Portret i paautorizuar i Madam Butterfly

Piktori Bashkim Ahmeti sjell skicat e rolit të fundit të sopronos Ermonala Jaho nga skena operistike e New York

Ekzistojnë mrekulli ose, të paktën, i vetmi shpjegim i mundshëm për të kuptuar përse sopranoja shqiptare Ermonela Jaho arrin të paraqesë në interpretimet e saj mishërimin e karaktereve të heroinave dramatike në një ekuilibër të përsosur.

Këtë përcaktim bëjnë mediat botërore për artisten shqiptare e cila u ngjit së fundmi në skenë për të luajtur Madame Butterfly, një rol emocionalisht i arrirë me një ndjeshmëri dhe vendosmëri e cila do të trondiste median botërore.

Nuk është hera e parë që ngjitet në skenën operistike njujorkeze, por këtë herë, mes qindra sysh që e kanë ndjekur nga poltronat, ka qenë edhe piktori shqiptar Bashkim Ahmeti Izano. Artisti me një portofol të shkëlqyer veprash, mes të cilave një cikël dedikuar shkrimtarit Ismail Kadare, ka shijuar performancën e Jahos në skenë, por ndërkohë ka arritur të fiksojë çdo gjestikulacion të sopranos.

Ka skicuar lëvizjet e saj, duke sjellë përmes tyre një version të kryeveprës së Giacomo Puccinit, jo më në versionin operistik, por atë të një pikture e cila vjen në të gjitha dimensionet e saj, duke përshkruar akt pas akti gjendjen emocionale të Ermonela Jahos. Është pak e çuditshme, por aspak e pamundur për një artist të kalibrit të Bashkim Ahmeti Izano që të arrijë të fiksojë me sy e pastaj në letër gjithë gjendjen e sopranos shqiptare.

Skicat që Izano sjell ekskluzivisht për Bordo reflektojnë qartazi gjithë ndjeshmërinë e karakterit të Cio-Cio-san, protagonistes me një natyrë të theksuar dramatike, e cila edhe përmes imazheve me ngjyra sjell në portretin e saj të brishtë një melankoli që theksohet më shumë tek fytyra dhe kurora e fokëve të zinj që zbret në gjithë gjestikulacionet e trupit.

Previous ArticleNext Article