Vin Veli, artist në vena

FOTOGRAFIA: FLORI ABAZI

Qasja e tij me muzikën nuk qe aspak e rastësishme. Me një nënë Soprano, për Vin Velin ambientet e Teatrit të Operas e Baletit qenë tejet familjare gjatë gjithë fëmijërisë. Ndonëse simpatiku i klubeve të natës, nuk zgjodhi muzikën operistike, shijen e muzikës së mirë ai e kultivoi që në vegjëli, duke u kthyer sot në një prej Dj më të kërkuar në vend…

Si  ka nisur pasioni, cilët kanë influencuar në pasionin të cilin ju tashmë e keni kthyer në profesion? Të kujtohet hera e parë kur ke bërë një miksim si Dj? 

Nuk mund të them ekzaktësisht por vitin që fillova të praktikohesha si Dj po, ka qenë vera e vitit 2000, nuk është se kisha ndonjë plan ose skemë të caktuar, thjesht isha i mbushur me pasion për të qenë Dj, për të luajtur muzikë. Si një 16 vjeçar që ecja vetëm me pasionin,  nuk mendoja shumë gjatë se cili do të qe destinacioni që do të arrija duke luajtur Dj;  mjaftonte që për mua të kishte hapësira për të luajtur dhe për të mësuar më tepër rreth këtij profesioni. Nuk duhet të harrojmë  që ato vite ishte shumë e vështirë të mblidhje informacione e leksione rreth këtij profesioni.

Kam qenë me fat që pranë shtëpisë kam pasur një nga radiot më të mira të asaj kohe Radio Planet, drejtuesit e së cilës më dhanë mua mundësinë që të luaja muzikë në pultin e asaj radio.  Megjithatë ndoshta pak e dinë që lidhja ime  me muzikën ka qenë që kur unë kam lindur,  pasi mamaja ime ka qenë soprano në Opera për rreth 30 vjet. Kam qenë një fëmijë i rritur me shumë në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit, duke ndjekur nga afër shumë vepra operistike si Toska, Don Jovani, Carmen, e shumë të tjera.  Aty fillova të shihja nga afër instrumentet klasikë të një orkestre simfonike duke zgjedhur më pas që të vazhdoja studimet për instrumentin e Trombonit, më dukej vërtet interesant dhe shumë mashkullor përpos kësaj kisha edhe të dhëna fizike të mira për atë instrument!  Kam qenë gjithë kohës në luftë me veten për t’i dhënë kohën e duhur dhe për të ruajtur balancat midis Dj dhe Trombonit!

Çfarë e bën një Dj të mirë? 

Vizioni, fantazia, inteligjenca në mënyrën e miksimeve apo krijimit të një melodie, energjia që përcjell tek publiku, mirë informimi!

Si nis dhe përfundon një ditë për Vinin? Sa vend zë Arbori në ditën tënde? 

Ditët e mia nuk nisin gjithmone njësoj, ka ditë të javës që nisin  vonë për arsye të ndryshme që në përgjithësi lidhen me profesionin; më pas shkëputem për të kaluar një pjesë të ditës me djalin tim Arborin, e më pas nëse nuk është fundjavë i kthehem studios deri në orët e vona të natës! Gjithmonë mundohem të gjej kohë për të gjithë njerëzit e mi të dashur, duke menaxhuar kohën në mënyrën më të mirë!

Ka Arbori vesh muzike? Do të doje të ndiqte rrugën tënde? 

Me Arborin kemi bërë tashmë këngën e parë që e nisëm si vjershë, por u kthye në këngë.  Ai ka goxha vesh muzike dhe ritmin e ndjek shume mirë unë do të doja që të kishte lidhje të mira me muzikën por nuk do doja të ishte vetëm Dj ose muzikant!

E mendon ndonjëherë veten në një tjetër profesion? 

Nëse do kisha lindur në ndonjë vend tjetër të botës është që tani do isha pilot avioni (është një ëndërr në sirtar) me sa jam interesuar nuk jam vonë, jam në kohë për të nisur studimet por këtu në Shqipëri nuk ka, duhet të shkoj jashtë vendit për 5 vjet. Kështu që për fat të keq është e pamundur.

Cila ka qenë periudha apo arritja për të cilën je krenar në karrierën tënde? 

Të them të drejtën nuk kam bërë ndonjëherë një arritje për t’u ndjerë krenar unë jam i mbushur me muzikë dhe duhet ta nxjerr patjetër pra mbi të gjitha është pasioni dhe dashuria për muzikën. Përshembull kur nxjerr një këngë të re ndjehem shumë i liruar sepse ajo këngë ka qenë për shumë kohë në kokën e në trupin tim. Në thelb më pëlqen të bëj krenarë njerëzit e mi të dashur, ajo është gjëja që më gëzon më tepër dhe më bën të ndjehem shumë mirë.

Sa i përket çështjeve të zemrës, ka diçka të re në jetën e Vinit? Si duhet të jetë një vajzë (nëse ka disa kritere) që të tërheqi vëmendjen tënde? 

Për momentin nuk dua të bëj asnjë koment rreth çështjeve të zemrës (Qesh) Publike do ta bëj vetëm kur të martohem (Qesh)! Përpos asaj idesë shpesh të gabuar që është krijuar për Dj, unë personalisht nuk e kam parë profesionin tim si një mekanizëm që tërheq femrat, aq me tepër t’i vë dhe kritere.

 

Previous ArticleNext Article