KreuBusull

Pushime në fshatrat shqiptare, nga mali në liqen!

Pranvera e pastër shqiptare në fshatrat e largët, nga Valbona derinë Pezë, për të vijuar udhëtimin në Jug, në liqenin e Ohrit dhe Prespës së Madhe.

Në çdo stinë, por sidomos në Pranverë vendi ideal për të udhëtuar është fshati. Në listën e 100 fshatrave projekt i , ju sjellim disa destinacione nga malet e larta mbuluar nga gjelbërimi deri në vendet relaksuese buzë liqenit, të cilat në këtë sezon shndërrohen në një amfiteatër ngjyrash, një atmosferë spektakolare që gjallon nga cicërimat e zonjve. Një udhëtim që do të startojë nga Valbona, duke zbritur në Ishull Lezhë, më pas në Pezë, një destinacion pak kilometra larg kryeqytetit rrethuar nga kodrat e buta dhe livadhet e gjelbëruara, për të udhëtuar më pas në disa fshatra, ku prania e liqenit që lag këmbët e tyre, i bën më romantike dhe po aq të bukura këto vende, si fshati Lin më liqenin e Ohrit apo Zaroshka me Prespën e madhe. Bordo dhe ju sjellim disa destinacione ndoshta të dëgjuara, ose jo, për të cilat do të zbuloni aq shumë sa nuk keni për ta besuar, edhe pse shumë prej tyre ndodhen shumë afër nesh.

 

E bukura, Valbonë – Kukës

Udhëtimi në Valbonë, nis me liqenin e Komanit një panoramë e bukur ku ndërthurret pamja mes ujit, maleve të larta që ngrejnë kryet drejt qiellimi dhe grykave që duket se nuk kanë mbarim. Ngjan si një udhëtim si në përralla, ku ndëthurret panorama e prekshme, por edhe historia dhe legjendat që janë ‘mbjellë’ prej shekujsh në këtë krahinë të Veriut të vendit. Lugina e Valbonës në Tropojë është një atraksion tipik për në Pranverë, pasi kemi lënë Dimrin, i cili po ashtu fsheh shumë supriza. Edhe pse majat e malave kanë ende mbi krye kapuçin e bardhë, gjelbërimi i harlisur ngado është kaq hipnotizues, sa të rrëmben në gjirin e natyrës, një pjesë e së cilës mund të themi që është e paprekur ende nga dora e njeriut.

Të apasionuarit pas turizmit malor mund të bëjnë një udhëtim të mrekullueshëm në këtë sezon në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës e cila të magjeps me pasurinë natyrore. Parku ndodhet në Qarkun e Kukësit dhe në rrethin e Tropojës, ndodhet rreth 25 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Lugina shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në Pranverë. Lugina nis me kanionin e famshëm te Valbonës ku distanca midis dy maleve që e kanë futur lumin në gjirin e tyre,  arrin në pothuajse 1 metër. Pamja është joshëse me hapjen e saj madhështore: me pyjet përreth që me jeshilen e tyre herë të hapur, e herë të errët, krijojnë një kontrast të mrekullueshëm. Valbona ka ngjyra të mahnitshme, diku blu e hapur dhe e bardhë, diku e gjelbër e fortë. Mund të akomodoheni në Rragam, një vend ku  edhe mundësia për të shijuar frymën tipike të zonës është ideale, kulturën, historinë dhe traditën, apo pejsazhin e rrallë, pa harruar arkitektura e shtëpive, kullat e dikurshme të kthyera në bujtina, e deri tek gatimet tradicionale të zonës, të cilat ruhen me fanatizëm nga amvisat vendase.

Një destinacion joshës është ujëvara e Rragamit, e njohur ndryshe si burimi i Lumit Valbona, i cili do t’ju marrë disa minuta, është një nga vendet që zbulon gjithë misterin e lumit. Akomodimi në bujtinat e Valbonës është një atraksion më vetë: janë kryesisht ndërtesa tipike me stili tradicional me çati të pjerrëta, ku mund të shijoni ushqimin tradicional, një mëngjes me petulla e mjaltë, para një panoramë mbresëlënëse. Bujtinat e ndërtuara dhe menaxhuara nga vetë banorët e zonës, kanë ruajtur traditën brenda interiorit, por edhe në gaimet tipike. Flija e pjekur në saç dhe mishi i shijshëm i kecit, trofta e freskët apo turshitë dhe djathi i shtëpisë, janë një motiv më shumë për ta vizituar Valbonën.

