Intervistë ekskluzive: Çmenduritë e Dj Sardi

 

Dita për të nis vonë, e ndërsa hedh shikimin nga dritarja kupton që njerëzit aty jashtë kanë thënë mirëmëngjes disa orë më parë. Por Dj Sardi me shumë mundësi një natë më parë ka luajtur në ndonjë bar deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa në ditët kur nuk ka asnjë aktivitet në bare e clube, është studio ajo që e mban zgjuar deri vonë….

Në këtë numër vere nuk mund të mungonte në faqet e Bordo simpatiku që qëndron pas ‘player-it’ të muzikës në clubet ku ai ndez atmosferën! 

Na përshkruaj një ditë të Sardit! 

Siç mund të kuptohet nga puna që bëj, një ditë e imja nis vonë (këtë e pe edhe me takimin tonë për intervistën – Qesh), me kontroll emailesh që zakonisht janë për punën, me takime dhe përgatitje për fundjavën, e cila këtë sezon është gjithmonë e mbushur me aktivitete që për mua përkthehet në punë. Më pas një kafe me shoqërinë dhe dita përfundon në studio duke punuar.

Cilën do të konsideroje si arritjen tënde më të madhe? 

Mendoj se arritja më e madhe për mua nuk ka ardhur ende, pasi kam objektiva që janë akoma për t’u përmbushur, por do të veçoja pjesëmarrjen në jurinë e Këngës Magjike për dy vite rresht.

Vjen nga një familje artistësh, babai Flamur Shehu është një kompozitor i njohur. Ka qenë dakord ai me zgjedhjen tënde për tu bërë Dj? 

Familja ime ka qenë gjithmonë përkrahëse në zgjedhjet e mia, dhe për sa kohë jam i zoti në atë që bëj ato janë krenarë dhe përkrahës. Puna e Dj nuk do të thotë që merr disa këngë të gatshme dhe thjesht i mikson, sepse ndonjëherë publiku kështu mund ta mendojë. Një Dj krijon edhe vetë melodi, siç edhe unë kam bërë shpesh, të cilat më pas janë kthyer edhe në hite. Ndaj modestisht do të thoja se edhe unë në një farë mënyre jam krijues muzike si babai im.

Ke menduar ndonjëherë të bësh ‘remake’ një këngë të Flamur Shehu (babait)? 

Nuk mund të rrija kurrsesi pa e bërë një gjë të tillë, por kam dashur të ‘piqem’ profesionalisht dhe shumë shpejt do të bëj një ‘remake’ të babait tim. Është në planet e mia.

Puna si Dj t’i lehtëson ‘punët’ me vajzat, apo t’i vështirëson? 

Varet nga momenti (qesh). I lehtëson në fillim por s’e di pse pastaj komplikohen pak gjërat, por gjithsesi mundohemi të zgjedhim njerëz të kuptueshëm. .

Partnerja do të pëlqente të ishte personazh publik, apo vajzë e thjeshtë? Ke ti një ‘listë’ se si duhet të jetë vajza që të tërheqi vëmëndjen tënde? 

Për mua nuk ka rëndesi fare a është person publik apo jo.  Nëse kemi kimi me njëri tjetrin dhe ndihemi mirë, çfarëdo lloj ‘liste’ që mund të kem unë në mendjen time rrëzohet. Këto ‘punët’ e zemrës nuk kanë fare receta (Qesh).

Çmenduritë e Dj Sardi 

Sa i çmendur je në një lidhje? 

I çmendur jo, por mundohem që të jap më të mirën nga personi im.

Cila është sakrifica apo veprimi më i çmendur që ke bërë për dashurinë? 

Shumë (Qesh). Kur je i dashuruar bën dhe çmenduri pa i kuptuar.

Një artist ka shpesh edhe fansa të çmendur në kuptimin e mirë të fjalës. Ka patur ndonjë veprim të çmendur që një fans ka bërë për Sardin?  

Nuk kam fansa që të bëjnë tatuazhe emrin tim ose fytyrën (Qesh). I kam fansat me këmbë në tokë.

Kur je në kulmin e nervave, çfarë bën? Cili është veprimi më i çmendur në ato momente? 

Zakonisht mundohem ta kontrolloj veten . Por ka dhe raste qe mund të thyej ndonjë gjë çfarë kam përpara ose të bërtas. (Qesh)

Ka edhe dhurata apo surpriza të çmendura. Të kanë bërë, apo ke bërë të tilla? 

Edhe kemi bërë edhe na kanë bërë.

Propozimi më i çmendur që ke marrë nga një vajzë? 

Do martohemi bashkë?

Cilat janë pushimet më të çmendura që ke bërë? 

Po ta mbaja mend nuk do ishin aq të çmendura

Loja më e çmendur që ke bërë kur ke qenë me pushime? 

E ka kush e ka, dhe syllambyllasi. E kam bërë vërtet dhe ishte shumë qejf (Qesh)

Veprimi më i çmendur që ke bërë kur ke qenë i dehur?

Jam hedhur me parashutë! Por e mira është që nuk isha unë ai që drejtoja parashutën, sepse me siguri nuk do isha këtu tani duke dhënë këtë intervistë për Bordo (Qesh).

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Previous ArticleNext Article