Intervistë/ Aldo Dj: Si e krijova profesionin që vite më parë nuk njihej në Shqipëri!

Ndër të parët Dj në Shqipëri, 22 vite më parë Aldo çeli siparin e profesionit që asokohe as nuk njihej! 

Fotografia: Fani Aliko 

Ishte vetëm 12 vjeç, kur ndonëse fëmijë Aldo kishte nuhatjen për të kuptuar se cila ishte muzikë e mirë. I stacionuar gjatë gjithë kohës në frekuancat e radiove italiane, pa e ditur, për djaloshin nga Tirana po shenjohej rrugëtimi e profesioni që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës….Sot 22 vite më vonë, me eksperiencën e profesionalizmin e fituar me shumë punë e mund, për Dj Aldon nis një tjetër sfidë; të jetë ai ‘edukuesi’ i brezit të ri me muzikë të mirë, nëpërmjet Radio One; frekuencat e së cilës mbajnë firmën e Dj Aldo! 

Prej dy vitesh ju jeni drejtues i radios më të re në median e folur shqiptare, Radio One. Pse pikërisht në këtë moment kjo sipëmarrje? 

Janë fiks dy vite që kur Radio One ka nisur transmetimin. E nisa këtë sipëmarrje pikërisht tani, pas 20 vitesh eksperiencë në mediumin e radios, pasi mendoj se jam ‘pjekur’ mjaftueshëm profesionalisht, për t’i hyrë një pune kaq serioze siç është Radio One. Por përpos kësaj është edhe një investim që do më shërbejë, për të ardhmen time. 

Keni zgjedhur që të mos merrni folës në radion tuaj; çfarë transmetohet në frekuencat e Radio One? 

Kam zgjedhur një profil, ndryshe nga radiot e përgjithshme në vendin tonë që kanë pothuajse të gjtha folës. Unë preferova një sistem radio që përfshin muzikën më të fundit. Si promovues i muzikës prej 22 vitesh, në Radio One muzika e re do të ketë prioritet. Por kjo nuk do të thotë që në Radio One nuk ka muzikë të vjetër, sepse ka perla të muzikës botërore që kurrsesi nuk mund të mos i transmetojmë. Kryesisht muzika e viteve 90’ e cila ka bërë historinë e muzikës në vitet që jetojmë. 

Në Radio One transmetohet vetëm muzikë e huaj; pse kjo zgjedhje? 

Duke qenë se pothuajse gjithë jetën unë jam investuar e kam promovuar dhe punuar me muzikë të huaj, mendova që ta profilizoj në këtë mënyrë mediumin tim. Në vija të trasha po e them që është më mirë të shohim se çfarë sjell bota, sepse Shqipërinë e shohim dhe e kemi këtu. 

Në një kohë kur teknologjia e media online po ‘bën ligjin’ tek publiku, e morët si risk hapjen e një mediumi si radio? 

Është shumë e vërtetë kjo që thua ti, ama kjo ndodh më shumë në vendin tonë, sepse jashtë realiteti është ndryshe. Radio është një trend botëror që do të jetë gjithmonë i tillë, dhe mjafton të bësh një udhëtim jashtë Shqipërisë që të kuptosh që është e vështirë t’ja zësh ‘vendin’ radios. Nuk kanë kohë njerëzit andej të merren me internetin dhe në atë turravrapin që kanë në angazhimet ditore, zgjidhja e parë dhe shpesh e vetmja është dëgjimi i radios. 

Përpos të gjithave që thashë më lart, një radio është një investim që krahas material (fitimi është modest),  kthehet edhe në shpirtëror, pasi ajo trashëgohet ndër breza, mbetet përgjithmonë dhe unë këtë dua shumë edhe për Radio One. 

Si e kujtoni fillimin e punës tuaj si Dj? 

Kur e kam nisur unë këtë punë 22 vite më parë, termi Dj nuk njihej fare dhe modestisht më duhet ta them se investimi im i madh në punë arriti që termin Dj ta kthejë në profesion. Kam qenë vetëm 12 vjeç kur dëgjoja shumë radiot italiane, të cilat janë pothuajse më të suksesshmet në botë. Mënyra se si italianët bëjnë radio më ‘ndezi’ mua atë dëshirën asokohe prej një fëmije vetëm 12 vjeç, që sigurisht as që do ma merrte mendja se ai pasion fëmijërie do të kthehej në profesionin e jetës time. Për fat të mirë pata mundësinë që të blija giradisco në Itali dhe të filloja miksimet e mia të para, e po ashtu në vitet ’96 të nisja punën si Dj në një prej diskotekave të asaj kohe në Tiranë. Atë periudhë njoha Tanin (Dritan Hoxhën) i cili më ftoi të isha pjesë e Top Albania Radio, e cila ende nuk kishte nisur transmetimin, e madje ende nuk kishte një emër. Pasioni ishte aq i madh, saqë punoja edhe 20 orë në ditë në radio në mënyrë që të mësoja sa më shumë. 

Për të rinjtë që duan të bëhen Dj; sipas jush çfarë do t’i bënte ata të suksesshëm? 

Së pari një Dj i mirë duhet të ketë gusto (shije) muzikore, të dijë e të mësojë mirë teknikën; të kesh aftësinë që t’i bësh njerëzit për vete (e kjo ndonjëherë është dhunti). Puna e Dj është art, ndonëse publiku i gjerë shpesh e quan si punë ‘gallatë’. 

Nisur nga ftesat në clubet e natës; a ekziston një konflikt mes këngëtarëve dhe Dj-ve për të marrë këtë ftesë? 

Hmm nuk duhet të harrojmë që këngëtarët bëhen të famshëm, sepse Dj i bëjnë pjesë të playlistave apo miksimeve të tyre. Po ashtu edhe radio luan rol kyç  në famën e një këngëtari. Mendoj se në këtë pikë këngëtari duhet ta vlerësojë shumë Dj apo edhe radion. Ju mund të më thoni se këngëtari mund të bëhet i njohur nëpërmjet instagramit, apo youtube; por nuk mund të jemi kaq naivë sa të mos e dimë që manipulimi në këto raste është shumë lehtë për t’u bërë, ama nuk mund të ndodhë me Dj apo me radion. 

Çfarë dëgjuesish janë shqiptarët? 

Unë mendoj se Shqipëria është një treg i vështirë dhe nëse arrijmë të kënaqim shqiptarët (që është vështirë të gjesh tre shqiptarë me një shije muzikore), mund ta bëjmë me gjithë botën (Qesh). 

Previous ArticleNext Article