KreuArt

Emira Zenelaj sjell magjinë e dritës

Pastaj Perëndia tha: “U bëftë drita!”. Dhe drita u bë! – Fjalia e tretë në librin e shenjtë në Bibël është drita, një motiv i cili ka frymëzuar mijëra njerëz, të cilët kanë shijuar magjinë e bardhësisë, anës hyjnore që ajo rrezaton. Por duket se arkitektja Emira Zenelaj ka gjetur një tjetër këndvështrim, permes fotografisë, duke luajtur me dritën, hijet dhe kodet që prodhohen nga mbivendosja e tyre.

 Jeni në prag të çeljes se ekspozitës tuaj fotografike, si është konceptuar?

Ekspozita ka lindur nga një kureshtje dhe pasion që kam mbi dritën, hijet dhe gjithë dimensionet që ato sjellin në fotografi. Për këtë arsye dhe është titulluar ‘Phos’, që në greqishten e lashtë do të thotë Dritë. Në ekspozitë do të shfaqet një seri fotografish të realizuara në momente të ndryshme të lindjes së diellit, ku është studiuar loja e dritës në subjektin femëror, duke krijuar kështu një atmosferë të ngjashme me realizmin magjik.

Pse ‘Dritehije’, një titull që lidhet me misterin, ju pëlqen të luani me kode apo mesazhe që sjell imazhi fotografik?

Po, më pëlqen ndjesia që krijohet nga kodet qe jep dritëhija, duke e lënë personin që e sheh fotografinë të futet dhe të gjeje pak nga vetja, madje edhe ta personalizojë duke i dhënë emra e duke e veshur me situata të ndryshme personazhin brenda fotografisë.

Si i zgjidhni subjektet që fotografoni, janë të rastësishme apo ndiqni evolucionin e tyre?

Subjektet që zgjedh nuk janë të rastësishme. Zakonisht preferoj të jenë subjekte që njoh, evolucionin e të cilëve e kam ndjekur, sepse më ndihmon të nxjerr në pah një anë të tyre që mbase nuk e dinë që e kanë, një feminitet që në kushte të caktuara ka një tjetër dimension.

Sa do te jetë numri i fotografive, a është i ndarë në cikle apo tematika?

Në total do të jenë 23 fotografi, të përmasave të mëdha, për t’i bërë sa më të perceptueshme për syrin. Është vetëm një cikël, i cili është frymëzuar pikërisht nga titulli i ekspozitës dhe që ka qenë dhe fokusi im kryesor për periudhën e fundit.

Në ekspoziten e fundit ju i referoheni kaosit urban shqiptar, çfarë ju shqetëson në aspektin e arkitekturës dhe çfarë ju tërheq në atë fotografik?

Ekspozita e fundit, ku isha pjesëmarrëse bashkë me artistë të tjerë shqiptarë, fotografia ime lidhej me “mashtrimin” vizual që në Tiranë vjen si pasojë e kaosit urban, por që e parë në aspektin artistik, nga ky kaos ka një botë plot ngjyra dhe imazhe të reja për syrin, të cilat duhen dokumentuar dhe ekspozuar.

Për ju është një pasion fotografia, apo si shumë arkitekte, e përdorni atë për të dhënë dimensionin artistik?

Fotografia ka qenë gjithmonë një pasion i imi, për disa kohë edhe i mbetur në heshtje, por asnjëherë nuk e kam lidhur me arkitekturën. I kam parë si dy pasione të ndara. Sigurisht profesioni më ka ndihmuar të kem një perceptim me të mirë mbi dritën, volumet dhe estetikën, por fotografinë mundohem ta ruaj si një pasion të shkëputur nga puna e përditshme.

Jeni me e lidhur me eksteriorin apo interiorin?

Jam shumë me e lidhur me interierin dhe me dizajnin. E gjej veten më tepër tek teksturat, tek kombinimet dhe paletat e ngjyrave, tek ndriçimi, materialet. Më pëlqen ideja e të krijuarit një hapësire të brendshme duke imagjinuar si do të jetohet.

Si e shpjegon faktin që ka më shumë arkitekte të suksesshëm meshkuj në botë dhe me pak femra, a ju shqetëson?

Nuk më shqetëson aspak fakti që ka më tepër arkitektë të suksesshëm meshkuj në botë, besoj tek talenti dhe besoj se pa pasur nevojë të bëhet një ndasi gjinore, talenti e gjen rrugën vetë për t’u realizuar.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF