shqiptar.

Nga ‘Gallery 70’ në Tiranë, më pas në Strasburg dhe Hagë në 2018-ën, e nisni 2019-ën me New York-un, si erdhi kjo ekspozitë?

Gjatë vitit të kaluar nënshkrova një marrëveshje përfaqësimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe organizimi i ekspozitës ishte pjesë e saj. Ata përzgjodhën një pjesë të portofolit tim për të promovuar në rrethet e koleksionistëve. SHBA-të përfaqësojnë tregun më të madh të artit në botë dhe padyshim është tunduese të jesh pjesë e koleksioneve të artit në Amerikë.

Sipas statistikave të Seksionit të Artit të bankës UBS, janë 64.7 miliardë USD të shpenzuara në vepra arti dhe mbi 39 milionë transaksione. A ndikon ky treg dhe në çmimin e veprave që ke prezantuar?

Galeria ka ekspertët e saj për vlerësimin e veprave. Ky vlerësim bazohet në përvojën e artistit, historikun e tij të shitjeve, sigurisht dhe origjinën dhe konjukturën e tregut. Më pas është e drejta e artistit të vendosë nëse çmimi i propozuar i përgjigjet pritshmërive të tij.

Marrëdhënien tuaj me hënën e kemi parë në ekspozitën ‘Moonlight’ por në New York prezantuat ‘Moonlight 9’, për të cilën kuratori ka sjellë një tjetër interpretim. “Në ‘Moonlight 9’, një qen shtrihet në krah nën një horizont të gjallë, me re, të ndarë nga dy plane të dallueshme ngjyrash. I pafytyrë dhe vetëm me një pikë të purpurt rreth fytyrës, qeni duket indiferent ndaj asaj që po ndodh më lart, duke i mohuar vetes kënaqësinë e zbulimit të së panjohurës”, çmenduat kur e lexuat?

Nuk besoj se ka hapësirë për të bërë interpretime apo për të reaguar. Për mua hëna është me dy anë dhe më ka tërhequr gjithmonë ana e saj e errët dhe e pavetëdijshmja. Arti modern dhe bashkëkohor lë hapësira për interpretime për të gjithë, duke i bërë njerëzit të vendosin një marrëdhënie direkte dhe personale me veprën. Gjithashtu në kohë të ndryshme njerëzit mund të zbulojnë elemente të rinj brenda veprës, dhe pse jo të ndryshojnë këndvështrimin fillestar. Për mua kjo i jep dinamikë marrëdhënies me artin. Kjo bën që ta shijosh veprën gjatë, ndryshëm dhe në mënyrë personale.

Po publiku amerikan si reagoi ndaj veprës?

‘Moonlight 9’ u shit në ditën e dytë të ekspozimit dhe besoj se është një reagim pozitiv. Përballja me tregun ndërkombëtar përmes galerisë është e mirë. Përfaqësime të tilla të lançojnë, të zgjerojnë networkun dhe hapin mundësi të reja bashkëpunimi. Gjithashtu kontribuojnë dhe në përcaktimin e “çmimit të referencës” për veprat e artit.

Tek ‘Lëvizja Politike në Vendet në Zhvillim”, një grua e pangjyrë e shtrirë përmbys mbi një krah të deformuar, e kapur në greminën e dy planeve që përplasen në lëkundjen blu dhe të verdhë. Teksa e ngjesh veprën me simbolizmin, artisti na jep një dritare në betejat e tij të brendshme, që vijnë nga përvoja e të jetuarit në një botë pa ngjyra” – si u përzgjodh kjo vepër krah ‘Moonlight 9’?

Në këtë ekspozitë, kuratori është udhëhequr shumë nga elementi figurativ te abstraktja. Dhe duke parë mënyrën e kurimit të ekspozitës besoj se ka qenë zgjedhja e duhur. A do ti kisha venë unë këto punë pranë njëra – tjetrës? Nuk e di por duke i parë në sallë, dhe dukë parë reagimin e publikut tek lëvizte nga një punë te tjetra, them se ishte një zgjedhje e mirë.

Kjo eksperiencë në New York a do të ndikojë në krijimtarinë aktuale dhe a identifikuat diçka që mund t’ju frymëzojë?

“Bigger is better” thonë amerikanet (qesh), por besoj se kjo ka qenë fryma në të cilën isha që para se të nisesha. Më pëlqen të punoj në formate të mëdha. Me duket si një betejë midis artistit dhe pjellës së tij (pikturës) dhe loja bëhet dramatike dhe sfiduese: kompozimi, ngjyra, penelata – BIG . Ndjehem mirë në këtë format.

Po ekspozitat e ardhshme për ku janë planifikuar?

Pas ekspozitës në New York më kanë ardhur disa ftesa të tjera, në New York dhe Itali. Po e vlerësoj dhe ende nuk kam marrë vendim. Ndërkohë që në Vjeshtë do të kem një ekspozitë në ‘Gallery 70 Contemporary Art’ në Tiranë, kësaj herë me skulpturë.

Çfarë po ndodh me ‘Gallery 70’ aktualisht?

Jam shumë i kënaqur që këtë vit ‘Gallery 70’ e nisi me një grup prej 4 artistësh dhe një program ekspozitash që u publikua në Janar. Ekspozita e Orion Shimës ‘Mes errësirës dhe dritës’, hapi sezonin dhe do të ndiqet nga ekspozitat e Alban Hajdinaj në Prill dhe Ergys Zhabjaku në Qershor. Këta artistë sjellin këndvështrime origjinale dhe audienca të reja. Po punojmë dhe për një bashkëpunim ndërkombëtar, por që ende nuk është finalizuar.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF