KreuArt

Dame HELEN MIRREN

Aktorja britanike me shumë fytyra, nga rolet e kritikuara të dashnores tek ato mbretërore, së fundmi një magjistare dhe së afërmi një perandoreshë

Natyrisht mban titullin “Damë”, të cilin ia dha vetë Mbretëresha Elizabetë 15 vite më parë, për një karrierë të shkëlqyer, të cilën e nisi në fund të viteve 1960. Edhe pse nuk ka fituar asnjë çmim Oscar, Helen Mirren ka në shtëpi trofetë Tony, Olivier dhe disa Emmys. Para se të kthehej në një heroinë për të gjithë anglezët, ajo turbulloi mendjet e tyre me pamjet “e turpshme” në filmat ‘Caligula’ (1979) dhe ‘Age of Consent’ (1969), hije që e ndjekin Mirren edhe sot në moshën 73 vjeçare. “Roli i Kesonias tek Caligula ishte një interpretim i guximshëm dhe i fuqishëm për brezin tim” – rrëfen Helen Mirren. Ajo është shumë në formë edhe sot, kjo u konfirmua nga 13 milionë shikime në Facebook kur foli për fenomenin e seksizmit me të cilin përballen aktoret e reja në kinema.

Edhe pse ka një karrierë të gjatë, nuk e mohon se ndihet nervoze kur merr një rol të ri, shqetësohet ndoshta më shumë se sa duhet, por gjithnjë e ka një zgjidhje. “Nis e kërcej, kështu fillon adrenalina”- pranon ajo. Imagjinoni një Mirren në rolin e Katerinës së Madhërishme, të cilin do ta interpretojë sivjet në një seri të HBO, duke kërcyer me një fustan ku as këmbët nuk të duken. “Kam frikë nga ky rol. Është një përgjegjësi e madhe. Nuk është karakter i lehtë, ndaj e kam marrë si sfidë”. Duket sikur Helen shprehu një dëshirë për këtë rol teksa para audiencës me mbretëreshën Elizabeta, kur kjo e fundit e pyeti nëse kishte ndonjë personazh që do të donte të luante, aktorja tha se dëshironte të luante Katerinën e Madhe të Rusisë. “Ky ishte dënimi im” – thotë ajo, sepse dikush tjetër kishte thënë, “Oh, kjo është një ide e mire”. Mirren nuk kishte shumë njohuri për sfondin e perandorisë së shekullit të 18-të, por ama rolin e donte me çdo kusht. “Dija që ajo ishte ruse shumë e fuqishme, kishte flokë dhe veshje të mëdha, që edhe unë i dua, por vetëm kaq”.  

Ndaj ju desh të kalonte disa javë të mira në shtëpinë e saj të pushimit duke lexuar biografitë dhe letrat e Katerinës, për të kuptuar zërin e saj. “Falënderoj Zotin për YouTube, sepse i referohem shpesh për rolet e mia për personazhe që kanë jetuar në kohët moderne, por në rastin konkret, mu desh të bëja dedektiven nëpër arkiva për të parë portretin dhe jetën që bënte”- shpjegon aktorja britanike. Mirren do të luajë një periudhë kur Katerina ishte në kulmin e pushtetit të saj, një epokë kur Rusia ishte një vend i mahnitshëm, por edhe i zymtë për qeverisje. Nuk e mohon që u intrigua edhe nga seksualiteti i Katerinës. “Në botën tonë puritane, është tronditëse të zbulosh jetën e saj. Ishte e jashtëzakonshme për atë epokë të kishte 4 fëmijë nga 4 burra të ndryshëm”.

Një tjetër rol po kaq i madhërishëm, është dhe ai i mbretëreshës Elizabeta, ndaj nuk e mohon se ndihet krenare, edhe pse nuk është monarkiste, e sheh që mbretëria është bërë më e dashur. “Është një rol i realizuar bukur, sepse sa herë e takoj mbretëreshën ajo më mahnit”- tregon aktorja.

Helen mori së fundmi një tjetër kënaqësi nga flokët dhe fustanet e mëdha me rolin e Nënë Ginger në filmin “Nutcracker”, ku luante krah Keira Knightley dhe Morgan Freeman. “Kostumet! O Zot ishin një vepër arti. Jam hipnotizuar dhe impresionuar nga mjeshtri pas kamerës. Isha e vetëdijshme që ecja në një studio bosh, por kur në ekran e sheh veten në një pyll të magjepsur, e kupton se Disney është plot sekrete”.

 

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF