KreuStil Jetese

Fly Restorant, një kat poshtë parajsës

 

Në fund të bulevardit me shtëpitë e stilit venezian të mbuluara anës rrugës me palma, majtas tabela e Fly Restaurant të fton drejt një ngjitje vertikale. Një ashensor i posaçëm nis udhëtimin, si një raketë drejt qiellit, për të ndalur në katin e 15-të. Jemi në restorant Fly më i famshmi në Durrës, ku duket sikur ke nisur një fluturim që zgjat pafundësisht.

Prej aty qytetin e ke në pëllëmbë të dorës në të katër anët me një pamje 360 gradë: me një zgjatje dore duket sikur prek Torrën simbol të Durrësit, e patundur nga motet, e më tutje vija e asfaltuar e rrugës Taulantia e cila zgjaton, përbri shkallët e amfiteatrit, forma gjysmëhëne e saj me mbetjet e ardhura nga antikiteti, pastaj kodrat e buta dhe vila e Zogut përmbi…! Por, ajo që të magjeps është kaltërsia e detit, që në këto ditë vere bëhet aq i qartë, mbresëlënës dhe emocionues, sikur e sheh Adriatikun për herë të parë dhe nuk ngopesh.

Sepse Fly Restorant është padyshim pika më e lartë dhe më e bukur e qytetit, prej nga mund të shohësh gjithçka. Nino Imeraj, menaxheri i restorant Fly, na tregon prej këtu mund të shijosh jo vetëm pamjen, por edhe një drekë apo darkë të shkëlqyer. Restoranti me një hapësirë 700 metra katrorë ndahet në dy zona: në brendësi, një ambient ku ndërthuret detajet ngjyrë terrakote, një frymë tipike mesdhatare, kombinuar me një stil gjysmë industrial në rifinitura, një piano e bardhë, e më tutje kalojmë në zonën e dytë përmes një korridori të gjelbër, që zgjatet deri tek veranda, me një brez të klorofiltë, ku mund të shijosh menunë e Fly në qiell të hapur.

Nino na shpjegon se restoranti Fly prej vitesh identifikohet për menunë e pasur, nga ajo e produkteve detare, ku krudot janë padyshim mbretëresha e tavolinës e deri tek produktet e mishit, pa harruar zgarrën, pastaj e freskë apo picat, gjithçka e cilësisë së lartë, e gatuar me mjeshtëri nga chef Rino.

Tek Fly mund ta nisni ditën me një pamje 360 gradë, jo vetëm me kafenë, por duke shijuar një mëngjes tipik anglez, apo të provoni petulla apo pancakes me mjaltë dhe nutela. Chef Rino vjen nga një eksperiencë e gjatë. Është ai i cili i ka dhënë një fytyrë restorantit Fly, duke përdorur risitë më të fundit nga bota e kulinarisë, por edhe teknologjinë që aplikohet për të realizuar pjata të një cilësie, pa harruar kreativitetin dhe fantazinë e tij. Chef Rino na sugjeron menunë, por ne vendosim të lëmë gjithçka në dorën e tij.

Na përshëndet, ndërkohë vëmendjen e zhvendos në verandë ku janë stacionuar një grup turistësh nordikë, të cilët siç shpjegon menaxheri Nino Imeraj, prej ditësh ata kanë zgjedhur Fly Restorant për drekat dhe darkat e tyre. Pjatat e para që na sjell për mirëseardhje chef Rino janë midhje Selaniku, me fokaçe.

 

E kur vjen momenti i zgjedhjes së verës, nuk di kujt t’i vëmë syrin, ka nga ato me bulëza, deri tek markat prestigjioze si Primitivo, Brunello, Gaja, Oreno, Montepulciano, Amarone apo Gocce, mbi 40 llojë të cilat oforhen në restorant Fly për darka, por edhe evente ku secili gjen aty shijen e preferuar.

Më pas, vetë chef Rino prefeoron të na sjellë pjatën e rradhës: janë dy pjata krudo të dekoruara në mënyrë të tillë, ku shijet alternohen me njëra tjetrën dhe ngjyrat e produkteve detare, me fruta ekzotike. “Mmm! Janë fantastike!”.

Chef Rino na sugjeron salsat, kombinimi i tyre me produktet marine janë alternuar në mënyrë të tillë që nuk e ke të lehtë të zgjedhësh. Më pas vijnë pastaj pastat. I them: Janë ndryshe! Chef Rino dhe menaxheri i restorantit shohin njëri-tjetrin në sy! Një buzëqeshje e dlirë i reflektohet në sy, sikur të kenë vënë mes tyre një bast, por ende nuk e di se cili prej tyre do të jetë fitimtari. “Të gjitha pastat në restorant Fly i kemi të freskëta, i bëjmë në çast” – shpjegon chef Rino.

Mbrëmjet po ashtu në Fly ofrojnë një kuzhinë të rafinuar shoqëruar nën tingujt e kadiftë të muzikës. Një ambient romantik, për çiftet, por edhe një vend po aq familjar, për ata që duan që festat apo gëzimet familjare, të mbeten gjatë në kujtime, jo përveç imazhit, por edhe gatimeve unike që ofron restorant Fly!

Ikim nga restorant Fly për tu rikthyer sërish. Aty gjen paqen me veten, qetësinë pas një ditë të lodhshme, të duket vetja sikur je vetëm një kat nën parajsë, prej nga mund të sodisësh lindjen dhe perëndimin e diellit, pamjen e plotë të qytetit të Durrësit, vendin e duhur për një kujtim shkrepur pas një selfie, duke marrë me vete shijen e rrallë të një kuzhine, ku cilësia është kriteri i padikutueshëm!

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF