Aventura përmes fotografisë! Intervistë me alpinistin dhe eksploruesin Fatjon Plaku

Alpinisti dhe eksploruesi Fatjon Plaku, udhëtimet e fiksuara në fotografi, ngjitjet më të suksesshme dhe ato që ka planifikuar për të ardhmen

Olsi Kolami



Nuk ka asnjë moment udhëtimi që ai të mos e fiksojë përmes fotografisë, madje edhe ta bëjë publike përmes rrjeteve sociale. Fatjon Plaku, pohon se pamjet që përjeton nëpër male si eksplorues janë unike, ndaj i bën publike në rrjetet sociale, në mënyrë që të stimulojë të rinjtë të lënë kafenetë dhe të dalin të sodisin, të argëtohen dhe të eksplorojnë natyrën e mrekullueshme të vendit tonë.

Si ishte eksperienca në ngjitjen e Everestit? Jeni një nga anëtarët e ekipit Shqiptar që valëviti flamurin shqiptar në majën më të lartë të planetit tonë.

Të ngjitesh majën më të lartë të botës, Everestin me lartësi 8848m, domethënë të realizosh një ëndërr të cilën e dëshiron çdo alpinist. Për ekipin tonë, që përbëhej nga 6 alpinistë, ngjitja ishte më shume se një ëndërr: i kishim premtuar vetes që do valëvisnim flamurin shqiptar për herë të parë në historinë e alpinizmit tonë për nder të 100 Vjetorit të Pavarësisë. Nuk e dinim nëse do arrinim në majë. Askush nuk e dinte, askush nuk kishte siguri të plotë. Ka shumë alpinistë në botë që e synojnë këtë majë, por jo të gjithë arrijnë të ngjiten. Madje ka prej tyre që nuk kthehen nga Everesti. Por ne do të synonim dhe secili kishte një flamur të kombit tonë. Ishim me fat që u ngjitëm që të gjashtë!

Eksperienca në ngjitjen e Everestit është unike dhe nuk mund ta krahasoj me asgjë tjetër në botë. Momentet e ngjitjes dhe zbritjes nga maja, adrenalina që kam përjetuar në çatinë e botës, janë vështirë t’i përshkruash me fjalë. Por ja një i tillë: kur i thashë një anëtari të ekipit që të bënim një fotografi në majë me flamurin, ai as nuk më dëgjoi e as veproi sepse e “kish humbur” dhe jetonte me të pabesueshmen e atij çasti. Ne kishim realizuar synimin, ëndrrën tonë! Ekspedita zgjati dy muaj dhe gjatë kësaj kohe kemi kaluar shumë vështirësi teknike të relievit dhe mundime trupore për të përshtatur trupin me mungesën e oksigjenit. Dhe me shumë vështirësi ne “e bindëm atë” që të punonte dhe sillej sikundër e donte ngjitja e Everestit. Dhe kështu një ditë ne arritëm të ngjitemi deri në atë që quhet “zonë e vdekjes”, në kampin në lartësinë 7800 metra, pa përdorur bombolat e oksigjenit.  Kjo arritje premtonte që ne do mund të arrinim majën Everest.

Moment i vështirë ishte ngjitja finale drejt majës, gjithë natën e 24 majit duke gdhirë 25 Maj. Treguam kujdes me relievin e rrezikshëm dhe temperaturën që i kalonte minus 35. Nuk mjaftonin këto, por gjatë metrave të fundit pamjet ishin tronditëse, mbi 10 trupa të vdekur! Duhej të bëje shumë kujdes sepse gabimi më i vogël paguhej me jetën. Ngjitja e Everestit është një sfidë me veten. Kur kthehesh nga pushtimi i Everestit ndjehesh krenar për arritjen dhe të duket vetja aventurieri më i lumtur i botës. A mund ta mendoni se çdo të thotë të shikosh planetin tonë nga pika më e lartë e tij? Unë e ndjej veten të veçantë, të privilegjuar dhe të nderuar nga kushdo që mëson se unë kam qenë atje!

Si lindi pasioni për udhëtimet?