Me pamje nga Zogaj  Shkodër

Një ndër vendet që bën pjesë në listën 100 fshatrat është Zogaj në Shkodër, i cili edhe pse mund të jetë një vend në të cilin keni kaluar me dhjetra herë, ka shumë për të zbuluar vetëm në pak orë. Nëse keni zgjedhur të qëndroni në Shkodër, Zogaj ndodhet 7 kilometra larg qendrës së qytetit, i pozicionuar në këmbët e malit Taraboshit dhe buzë liqenit të Shkodrës, ai është një bukuri e fshehur, pasi për shumëkënd, mund të jetë thjesht fshati që keni kaluar, por nuk jeni ndalur kurrë. Zogaj është një fshat që prej shekujsh njihet për peshkimin, produktet të cilat gjenden në çdo restorant të zonës dhe Shkodrës, pa harruar që një atraksion më vetë është edhe natyra e virgjër.

Përveç panoramës, kjo ëshstë një zonë ku mund të bëhen udhëtime me biçikleta dhe eksplorime në shtigjet e malit të Taraboshit që shkojnë deri në kufi me Malin e Zi. Sidomos gjatë periudhës që ngrohet koha, aty mund të shohësh të gjithë shkodranët që shëtisin buzë liqenit, në një korsi enkas për biçikletat, e cila gjarpëron përgjatë liqenit, ku mund të shohësh në çdo stinë peshkatarët që gjuajnë krapin, i cili mbetet edhe mbreti u ujrave të ëmbla. Gjatë Verës plazhet gjallojnë gjithë bregun. Mund të akomodoheni në çdo sezon me çmime të arsyeshme, kryesisht në bujtinat e banorëve, një pjesë e të cilave gjenden krah liqenit. Nuk do të gjeni asnjë vend më të mirë për të provuar gastronominë e krahinës sesa në fshatin Zogaj, ku një numër i madh restorantesh ndodhen në këtë zonë, duke ofruar menu tradicionale dhe atë modern, kryesisht atë të stilit të rafinuar Italian. Në këtë fshat mund të gjeni tavën e famshme të krapit, gatimin tradicional të këtij peshku të cilët banorët e ruajnë me fanatizëm.

Lezhë në kërkim të Ishullit- Lezhë

I pozicionuar në jugperëndim të qytetit të Shëngjinit, Ishull Lezhë është një fshat i cili mban emrin Ishull, për shkak të sistemit lagunor që e rrethon, kanaleve e vija ujore, që fromojnë një ishull natyral. Vetëm 60 kilometra nga Tirana, ky destinacion turistik është e para Zonë e Mbrojtur e Shqipërisë, e shpallur si Rezervë Gjuetie që nga korriku i vitit 1940, emër më të cilin njihet ende. Njihet si një nga destinacionet turistike më të vizitueshme në veriun e Shqipërisë për natyrën e bukur, për turizmin e vëzhgimit të shpendëve ujorë, për gastronominë e veçantë, por edhe për kuriozitetin kulturor të saj. Aty gjendet një ndërtesë të vitit 1939 e  shpallur “Monument Kulture”, që lidhet me emrin e Kontit Çiano, ish-ministrit të Jashtëm të Italisë. Hoteli i Gjuetarëve në Ishull-Lezhë ka historinë e vet dhe vlera arkitekturore, që i ruan ende sot e kësaj dite, ndonëse pjesa më e madhe e kësaj rezidence është e shkatërruar. Çiano, aty ftonte shumë personalitete italiane dhe miq nga vende të ndryshme, si dhe projektuesit kryesorë të operacioneve ushtarake, strategjike e diplomatike të Duçes.

Më vonë, në kohën e komunizmit, ajo vizitohej nga nomenklatura e kuqe, ku personazhe të saj gjuanin shpendë dhe kafshë të egra të lagunës. Në këtë lagunë, ka një numër të madh shpendësh të rrallë si: Rosa e Egër, Bajza, Çafka, Karabullaku, por janë flamingot ato që tërheqin më shumë me shfaqet e tyre të “kërcimit” në ujë, i cili më së shumti është i pranishëm sidomos gjatë stinës së Pranverës. Ju mund të shijoni në këtë zonë pamjen e bukur që sheh nga malet, laguna dhe deti duke u akomoduar në hotelet e zonës, ndërsa restorantet ofrojnë një menu me bazë prodhimet e detit dhe ato të lagunës.

Pezë, mushkëria e kryeqytetit – Tiranë 

Peza është një zonë mjaft e bukur dhe me shumë mundësi argëtimi, e cila gjendet vetëm pak minuta larg kryeqytetit. Rrugëtimi nis me një pamje tipike, si një aventurë, ku dallohen kodra të buta që rrethojnë fshatrat e mbuluara nga gjelbërimi, një natyrë e mbushur me panoramë piktoreske. Sapo hyni direkt në fshat, do të befasoheni nga një park gjigant, ku gjendet edhe shtëpia muze e Myslim Pezës, e në krah lapidari që dëshmon për historinë e vendit.

Peza rezervon një panoramë unike, por edhe shumë histori, nga kështjella antike deri tek monumentet historike, arkitekturë tradicionale dhe monumentet e gjalla natyrore, pa harruar llojet e rralla të speciave të florës dhe faunës, që gjenden në liqenet aty pranë.

Fundjava këtu mund të jetë relaksuese sidomos për ata që familjarisht kanë vendosur të jenë pjesë e këtij destinacioni, ku mund të çlodheni me familjen, apo të organizoni një piknik në zemër të gjelbërimit, ndërsa të apasionuarit pas peshkimit kanë mundësi të gjuajnë peshk në dy rezervuarë, ku kultivohen lloje të ndryshme peshqish. Liqeni i Fjollës është një nga pikat më të dashura për banorët e zonës. Ky liqen është mjaft i bukur, me ujëra të thellë e të pastër, me një sipërfaqe prej 14 hektarësh, rrethuar nga një peizazh unik.

Ata që duan të shijojnë ushqimin tipik, të jeni të sigurt që ato vijnë direkt nga fermat, produkte të freskëta, direkt në tryezat e restoranteve. Të vegjlit përveç piknikut mund të argëtohen me balonat, apo me lojtrat e shumta që mund të organizojnë në fushën e pafundme me gjelbërim që ndodhet në zemër të fshatit. Prej vitesh në këtë zonë zhvillimi i agroturizmit ka tërhequr vëmendjen me ngritjen e fermave, një pjesë e të cilave ngjitur me to, kanë edhe restorante që ofrojnë ushqimet tiike vendase.

Nëse jeni të interesuar për historinë, vendi që mund të vizitoni është Kalaja e Dorzit, e cila ndodhet vetëm pesë kilometra larg Pezës, vendosur në majën e kodrën Rrasa e Karave. Edhe pse muret thuajse janë zhdukur, aty gjenden ende gjurmë të shtresave gëlqerore dhe gurët e mëdhenj, ku dikur gjendeshin edhe kullat në të tre këndet e saj. Po kaq interesant është edhe lapidari i vendosur në qendër të fshatit i cili kujton të rënët gjatë luftës së dytë botërore, ndërkaq pak metra më tutje mund të vizitohet edhe shtëpia muze e Myslim Pezës, një personazh i njohur i historisë së këtij fshati, shtëpia e të cilit ruan vlera të rralla arkitekturore dhe konsiderohet si një tjetër destinacion historik për t’u vizituar në këtë zonë.

Ushqimet tradicionale të Pezës janë qartazi reflektim i gastronomisë tipike tiranase, të cilat mund t’i shijoni në restorantet që ndodhet aty qark, nga fërgesa tipike deri tek ato më moderne, të cilat janë transformuar në menutë gourme.

Lin, liqeni i Dritës – Pogradec

Fshati Lin, është vedosur në brigjet e një gadishulli të vogël të liqenit të Ohrit, kupjesa më e madhe e shtëpive janë ‘të akoruara” buzë ujërave që reflektohen në sipërfaqen e kaltër. Fshati i vogël buzë liqenit të Ohrit, gjendet vetëm 22 km nga qyteti i Pogradecit, me një bukuri të rrallë dhe peizazh mahnitës, që nis nga maja e një kodre jo shumë të lartë dhe zbret përmes rrugëve me kalldrëm buzë gjolit, siç e thërrasin vendasit.

