Reptili më fashion; Zbuloni kuptimin e gjarprit hipnotizues

Një gjarpër për fat, pasion dhe pushtet, lëkura si dekor apo forma magjepsëse përmes bizhuterive të modës së lartë. Zbuloni kuptimin e reptilit hipnotizues…

Nuk ka dyshim që është reptili më i frikshëm në univers, kjo për shkak të helmit, por ama kur vjen puna për kundërhelmin që fsheh, askush nuk flet. Nuk bëhet fjalë vetëm për kundërhelmin, simbolin e të cilin e shohim në çdo farmaci, por për gjarprin si dekor, lëkurën hipnotizuese me luspa dhe formën e përsosur, që nuk do ta refuzonte askush.

Gjarpri është një nga simbolet më të lashta dhe më të përhapura të mitologjisë, nga ajo egjiptiane tek ajo kineze. Kjo është ndoshta arsyeja pse janë aq shpesh të përfaqësuar në bizhuteritë, duke u shfaqur me trupat e tyre në qafë, byzylykë elegantë ose unaza.

Simboli i të keqes i keqinterpretuar, njihet edhe në kulturën shqiptare. Studimet tregojnë se gjarpri nuk është ai i keqi që jemi mësuar të njohim: sipas kulturës ilire çdo shtëpi ka një të tillë, i cili konsiderohet mbrojtësi ynë. Mes të keqes që njohim, ka edhe një anë të mirë, të pranuar në vetëdije, por të refuzuar publikisht.

Mos u habitni kur e shihni si aksesor. Gojëdhënat që vijnë nga qytetërime të ndryshme, pranojnë se simboli i gjarprit daton prej mijëra vjetësh, i interpretuar dhe përfaqësuar shpesh për anën djallëzore, konsiderohet mbrojtës ndaj të këqijave, nënkupton rilindjen, por edhe vdekjen. E gjejmë në shumë objekte dekorimi, si vazo, tavolina apo kolonat e shtëpisë duke na mbrojtur me hijen e tij të rëndë, pikërisht nga e keqja.

 

Egjiptianët e lashtë e përdorën gjarprin në bizhuteri për të përfaqësuar mbretërit dhe hyjnitë. Në hinduizëm, përfaqëson dëshirën dhe pasionin e shfrenuar seksual. Romakët në kulturën e tyre nënkuptonin dashurinë e përjetshme, riprodhimin dhe fatin e mirë.

Popullariteti i këtij simboli, sidomos në bizhuteri u rrit sidomos gjatë epokës viktoriane,  kur princi Albert i propozoi mbretëreshës Viktoria me një unazë me imazhin e një gjarpri që nxirrte kokën pas shkëlqimit të një smeraldi. Mbretëresha e shpalli gjarprin një figurë të dashurisë së përjetshme. Reptili përfaqësonte përjetësinë dhe mençurinë, duke qenë objekt zbukurues i njerëzve të ditur, që mbanin unaza me këtë simbol, si për të vulosur talentin dhe inteligjencën.

I famshëm për gjurmën larushe të lëkurës, e cila është mbrojtës nga syri i keq, u vendosej sipas traditës fëmijëve ose nuseve të reja në veshje për të evituar të keqen. Gjarpri frymëzoi markën e bizhuterive Bulgari për koleksionin Serpent me varëse, byzylykë, vathë, unaza dhe orë. Gjatë viteve të fundit po kaq popullore u bë lëkura e gjarprit në modë, material i përdorur gjerësisht në veshje, çanta dhe këpucë. Ndërsa dy vitet e fundit, ky simbol pushteti u bë joshës përmes dizajneve të stilistëve si: Gucci, Givenchy, Balenciaga, të cilët e sollën imazhin e gdhendur kudo në sugjerimet e tyre.

Kjo tregon se simboli i gjarprit, vijon të ketë po aq fuqi sa dikur, i ringjallur më tepër së fundmi, pa menduar për rrezikun, por për anën e bukur, atë estetike, përmes formës dhe ngjyrave të pafundme që vijnë nga Amazona deri tek shkretëtirat.

 

Previous ArticleNext Article