Pasioni për udhëtimet më ka lindur që kur kam qenë fëmijë dhe me moshatarët e mi dilnim dhe eksploronim zonat përqark “tironës”, ndoshta rreth moshës 13 – 14 vjeçare.

Cili ka qenë udhëtimi i parë, po ai i fundit?

Udhëtimi parë, i rëndësishëm, ka qenë një ekspeditë një javore në Dajt me alpinistët e rinj të klubit 17 Nëntori në vitin 1987. Ky rast lidhet edhe me përvojën time të parë lidhur me jetën e kampingut, apo fushimit. Herën e fundit kam qenë i vetëm, në gjirin e Ariut në Gadishullin e Karaburunit. Pata rastin që të vizitoj për të disatën herë kishën më të vjetër në vendin tonë, atë të Marmiroit, qytetin e Orikut, shpellën e Duk Gjonit; të eksploroj bunkerët e shumtë përgjatë bregut, të sodisja dhe shijoja plazhin e virgjër të gjirit si dhe duke kaluar një natë jashtë.


Secret Paradise Cave

Jeni i lidhur me fotografinë, duket sikur shkrepni çdo moment, janë foto çasti apo i konceptoni?

Shumë foto i konceptoj pasi janë vende që i kam vizituar më parë, por gjithmonë në çdo vend ku shkoj për të disatën herë ka surpriza të reja për të fotografuar. Në udhëtimin e fundit në Gjirin e Ariut: pata fatin të fotografoj dhe filmoj nepërkën më të rrezikshme, ndërsa gjatë natës xhirova me një kamera kurth një dhelpër, një iriq dhe një baldosë.

Cili është sesioni i fotografisë që ju kanë dhënë më shumë kënaqësi?

Pa diskutim fotot e Everestit dhe udhëtimi në Afrikë. Ai është një nga më të bukurit që kam bërë nëpër botë, sigurisht dhe vendet e paeksploruara më parë në vendin tonë.

Fotografia juaj zhvendoset nga peizazhi tek shpendët, kafshët, ka një dinamikë që i referohet ngjarjeve apo ju keni gjithnjë një qëllim?

Është e vërtetë që nuk merrem vetëm me foto panoramike, më pëlqen të fotografoj shpendët, kafshët dhe njëherësh trashëgiminë kulturore. I shoh aventurat e mia shumë interesante dhe me pëlqen të fotografoj çdo detaj të udhëtimit.

Cilat janë disa nga foto që i vlerësoni si më të bukurat për t’i ndarë me lexuesit?

Fotoja më e bukur, por dhe historike, është në majën e botës, në Everest duke valëvitur flamurin shqiptar. Të veçanta janë fotot që kam shkrepur gjatë safarit në Afrikë, pamje që deri dje i shikoja vetëm në dokumentarë; foto të maleve tona, veçanërisht ato në Alpe. Por ka edhe të tjera: kam qenë edhe fotograf me fat, është ajo kur një gjarpër shigjetë sulmoi një zhapik. Ky është një moment i rrallë.

Cili do të jetë destinacioni i radhës? A keni një agjendë?

Në botën alpinistike njihet lëvizja Seven Summits, ngjitja e majës më të lartë në 7 kontinente. Nisma Shtatë Majat përfshin në Evropë maja Elbrus (5.642 m), në Afrikë maja Kilimanjaro (5.895 m), në Amerikën Veriore maja Denali (6.194 m), në Amerikën Jugore maja Aconcagua (6.962 m), në Azi maja Everest (8.848 m), në Antarktidë maja Vinson (4.897 m), në Oqeani maja Carstensz Pyramid (4.884 m). Ka disa alpinistë të vendit tonë që janë përfshirë në këtë lëvizje. Nga Shoqata Bjeshkatarë dhe Alpinistë Tirana, shoqata ku unë bëj pjesë, deri tani janë shtatë anëtarë të përfshirë në këtë lëvizje. Unë jam një prej tyre dhe deri më sot kam realizuar ngjitjen e Everest, Elbrus, Kilimanjaro dhe Aconcagua. Ëndra ime është që të realizoj ngjitjen e të shtatë majave.

DCIM100MEDIADJI_0291.JPG
Previous ArticleNext Article