Përveç bukurisë, në jug të Linit, në një thellësi 3 m ndodhen disa palafite në bazilikën e fshatit, të cilat janë dëshmi e gjallë e historisë, një vendbanim i tipit liqenor, i ndërtuar në sipërfaqe të liqenit. Jeta në këtë gadishull ka filluar në periudhën e parë të Epokës së Hekurit, kohë së cilës i përkasin edhe mozaikët e famshëm të Linit, të cilët gjenden mbi kodër dhe ka vazhduar deri në kohën e Mesjetës së Hershme. Ka shumë histori mbi origjinën e emrit, por njëra prej tyre thotë se, kur ushtarët e Jul Çezarit mbërritën në kodër u mahnitën aq shumë, sa bërtitën “Lyhnidas”, që do të thotë “Liqeni i Dritës”.

 

Një destionacion për t’u zbuluar në fshat është “Mulliri i Vjetër”, me burime gurgulluese dhe hije pemësh, ideal për piknik, ku mund të shijoni qetësinë e natyrës. Në Lin ndodhet edhe qendra e rritjes se Koranit, mbretit të liqenit, ku edhe bëhet përgatitja për peshqit e vegjël të cilët, pasi arrijnë një fazë lëshohen për të populluar Liqenin e Ohrit. Peshku i Koranit është një pasuri e çmuar e liqenit, por nga ana tjetër ai është edhe një krenari e pjatave të vendasve, ku mund të shijoni më tipiken, tavën me qepë, të shoqëruar me verën tipike të kuqe, e cila përgatitet nga vendasit në kodrat që rrethojnë fshatin dhe konsiderohet po ashtu një element i kuzhinës së Linit.

Zaroshkë, perla e Prespës – Korçë

Pasi kemi lënë Korçën, rrugës për në Devoll, dredhojmë majtas, e fill pasi ke hyrë në një grykë mes malit të Thatë dhe Ivan, të shfaqet para sysh një pamje përrallore. Zaroshka është një ndër nëntë fshatrat me banorë të minoritetit maqedonas, traditë të cilën e ruajnë ende edhe kësaj ditë përmes historisë, gjuhës dhe kulinarisë. E vendosur në një shpat mali, duke zbritur buzë liqenit ku janë ankoruar edhe barkat, peshkimi është edhe stili i pashmangshëm i jetesës për banorët e Zaroshkës.  Liqeni i Prespës së madhe është një ndër pasuritë e zonës, kufijtë e të cilit ndahen me fqinjët maqëdonas. Turizmi është zhvilluar duke ofruar akomidim në shtëpitë e vendasve, të cilat nisin e popullohen më shumë nga vizitorët në sezonin e Pranverës duke kulmuar në Verë.

Një prej vendeve më të vizituata mbetet ishulli i Maligradit i cili ndodhet në mes të liqenit, ku ruhet ende një kishë me ikona të rrala të kohës së  Bizantit e shekullit të 14-të. Ishulli ka gjatësi rreth 800 metra dhe gjerësi rreth 200 metra, me shpate të pjerrët.

Do të ndjeni ngado bujarinë e banorëve të cilët të gostisin së pjatat që janë tipike, një përzierje e gatimeve shqiptare dhe maqedonase, pa harruar shportat me mollë, po aq të famshme në gjithë krahinën. Shumëllojshmëria e pjatave të tyre, fillon e mbaron me peshkun, i cili është edhe lidhja që mban gjallë ata me liqenin e Prespës së Madhe, ku corinkat janë edhe më të preferuarat. Në Zaroshkë nuk gjeni shtëpi pa fuçinë e verës artizanale apo kazanet artizanalë të rakisë, të cilën vendasit e ruajnë për miqtë.

Liqeni i Prespës së Madhe dallohet për florën dhe faunën e pasur: mbi 1500 lloje bimësh, 40 lloje gjitarësh nga ariu i murmë tek lundra, por ai që spikat është pelikani dalmat. Prespa e Madhe ka mbi 30 monumente të kulturës bizantine si dhe një numër mjaft të madh të veprave të antikitetit që presin të vizitohen nga turistët.

Tags:

Home Busull

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF